Për të patur sukses në e-commerce nevojiten katër gjëra: përfitimi, produktet e kërkuara për t’u shitur, aftësitë për t’i marketuar ato dhe vullneti për të patur sukses.
Tregtia online po sfidon bizneset tradicionale, e në veçanti në Shqipëri.
Me një nisje jo më larg se 4 vite më parë, kemi një zhvillim masiv të këtyre bizneseve. Sot, disa prej tyre janë larguar nga tregu, ndërsa të tjera po motivohen nga një rritje e konsiderueshme. DyqanTaxi rriti 30% shitjet në 2018 pas partneritetit me Grupin Balfin.
Tregtia në fakt, po zhvillohet shumë përmes porosive online, si në rrjetet sociale: Instagram e Facebook, ashtu edhe në faqe web të regjistruara, të njohura ndryshe si e-commerce, që ofrojnë një shumllojshmëri produktesh.
Duke iu referuar platformave të e-commerce ju sjellim më poshte dinamikën, trendet, sfidat dhe ecurinë e këtij tregu të ri në Shqipëri.
Produktet më të shitura në faqet online janë veshjet, produktet për fëmijë, pajisjet e teknologjisë dhe më pak librat.
“Shqiptarët në përgjithësi mund t’i karakterizojmë si një popull ‘Early Adopter’ për sa u përket tendencave teknologjike. Megjithatë, janë të kujdesshëm dhe skeptikë përballë Eshop-eve, sepse ka shumë ‘tregtarë’ që nuk tregojnë respekt para klientit,” shprehet për BusinessMag Nick Bendo, përfaqësues i marketing në SAvenue.
Blerësi tipik i tregtisë online është një e punësuar në moshën 22-45 vjeç. Ashtu si në qendrat më të mëdha tregtare, apo në pazaret, femrat mbizotërojnë edhe në blerjet online. Vlera mesatare e produkteve me më shumë besueshmëri varion në 35-50 euro.
Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.
Refresh pas bashkimit me grupin më të madh të biznesit në vend
Intervistë me Valer Pindëri, Themelues i DyqanTaxi
Si ka qenë 2018 përsa u përket shitjeve?
Kemi pasur një evoluim të kompanisë në shumë aspekte. Më i rëndësishmi është kalimi i pronësisë tek grupi Balfin. Partneriteti me Balfin na ka siguruar ecurinë e vizionit të kompanisë, ajo e të qënit një prej 5 kompanive më të mëdha të shitjeve me pakicë në Shqipëri. Ndaj, gjatë 2018-ës kemi ngadalësuar ritmin me qëllim ristrukturimin dhe perfeksionimin e të gjitha proceseve të punës, për të mundësuar rritjen e planifikuar.
Megjithatë, kemi pasur rritje të shitjeve mbi 30%. Duhet të theksojmë se vitin e kaluar patëm një rritje drastike të cilësisë dhe gamës së produkteve që ofrojmë. Gjysmën e dytë të vitit, i gjithë fokusi ynë ishte të kalojmë nga produktet e lira që dominonin 2017, në produktet e markave dhe cilësive të mesme dhe të larta. Ky kalim nuk ka qenë i lehtë dhe ka pasur sfida. Por, tani që ia kemi dalë, ritmi i rritjes që presim është disa herë më i lartë nga ai aktuali.
Cilat janë produktet që kanë shënuar rekord në shitje?
Kemi patur rritje në kategori të ndryshme, ku tre janë ato që dominojnë. Librat, fëmijët dhe teknologjia. Përsa u përket librave dhe fëmijëve rritja ka qenë mbi 100%, por nuk mund të përmendim produkte konkrete, sepse rritja ka qenë në të gjithë gamën e kategorisë. Në teknologji, televizorët shënuan rritje të theksuar. Kalimi nga kanalet analoge në ato dixhitale ka rritur kërkesën për televizorë me marrës DVBT2 të inkorporuar. Kryesisht kemi shitur televizorë Fuego dhe Elektra 32 – 40”, ku partneriteti me distributorët na lejoi të jemi me çmime të njëjta ose më të lira krahasuar edhe me kompanitë. Për t’u theksuar është edhe kategoria e smartwatch, ku ulja e çmimeve të tyre në tregun ndërkombëtar ka bërë që të futet në përdorim masiv edhe në Shqipëri.
Çfarë raporti kanë shqiptarët me e-commerce? Si e gjykoni, a është i preferuar si shërbim?
Akoma nuk kanë raportin e duhur të shitjeve me e-commerce.
Ndërsa në Europë shumica e kategorive i kalojnë 10% të shitjeve online, ne aktualisht mund të kemi kapur vetëm kategorinë e librave me rreth 0.5% të shitjeve online dhe këtë e kemi arritur pothuajse të vetëm. Pjesa tjetër e kategorive është akoma shumë larg asaj krahasuar me Europën apo SHBA. Kjo është edhe arsyeja pse bashkë me grupin Balfin po investojmë në këtë sektor. Potenciali është i jashtëzakonshëm, por edhe sfidat gjithashtu.
Cilat kategori bëjnë më shumë blerje në e-shopin tuaj?
