Si BlockChain mund të ndihmojë tregjet në zhvillim

Si BlockChain mund të ndihmojë tregjet në zhvillim



Shkruar nga Nikola Kedhi, dilomuar në Universitetin Bocconi (Milano) në  Ekonomi dhe master në Financë, Madrid.

“Është e vjetëruar, një mbetje e teknologjive industriale dhe proceseve të bazuara në letër, e veshur në një mbështjellëse dixhitale”. Kështu e përshkruan Don Tapscott, bashkëthemelues i Institutit Hulumtues të Blockchain, sistemin financiar botëror. Dhe nuk e ka dhe aq gabim.

Sot kemi sisteme financiare, që qëndrojnë larg revolucioneve që po ndodhin në teknologji të ndryshme. Këto sisteme bien pre e hakerëve dhe terroristëve financiarë. Goditen nga kriza me pasoja shkatërruese dhe mbarëbotërore. Këto dështime kanë bërë që shumë të kërkojnë mënyra dhe mekanizma, që do të revolucionarizojne gjithë botën e financave. Një shembull i tillë është Blockchain.

Ç’është Blockchain?
Është një listë e decentralizuar dhe vazhdimisht në rritje e regjistrave që quhen blloqe. Është një libër virtual i përgjithshëm, i disponueshëm për këdo, në të cilin mund të ruhen transaksionet, paratë, pasuritë, kontratat dhe çdo gjë me vlerë. Blockchain përgjithësisht është i lidhur me kriptomonedhat, veçanërisht me Bitcoin, i cili është më i njohuri. Megjithatë, përdorimet dhe potencialet e Blockchain janë shumë më të mëdha. Ndërsa përdoruesit kryesorë të saj, kanë qenë më së shumti vende të zhvilluara, Blockchain paraqet një mundësi për tregjet në zhvillim, jo vetëm për të arritur, por edhe tejkaluar, ekonomitë më të zhvilluara. Një vend që po përjeton një tranzicion, nga një sistem ekonomik në tjetrin dhe i mungon standardi i tregjeve të zhvilluara, përgjithësisht quhet një treg në zhvillim. Këto tregje ende nuk kanë arritur një pikë maturie të qëndrueshme, prandaj janë shumë të ndjeshme ndaj goditjeve financiare dhe ekonomike.

Në këtë kategori, mund të përfshihen vendet BRICs (Brazil, Rusi, Indi, Kinë), Korea e Jugut apo Argjentina. Ajo që i bën këto tregje tërheqëse, është rritja e tyre e pabesueshme në lidhje me ekonomitë e konsoliduara, fuqia punëtore me kosto të ulët dhe kapitali i pashfrytëzuar. Nga ana tjetër, ato gjithashtu paraqesin rreziqe shumë të larta. Zakonisht, ka paqartësi të mëdha politike, me qeveri të paqëndrueshme dhe sisteme të dobëta ligjore për shkak të natyrës së brishtë apo edhe mungesës së demokracisë. Për më tepër, rreziqet monetare dhe ekonomike janë gjithashtu të pranishme. Blockchain shihet si një zgjidhje e mundshme për të gjitha këto paqartësi.

Në tregjet në zhvillim, strukturat e tregut janë më pak të përcaktuara dhe kanë kosto të lartë të transaksioneve. Infrastruktura financiare në këto vende është e pazhvilluar. Pra, në vend që të përpiqen të përmirësojnë këto sisteme ekzistuese dhe të kopjojnë modelet e homologëve të tyre të zhvilluar, ata mund të kapërcejnë dhe të implementojnë teknologjinë Blockchain. Kjo analizë do të përqëndrohet në disa fusha, në të cilat kjo teknologji mund të përdoret, duke përmirësuar jetën e qytetarëve, lehtësinë e te bërit biznes dhe ekonominë e përgjithshme të këtyre vendeve.

Si mund të ndihmojë ekonomitë në zhvillim?
Së pari, perdorimi i kësaj teknologjie do të ndihmojë në uljen e korrupsionit. Meqenëse çdo transaksion lë një gjurmë dixhitale unike, është më e lehtë për ta gjurmuar atë. Me këtë teknologji, është e mundur të ruhen kontrata, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të vlefshme, duke rritur kështu transparencën. Siç raporton Korporata Financiare Ndërkombëtare, këto quhen kontrata të zgjuara (smart contracts) dhe mund të ndërmarrin veprime bazuar në rregulla të paracaktuara. Kjo zgjidh problemin e kapjes së pronës dhe ndërhyrjes në pronësi përmes falsifikimit të dokumenteve ose kontratave. Regjistrimet nuk mund të ndryshohen në mënyrë retroaktive, kështu që çdo përpjekje për manipulim do të vërehet menjëherë. Një vend që zbut problemin e korrupsionit, bëhet më tërheqës në sytë e investitorëve.

Në këto vende, remitancat të cilat janë transferime të parave të bëra nga individë që punojnë jashtë vendit, janë një nga hyrjet më të mëdha të kapitalit. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e shumave të parave merren nga bankat, apo institucionet e tjera financiare si pagesë për transfertën. Sipas Overseas Development Institute, në vitin 2015, 12% e çdo $ 200 të dërguar u morën nga këto institucione. Blockchain mund të ndihmojë duke i lejuar këta individë të transformojnë paratë e tyre në një monedhë virtuale dhe t’a transferojnë atë në internet, me tarifa shumë të vogla. Jo vetëm që kjo është e menjëhershme (ndërkohë që sot duhen disa ditë për transferta parash), por është gjithashtu e drejtpërdrejtë.

