Arta Shehu Zajmi, bashkëthemeluesja e Labbox dhe jCoders Academy, u mëson fëmijëve të vegjël bazat e kodimit dhe robotikës. Sot, ajo drejton pesë qendra në Kosovë me më shumë se 1.000 studentë.
Kompania e Rron Cenës, Formon, prodhon printera 3D desktop plug-and-play dhe i shet ato për vetëm 599 € (rreth NIS 2.400- monedha izraelite).
Platforma Akademia – e themeluar nga sipërmarrësi Besart Kunushevci – është një program software që përdor algoritme për të zbuluar plagjiaturën në letra akademike nëpër shumë gjuhë.
Këto tre startupe të suksesshme kanë një gjë të përbashkët: të gjitha e filluan veprimtarinë e tyre në Qendrën për Inovacionin e Kosovës (ICK) – një kompleks i teknologjisë së lartë .
Misioni i ICK: të krijojë vende pune dhe prosperitet biznesi në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe në sektorin e “energjisë së gjelbër” të Kosovës përmes inovacionit, sipërmarrjes dhe investimeve.
Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit në Kosovë në Prishtinë.
“Kosova me të vërtetë po bën përpjekje për të imituar Izraelin dhe të bëhet e para me nofkën “vendi i startupeve” në rajonin e Ballkanit”.
“Duke pasur parasysh potencialin e pashfrytëzuar të rinisë sonë, qendra jonë është bërë një shtëpi për shumë të rinj, të cilët e shohin atë si një mundësi për të zhvilluar idetë e tyre në biznese të qëndrueshme”, tha Uranik Begu, drejtor i ICK. “Në thelb, ata vijnë te ne me një ide, dhe ne u ofrojmë atyre shërbime dhe programe të përshtatshme për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë bizneset e tyre”.
ZagApps dhe ZombieSoup
E vendosur në një ndërtesë nëntëkatëshe në qendër të Prishtinës, ICK shpesh mirëpret vizita të huaja të tilla si ajo e një delegacioni të biznesit të SHBA, i cili kaloi katër ditë në Kosovë muajin e kaluar. Institucioni hapi dyert e saj në vitin 2012 me fonde fillestare nga qeveria norvegjeze.
Shtatë vjet më vonë, tani është një nga qendrat kryesore të startupeve kudo në Ballkan.
Shtabi i Prishtinës i Qendrës së Inovacionit në Kosovë.
Rreth 250 vetë punojnë në ICK. Rreth 40,000 morën pjesë në 360 evente të ICK-së – duke filluar nga hackathons dhe boot-capmps në konferenca dhe webinarë – vitin e kaluar dhe 70,000 njerëz kanë hyrë në ndërtesën nëntëkatëshe për një apo më shumë arsye. Mosha mesatare e vizitorëve: 23 vjeç.
ICK vepron në një buxhet vjetor prej rreth 400,000 € (NIS 1.6 milionë). Suedia është financuesi kryesor i saj, edhe pse ICK merr fonde edhe nga BE, ambasadat gjermane dhe amerikane në Prishtinë dhe nga Ministria e Inovacionit të Kosovës.
Qendra thotë se është përgjegjëse për zhvillimin dhe lançimin e më shumë se 400 produkteve dhe mbi 170 bizneseve të reja të regjistruara duke filluar nga ZagApps dhe Solaborate e deri në Gjirafa.com dhe ZombieSoup. Ka krijuar gjithashtu më shumë se 1,000 vende pune dhe ka fituar 30 çmime duke përfshirë NASA Space Apps Challenge. Komuniteti online i ICK-së përbëhet prej më shumë se 130.000 ndjekësve.
Por Kosova, e cila deklaroi në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, po vuan ekonomikisht. Shkalla e papunësisë tejkalon 30% dhe pavarësisht rritjes së GDP prej 4.5% këtë vit, është ende një nga vendet më të varfëra në Evropë, me pagë mesatare prej vetëm 200 euro në muaj, krahasuar me 2,000 euro në muaj për gjithë BE-në.
Zhvilluesi i softuerit të ri punon në Qendrën e Inovacionit në Kosovë në Prishtinë.
“Kosova ka popullsinë më të re në Europë, por rinia jonë ka mundësi të kufizuara për të jetuar këtu”, tha Begu për Times of Israel . Ata ose duhet të punojnë për dikë ose të krijojnë biznesin e tyre. Ne gjithashtu kemi njerëz që kërkojnë të plotësojnë edhe më shumë arsimimin e tyre formal me disa aftësi të TIK-ut “.