Jemi të fokusuar tek njerëzit që punojnë, mosha 20 – 40 vjeç. Shumëllojshmëria e produkteve tona ka bërë që të përfshijmë të dyja gjinitë pothuajse njësoj, ku meshkujt dominojnë pak. Ndërkohë, vihet re një rritje e ndjeshme e informacionit që marrin përpara përzgjedhjes së produktit.
Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.
ViaAnabel synon tregun europian
Intervistë me Vilma Bojaxhiu, përfaqësuese e Marketingut ViaAnabel.al
Si ka qenë ecuria e shitjeve në 2018? Sa janë rritur shitjet ndaj një viti më parë?
2018 shënoi plot 2 vjet në treg që nga shfaqja e parë online e faqes sonë të web, ViaAnabel.al. Viti që lamë pas rezultoi i suksesshëm për shitjet online dhe na tregoi se e-commerce dhe blerjet online funksionojnë dhe mund të bëhen burim i mirëfilltë të ardhurash dhe në Shqipëri. Konkretisht muaji Tetor i 2018-ës theu rekordin me shitjet pasi pati një rritje 60% më shumë se mesatarja e çdo muaji.
Numri i shitjeve gjatë vitit 2018, krahasuar me 2017-ën është thuajse trefishuar.
Cilat janë periudhat me më shumë shitje?
Muajt që rezultojnë me më shume artikuj të shitur janë Dhjetor-Janar, periudha e lavdishme e festave.
Po grupmoshat më të interesuara? Dhe cilat produkte kërkohen më shumë?
Blerësit potencialë janë 25 -34 vjeç dhe 90% e tyre janë të gjinisë femërore.
Shumica e porosive janë dërgesa në rrethe, Kosovë dhe në disa prej shteteve të Europës: Itali, Angli, Belgjikë, Austri, Norvegji dhe një pjesë më e vogël bëhen në SHBA dhe Kanada. Duke patur parasysh diversitetin dhe çmimet konkuruese të ViaAnabel krahasuar me tregun e huaj, në të ardhmen synojmë të rrisim numrin e blerjeve online në ViaAnabel.com nga klientë ndërkombëtarë.
Artikujt më të shitur bazuar në ecurinë e 2018 janë: çantat, këpucët dhe aksesorët. Përsa u përket markave, më të preferuarat në ViaAnabel.al janë: Louis Vuitton, Gucci, Burberry. Shqiptarët zgjedhin të investojnë në mënyrë të zgjuar dhe në faqen tonë gjejnë çantën e ëndrrave, sigurisht autentike dhe deri në 90% më pak se çmimi zyrtar.
Çfarë vështirësish keni hasur? Çfarë prisni nga 2019?
Në vitin e parë kur u prezantuam në treg terreni i shitjeve ishte i ashpër, duke qenë se shumica e rezervimeve/blerjeve bëheshin vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, instagram dhe facebook. Ka patur gjithmonë një punë të vazhueshme dhe të palodhur nga stafi ynë për edukimin dhe orientimin e klientëve drejt blerjeve direkte në faqen tonë të webit.
Në 2019, do të donim shumë që ViaAnabel të jetë platforma më e përdorur për shit-blerje të artikujve të luksit autentikë në gjithë Ballkanin, jo vetëm brenda kufijve tanë. Për të arritur këtë, po punojmë për të përmirësuar eksperiencën e klientëve në ViaAnabel.al. Këtë vit do të synojmë gjetjen dhe përdorimin e kanaleve më të reja të marketingut online në mënyrë që të gjithë të interesuarit të njohin ViaAnabel.
Gjejevete, gjithnjë në zhvillim
Flet Dalip Bali, CEO i Gjejevete
Jemi në kohën ku të gjithë duan të kenë një prezencë online dhe të gjithë duan të shesin online.
Shqipëria është ende në fazën e tentativave për e-commerce. Kemi faqe të reja që hapen çdo ditë dhe shumica mbeten vetëm faqe. Disa vetëpunësohen dhe shumë pak kthehen në biznese.
Gjejevete sapo ka hyrë në vitin e saj të tretë nga lançimi dhe jemi optimistë për vazhdimësinë. Investimi është afatgjatë në kohë për të ndërtuar platformën e-commerce më të kompletuar në Shqipëri.
Thelbi i platformës tonë është që të jemi ndërmjetësuesi, teknologjia që i mundësojmë shitësit një kanal ekstra, pse jo dhe parësor për të shitur produktet e veta. Kemi një ndryshim shumë të madh nga të gjithë ata që duan të bëjnë dyqanin online. Dyqani online është vetëpunësim. Ne nuk po vetëpunësohemi, përkundrazi, po ndërtojmë një model biznesi që i shërben një targeti të caktuar, të cilët nuk janë aq familjar me teknologjinë, marketingun online dhe nuk kanë pse të jenë. Prandaj jemi ne, për t’i ofruar mundësinë çdo subjekti që dëshiron të shesë online, duke ruajtur brand-in e vet me profilin në gjejevete. Tashmë mund të marrin edhe webfaqe falas me domainin e tyre, me produktet që ka në gjejevete.al. Risi teknike kjo e sjellë nga ne dhe që po aplikohet me partnerët tanë fillimisht, pastaj edhe për tregun e gjerë. (www.markethub.al)
Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.
