Studentët amerikanë do të trajnojnë nxënësit shqiptarë - Business Magazine Albania

Studentët amerikanë do të trajnojnë nxënësit shqiptarë


Një grup të rinjsh shqiptarë që jetojnë në SHBA, janë vënë në krye të një iniciative që synon të sjellë në Shqipëri programin trevjeçar mbi shkencat kompjuterike dhe mentalitetin krijues. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me “Code.X”, një organizatë amerikane e universitetit Stanford.

Ori Hoxha, i cili ka studiuar bioteknologji, është përfaqësues i Alfa Plan, një Organizatë jo fitimprurëse e ndërtuar në Tiranë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tregon se organizata synon të krijojë një urë lidhëse mes diasporës shqiptare dhe Shqipërisë. Gjysma e organizatës është në Silicon Valley sipas tij dhe gjysma në Tiranë. Organizata përbëhet nga një grup të rinjsh të apasionuar për të dhënë diçka për kombin tonë.

“Ky është programi ynë i parë për të krijuar një urë lidhëse mes diasporës dhe Shqipërisë. Objektivi po vihet në jetë me organizatën jofitimprurëse amerikane Code.X, e cila para 5 vitesh është krijuar pranë universitetit Stanford dhe është shtrirë në nivel ndërkombëtar. Programi është trevjeçar me fokus në ciklin e mesëm dhe ka objektiv shkencat kompjuterike dhe menatalitetin krijues”.

Hoxha e cilëson si një program unik për vendin tonë, pasi konsiston në kurrikul të avancuar. “Studentë të Stanford do të vizitojnë Shqipërinë për të zhvilluar këtë program. Do të punojnë në mënyrë direkte me nxënësit pjesëmarrës, duke i ekspozuar ato tek praktikat më bashkëkohore në programim dhe në sipërmarrjen në tërësi. Kjo do të shtonte vlerë për vendin tonë, pasi fusha e teknologjisë është veçse në rritje”, thotë Ori Hoxha.

Programi nis në muajin Korrik. Procesi i aplikimit është hapur para një muaji dhe deri tani ka 100 aplikime për 30 studentë që do të bëhen pjesë e këtij programi.
Ai vlerëson se, “Në Shqipëri aplikimi i teknologjisë është ende në hapat e parë, por dëshira dhe vullneti janë aty. Ndaj menduam të implementojmë një program të tillë për të adresuar këtë dëshirë dhe këtë vullnet, për t’u mundësuar të rinjve të apasionuar rreth teknologjisë të njohin praktikat bashkëkohore të provuara për të qenë të suksesshme”.

Të gjithë pjestarët e Alfa Plan janë rritur në Shqipëri dhe kanë marrë bazat e formimit në Shqipëri. Ndaj çdonjëri ndien detyrim ndaj vendit, të kontribuojë me njohuritë e marra më tej jashtë. Ai tregon se startup-e si Softmogul dhe Gjirafa po e mbështesin këtë nismë, ndërsa mirëpret mbështetje nga organizata apo institucione të tjera.

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0