Statusi politik e mban Kosovën prapa
Begu, 42 vjeç, di se për çka po flet. Të kthehemi pas në vitin 1994, kur një 17-vjeçar gati për t’u detyruar me dhunë për të luftuar në Kroaci, u arratis në Shtetet e Bashkuara me një program shkëmbimi, duke studiuar në Bergen County, NJ dhe në Dallas, Texas.
Në prill 1999, serbët rrëmbyen nënën e tij, duke e liruar vetëm dy vjet më vonë. Pas mbarimit të luftës dhe aderimit të forcave të NATO-s, Begu u kthye në Prishtinë.
Megjithë vështirësitë ekonomike që rrjedhin nga statusi i pasigurt politik i Kosovës – serbët e konsiderojnë ende një provincë renegate që nuk ka të drejtë të pavarësohet – vendi ka parë rritje të mahnitshme në të ashtuquajturën ekonomi dixhitale. Edhe falë ICK-së, Kosova mburret me një lulëzim dhe skenar dinamik të startupeve të IT-së, si dhe një normë penetrimi prej 85% të internetit.
Objekte plastike të prodhuara nga Formon, një iniciativë lokale që prodhon printera 3D, të ekspozuar në Qendrën e Inovacionit në Kosovë në Prishtinë.
Begu tha se sektorët bujqësorë dhe industrialë të Kosovës nuk mund të konkurrojnë për shkak të pengesave jo-tarifore të imponuara nga Serbia, të cilat i vonojnë eksportet dhe rrisin çmimin e eksporteve të Kosovës.
“Sektori i vetëm që jep një balancë pozitive është shërbimi”, shpjegoi ai. “Ne mund të bëhemi Izraeli i i rajonit. Ne kemi partnerë të mirë në anën tonë”.
Admirimi i Begut për Izraelin nuk ka ndodhur rastësisht. Këtë vit, ai u ftua në një vizitë dy-ditore në shtetin hebre nga Kolegji i Inxhinierisë i Jeruzalemit. Ai gjithashtu u takua me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Izraelit (përgjegjës për Ballkanin) dhe i përshkroi ato si “shumë mikpritëse” dhe të hapura për bashkëpunimin dypalësh, pavarësisht mungesës së lidhjeve diplomatike.
“Izraeli do të ketë mungesë të programuesve në vitet që do të vijnë, përderisa kërkesa në treg rritet”, tha ai. “Ajo çka prodhon Izraeli është një nivel shumë i lartë i inxhinierisë. Por, ndonjëherë disa detyra si prototyping, zhvillimi i kodit dhe disa R & D mund të bëhen edhe nga njerëz si ne në Kosovë. Kjo është formula që ne jemi duke menduar ta aplikojmë për të çarë përpara përmes startupeve”.
Por pavarësisht të gjithave, ende mbesin sfida serioze për t’u tejkaluar.
Krerët e kompanive fillestare takohen me investitorë potencialë të SHBA-së në Qendrën e Inovacionit në Kosovë në Prishtinë.
Donjeta Sahatciu, drejtore ekzekutive e Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) tha se ndërsa Gjermania, Zvicra dhe Amerika e Veriut ofrojnë potencialin më të madh të eksportit, “kërkesat për viza, mungesa e kontakteve afariste në tregjet e synuara dhe gjetja e partnerit të duhur të biznesit janë pengesat kryesore”, në nxitjen e sektorit të sapoformuar të Kosovës, i cili në 2018 ka raportuar të ardhura prej 912,000 € (NIS 3,7 milion) – më shumë se dyfishi i të ardhurave në vitin 2017.
Driton Hapciu, CEO i firmës fillestare softuerike Cacttus, tha se të rinjtë nuk po largohen nga Kosova për shkak të pagave të ulëta. “Ata po largohen sepse nuk shohin përparim politikisht. Ata që po largohen nuk janë punonjësit me paga të ulëta, por ata me më të lartat. Dhe ata gjithmonë do të largohen, sepse ne kemi qëndruar të mbyllur në një kafaz për më shumë se 20 vjet”.
Konsulenti i marrëdhënieve me publikun në Nju Jork Ari Zoldan ishte njëri nga ekzekutivët në delegacionin e SHBA-së. Zoldan, i cili gjithashtu dha një leksion në ICK, u tha 200 ndërrmarrësve që erdhën për ta dëgjuar atë se ai dëshiron ta shohë Kosovën duke përparuar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.