Në Afrikë, kjo po zbatohet aktualisht në disa shtete. BitPesa, platforma e pagesave online, lehtëson transfertën e parave me kosto shumë të vogël. Për më tepër, Bitcoin e bën më të lehtë për të gjithë hyrjen në sistemin financiar. Duke qenë se është një strukturë e decentralizuar, çdokush mund t’a përdorë atë. Aktualisht, shumica e transaksioneve financiare kryhet nga bankat ose institucionet e tjera të ngjashme. Blockchain e ndryshon këtë rrënjësisht. Ajo ka aftësinë e replikimit të funksioneve të bankave tregtare dhe investuese, ose firmave të menaxhimit të aseteve. Shumë organizata financiare vendosin të qëndrojnë larg vendeve të caktuara, për shkak të rregullave në vend, ose situatave të vështira politike, duke i lënë këto vende pa organizata të duhura financiare. Por, nëse bankat e respektuara braktisin ekonomitë në zhvillim, atëherë do të ketë një mungesë të konkurrencës bankare, duke shkaktuar rritjen dhe zhvillimin e tregut të zi dhe firmave financiare të pasigurta. Kjo nga ana tjetër, çon në paqëndrueshmëri në këto vende para kriminale dhe korrupsion.   

Përfshirja Financiare
Përmes sigurimit të përfshirjes financiare, Blockchain përpiqet të shmangë këtë, duke përmirësuar jetën e qytetarëve në këto vende. Prandaj bankat mund t’a përdorin këtë teknologji, për të hequr barrierat e hyrjes në tregjet në zhvillim, lehtësisht të lëvizin asetet në vende të ndryshme dhe të verifikojnë çdo transaksion të bërë. Kjo ndihmon në zvogëlimin e rreziqeve dhe pasigurive për ata dhe palët e tjera në këto ekonomi. Sektori privat mund të përfitojë gjithashtu, duke marrë mbështetjen financiare që i nevojitet dhe duke e bërë më të lehtë për ata të bëjnë transaksione me klientët dhe furnizuesit e huaj.

Për më tepër, sipas American Banker, teknologjia Blockchain automatizon lidhjen midis investitorëve dhe atyre që kërkojnë para. Kjo është në përgjithësi puna e firmave të kapitaleve, bankave të investimeve dhe institucioneve të tjera financiare që shërbejnë si ndërmjetës. Nëpërmjet Blockchain, kjo ndërlidhje është më transparente, e saktë dhe efikase, duke realizuar gjithashtu pagesën e kuponave dhe dividentëve.

Duke përdorur të njëjtën logjikë, aktivitete të tjera si kredidhënia, sigurimi, kontabiliteti dhe menaxhimi i riskut mund të kryhen përmes kësaj teknologjie. Institucionet financiare që shohin një mundësi atraktive në tregjet në zhvillim, duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht përdorimin e teknologjisë Blockchain, e cila do të rezultojë në zbutjen apo dhe eliminimin e rreziqeve kryesore, që vijnë nga këto vende.

Nga ana tjetër, vetë vendet duhet të fillojnë zbatimin e kësaj teknologjie, e cila mund të çojë në një rënie të ndjeshme të korrupsionit, në rritjen ekonomike dhe përparimin e mëtejshëm në fusha të tjera. Sidoqoftë, Blockchain është ende në fazat e hershme të zhvillimit, pak i njohur për shumë vende në zhvillim, një krahasim me internetin në fillimet e tij shumë të hershme. Si i tillë, ka të meta dhe rreziqe.

Lexo: Albchain – Blockchain Albania, platforma e shqiptarëve

Kostot dhe mangësitë potenciale

Pa dyshim, do të ketë kosto të larta në zbatimin e tij, të cilat do të jenë kryesisht financiare dhe organizative. Për disa kompani, mund të jetë një rrezik për të zbatuar këtë teknologji. Meqenëse është relativisht e re, ajo ka një të ardhme të pasigurtë. Potenciali është i madh, ashtu si për internetin dekada më parë. Nëse nuk ndodh kështu, do të jetë një humbje e madhe e kohës dhe e parave. Janë kostot e testimit të teknologjisë, por edhe trajnimi i njerëzve. Aktualisht, ekziston një kapital i kualifikuar njerëzor tepër i kufizuar. Së dyti, mund të ketë edhe shkelje të sigurisë. Në raportin e saj, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) saktësisht përmend sulmet kibernetike të 2016-ës në Distributed Autonomous Organization si rezultat i cenueshmërisë së kontratave të zgjuara. Shuma e vjedhur ishte me vlerë 50 milionë dollarë.

Siguria kibernetike është një çështje që duhet të trajtohet sa më parë. Teksa teknologjia bëhet më e sofistikuar, po ashtu bëhen edhe hajdutët virtuale dhe hackerët. Së fundi, duhet të trajtohet edhe çështja e rregullimit. Këto vende nuk kanë sisteme të qëndrueshme dhe të besueshme ligjore. Strukturat e tyre rregullatore lënë shumë për të dëshiruar. Si të tilla, lind pyetja se si ata do të rregullojnë këtë teknologji. Rregullimi është një subjekt i ndërlikuar edhe me sistemet aktuale në vendet e zhvilluara.

Përfundim
Blockchain, si pjesë e Revolucionit të Katërt Industrial, paraqet një ndryshim drastik në mënyrën se si e perceptojmë financën sot. Për ekonomitë në zhvillim, ajo do të revoluciononte gjithë mënyrën e tyre të jetesës. Natyrisht, ka nevojë për hulumtime më të hollësishme për të vlerësuar me saktësi përfitimet dhe pengesat e zbatimit të kësaj teknologjie. Vetëm koha do të tregojë nëse ajo është “një strukturë matematikore, pa ndërhyrje politike dhe gabime njerëzore”, apo një eksperiment teknologjik i mbivlerësuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0