Për BusinessMag.al ajo tregon të gjitha hapat që ndoqi për të arritur këtë sukses e për të realizuar ëndrrat e saj. U largua nga Kosova kur ishte 16 vjeç, për të studiuar në shkollat e Britanisë, e tashmë prej 23 vitesh është vendosur në Londër, ku po pasuron karrierën e saj prej avokateje. Duke qenë se në atë kohë shkollat në Kosovë ishin mbyllur dhe mësimi zhvillohej nëpër shtëpi, vendosi të largohet për të studiuar drejtësi në Londër. Ajo ishte e vetmja studente në fakultetin juridik, e vlerësuar me notën më të lartë First Class. Ky ishte një sukses që i hapi rrugën në avokati.
Me pasionin e madh për letërsinë dhe me dëshirën e madhe për t’i shërbyer drejtësisë, vendosi të fokusohet tek e dyta. “Shteti britanik respekton të drejtat e popullit të tij dhe të gjithë të barabartë para ligjit”, – thotë ajo. Madje e thekson këtë frazë si nxitjen për të ushtruar profesionin e saj në Britani.
Aftësia e saj në avokati është vlerësuar nga qeveria shqiptare, e cila e ka vlerësuar në Samitin e Dytë të Diasporës si Ambasadore e Kombit dhe është përzgjedhur të jetë pjesë e Këshillit Koordinues për Diasporën.
“Më janë dhënë dy bursa nga dy institucione të njohura për kursin e specializimit dhe më vonë kam përfunduar trajnimin pranë një firme avokatie ndërkombëtare. Pas kësaj u liçensova”, thotë ajo.
Por përtej asaj që ajo njihet si avokatja e parë shqiptare e liçensuar më Britani, ajo ka themeluar edhe shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë. Kjo shoqatë është themeluar para 3 tre vitesh dhe ajo udhëheq bordin e përbërë nga shtatë avokatë.
Numri i avokatëve shqiptarë në Angli është në rritje e sipër, sipas saj. Kjo është pozitive për një vend që ka shumë emigrantë atje. Kjo ka sjellë kërkesa nga komuniteti atje për avokatë shqipfolës, e deri te kërkesat nga studentët për udhëzime dhe këshilla rreth avokatisë. Për këtë iniciativë ata janë ndihmuar edhe nga disa avokatët më me emër të Britanisë.
Cili është qëllimi i kësaj shoqate?
Sipas avokates Brikena Muarremi shoqata synon:
- Promovimin e bashkëpunimit mes avokatëve që punojnë në Angli, Kosovë dhe Shqipëri
- Avancimin e diturisë në fushën e drejtësisë
- Përkrahjen e gjeneratave të ardhshme të avokatëve
- Promovimin e sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi
E pyetur se çfarë do të dëshironte të ndryshonte në atdhe ajo shprehet se janë shumë gjëra, por “urgjentisht” do të fokusohej në dy pika kyçe, forcimi i sundimit të ligjit dhe lidhja më e fortë me diasporën shqiptare, me qëllim investimin në atdhe.
Çelësi i suksesit për Brikenën janë: vizioni i qartë, puna serioze, mosdorëzimi dhe besimi në vetvete.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.