Qasja që ofrojmë për blerjet online, është inovacion në çdo hallkë, që nga shitësi deri te blerësi fundor.
Viti 2018 ishte shumë i mirë për ne krahasuar me operatorët e tjerë të mëdhenj, pasi 2017 ishte viti ynë i parë, kur lançuam produktin dhe ishim të fokusuar për identifikimin e partnerëve.
Për të shitur, gjithmonë është periudha e duhur, nëse arrin të identifikosh nevojat e konsumatorit dhe sjell diçka të re.
“Niveli i shitjeve është i kënaqshëm dhe gama e produktve është e gjerë. Kemi mbi 35 mijë produkte. Shqiptarët përgjithësisht blejnë çfarë u ofron. Nuk është se mund t’i quaj blerës të zgjuar. Kjo lidhet me ekonominë e dobët dhe prirjet për të blerë vetëm atëherë kur ju duhet diçka”.
Gjejevetë ka nisur shitjet edhe me Kosovën. Z. Bali tregon se kompania është e fokusuar ende në tregun e brendshëm, pasi sheh hapësira të pashfrytëzuara.
“Tregu i shitjeve online në Shqipëri, përgjithësisht është i vështirë. Pyetja kryesore është: kujt po i shërben! Po i shërbejmë një tregu të vogël dhe të paedukuar dhe jo shumë të prirur për të përqafuar ndryshime,” thotë CEO i kësaj platforme.
Blerësi shqiptar skeptik dhe Early Adopter
2018 ishte viti i parë për e-shop-in SAvenue, me shitje më të larta se ç’pritej nga themeluesit.
Tek kjo platformë, produktet me shitjet më të larta janë fustanet. Edhe në këtë rast, shitjet më të mëdha janë për veshjet me vlerë 35€-50€.
Në lidhje me karakteristikat, “shqiptarët do i karakterizonim si një popull “Early Adopter”, për tendencat teknologjike. Kështu që e-commerce u përhap në Shqipëri me shpejtësi më të madhe se në shtetet e tjera. Megjithatë janë të kujdesshëm dhe skeptikë përball Eshop-eve, sepse ka shumë “tregtarë” që nuk tregojnë respekt para klientit” thotë Nick Bendo i Savenue.
Tek kjo platformë, kryesojnë klientet femra të moshës 27-45 vjeç, femra tipike që punon dhe mbulon shpenzimet e saj.
Movida
Movida ka pasur një rritje të lehtë të fluksit, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar niveli i shitjeve ka qenë pothuajse konstant.
Duke shtuar vazhdimisht kategori të reja, shitjet po zhvillohen më së shumti në kategori të ndryshme si celularë, aksesorë celularësh dhe kompjuterash dhe pajisje të vogla shtëpiake.
“Është në filozofinë e kompanisë që të kemi çmimet sa më të ulëta dhe konkurruese në treg,” sipas përfaqësuesit të Movida.
Ai thekson se, trendi i blerjeve online në Shqipëri është në rritje dhe si në vendet e BE dhe më gjerë edhe shqiptarët po preferojnë blerjet nëpërmjet internetit si një zgjidhje pa kosto kohe.
BalkMall, mbarë që në nisje
BalkMall është ende në vitin e parë të aktivitetit. Endri Dine, drejtues i kësaj platforme thotë se, “shitjet kanë patur rritje të vazhdueshme dhe i konsideroj të kënaqshme”.
Edhe pse një patformë e re arrin të realizojë dhjetëra shitje në ditë, ndërsa blerësit më të mëdhenj janë mes moshës 34-54 vjeç. Në këtë platformë, kryesojnë produktet shtëpiake dhe ato për fëmijë, pasi rreth 80% e ndjekësve janë të gjinisë femërore.
Me planin për t’u shtrirë edhe në Maqedoni (në Kosovë bëhen dërgesa) Endri thotë se, “vështirësia kryesore e hasur nga ne, por i bindur që çdo biznes i shitjeve online has çdo ditë, është ndërgjegjësimi dhe edukimi i konsumatorit shqiptar rreth blerjeve online.”
Cliche Shop, së fundi online
“Viti 2018, ka qenë një vit prove, pasi përvoja jonë në këtë fushë është fillestare” thonë përfaqësuesit e Cliche.
Në prag të festave dhe gjatë sezonit të uljeve vihet re rritje e shitjeve. Grupmoshat janë mbi 30 vjeç dhe kryesisht të gjinisë femërore.
Tregtarët e Cliche, theksojnë edhe sfidat e tyre. “Klientët i duan produktet gati. Na duhet shpesh herë të bëjmë shumë foto produktit, ose video që ata të binden para se ta blejnë. Kanë frikën e efekteve të ngjyrave ose si duket në të vërtetë produkti. Disa klientë, të cilët blejnë për herë të parë, kanë pasiguri nisur nga përvojat e mëparshme.”
Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 20 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 20 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.