Ish deputetja Mimoza Hajdarmataj ka ndërmarrë një nismë së fundi, duke ngritur një rrjet grash me potencial të cilat, mund të mbështesin gra të tjera në Shqipëri, përmes angazhimeve të tyre në fusha të ndryshme. E frymëzuar nga Kombet e Bashkuara për fuqimimin e gruas, Mimoza ka hapur së fundi Qendrën ” Gratë në Shërbim Publik”.
Lexoni më poshtë intervistën
Ke ndërmarrë një nismë prej disa muajsh që u kurorëzua së fundi me hapjen e Qendrës “Gratë në Shërbim Publik”. Pse po e bën këtë?
Shtysë kryesore për hapjen e kësaj qendre, si organizatë jofitimprurëse, jopolitike dhe e pavarur, u bë eksperienca e pasur që unë kam patur me realitetin e grave gjatë gjithë këtyre viteve. 23 vite nga përvoja ime profesionale si inxhiniere elektronike, 2 vite si deputete e Qarkut të Kukësit por edhe trajnimet nga organizmat ndërkombëtare të fokusuar në çeshtjet gjinore janë një inkurajim i mjaftueshëm për të vazhduar së qëndruari aktive dhe e dobishme për çështjen e të drejtave të grave dhe vajzave.
Shqipëria ecën përpara me nismat për promovimin e grave në politikë, në vendimmarrje të institucioneve, por është shumë mbrapa me punësimin e tyre, me vlerësimin financiar, me të ardhurat, me trajtimin në vendin e punës, me të drejtën e pronës, me qasjen në teknologji, dhe mbi të gjitha me respektimin e saj si gjini femërore dhe jo me inferioritet.
Unë i kam prekur, i kam ndier të gjitha këto histori të grave, veçanërisht në zonat e Veriut. Kam qenë madje shpesh e angazhuar në zgjidhjen e problemeve të këtij karakteri në mbështetje të të drejtave të grave. Këto çështje do të jenë axhenda e punës së Qendrës “Gratë në Shërbim Publik “.
Në rrjetet sociale të kemi parë tek pasuron një listë me gra potenciale. Në çfarë konsiston me saktë kjo nismë dhe sa ka arritur numri i grave dhe vajzave në këtë listë?
Nisma ” LISTA IME” mund të konsiderohet tashmë si një projekt ndër të tjera, brenda fokusit të punës dhe misionit të Qendrës ” Gratë në Shërbim Publik”.
Unë besoj fort se Shqipëria është e mbushur me gra dhe vajza të afta, kurajoze dhe plot ide. Ky nuk është aspak perceptim, por konkluzion i një eksperience të gjatë pune në terren, zyra, konferenca dhe shumë aktivitete nëpër Shqipëri madje edhe nëpër zonat më të thella rurale. Ato janë modeste dhe të tërhequra, nuk kanë protagonizëm.
Thjesht, shumica e grave dhe vajzave nuk kanë mundësi të provohen, të garojnë me kushte të drejta gare.
Pushteti politik ngre mjedise të pafavorshme madje armiqësore për këto gra. Sepse të aftat dhe ato me integritet i “prishin” punë korrupsionit të pushtetit, burokracisë dhe paaftësisë së administratës shpesh herë.
Kështu, Nisma ” LISTA IME u nis në formën e një thirrjes në rrjetet sociale: “Po sikur, secili prej nesh, të fillojë të hartojë një listë me emrat e vajzave dhe grave të mirë shkolluara, të kualifikuara, të edukuara dhe me integritet në komunitetin ku jetojmë, të cilat mund të jenë një aset për çdo forcë politike apo organizatë?”
Vetë fillova nga ” LISTA IME” me dy studente ekselence dhe tani pedagoge dhe kjo listë po vazhdon të pasurohet përditë. Në më pak se 3 muaj numri i tyre ka kaluar numrin 20, mendoni sa do bëhen në 1 vit e me radhë.
Përmes platformës së fb, online dhe shumë aktiviteteve në terren në qytete dhe fshatra do synojmë të promovojmë dhe të inkurajojmë këto gra, modele të suksesshme secila në fushën e vet. Por, ato duhet të jenë të pranishme në politikë dhe në çdo nivel vendimmarrje të shërbimit publik.
Ju keni udhëtuar e takuar gra në fshatra në rrethe të ndryshme. Çfarë kanë nevojë ato dhe si është gjendja e tyre ekonomike?
Kanë nevojë që të dëgjohen. Politikanët, deputetët, zyrtarët jo vetëm që nuk i takojnë ato, por nuk pranojnë as t’i njohin hallet dhe problemet e tyre.
Kanë probleme të mëdha, të paimagjinueshme madje me skamje, varfëri të thellë, sepse nuk ka punë, nuk ka subvecione nga shtetit ndaj bujqësisë, fermave, agrobiznesit, ku bazohet edhe ekonomia rurale.
Nuk ka asnjë strategji për të mbështetur gratë dhe vajzat në fshat.
Madje qindra gra në periferi të Tiranës janë po kaq në prapambetje dhe braktisje të thellë. Dhe është për të ardhur keq se ende gratë vuajnë nga një mentalitet pronësie nga burrat, meshkujt e familjes. Është trishtuese që Shqipëria e 2018 është ende Shqipëria e Migjenit.
Unë këmbëngul që vetëm shkollimi, dija do të ndryshojë realitetin e krizës. Sa më shumë gra të shkolluara, të edukuara, me shumë informacion për të drejtat që duhet të zotërojnë, aq më pak do kemi probleme me dhunën, me izolimin dhe me prapambetjen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.