Standard i ri televiziv me A2 e CNN, pritet ndikim në mediat vizive në Shqipëri

Standard i ri televiziv me A2 e CNN, pritet ndikim në mediat vizive në Shqipëri


Ende pa nisur punë, A2, stacioni më i ri informativ që do të nisë transmetimet brenda 2018, ka mbledhur rreth vetes zhurmën mediatike. Nën suportin e CNN, A2, partneri ekskluziv për Shqipërinë, pritet të kthehet në faktorin që do të ndryshojë kushtet e lojës në tregun mediatik vendas.

Edhe pse aktualisht numri i mediave që operojnë në treg është i lartë në krahasim me popullsinë, Gener 2 vlerësoi se është koha e duhur për t’i dhënë tregut një investim të madh në industrinë e medias, me bindjen se ky investim i qëndrueshëm do të ndryshojë realitetin mediatik shqiptar.

Në një intervistë për Business Magazine, Dorina Troka, Drejtore e Marketingut dhe Komunikimit pranë Gener 2, tregon se A2 ka potencialin të sjellë një stil të ri dhe unik të gazetarisë në Shqipëri duke qenë partner ekskluziv i CNN në vend dhe duke iu bashkuar rrjetit të mbi 1100 filialeve në të gjithë botën.

Ne kemi studiuar me kujdes tregun aktual dhe kemi parë oportunitete ku A2 do të dallohet dhe të ofrojë një cilësi të një niveli tjetër. Kërkimi që kemi bërë e tregon se shqiptarët kanë shumë interes rreth lajmeve dhe aty ka ende shumë hapësirë,” tha Troka.

Lidhur me mënyrën se si do të funksionojë ky televizion, nga Troka mësuam se mjeti më i rëndësishëm i A2 do të jetë qasja për t’u dhënë të gjitha palëve të përfshira zë të barabartë.

A2 do të jetë një stacion informativ që nënkupton se programet informative do të dominojnë programacionin dhe do të bazohen në konceptin e ndjekjes së lajmit, ku ngjarjet kryesore të ditës do të ndiqen dhe mbulohen në vazhdimësi nga raportime të drejtpërdrejta nga vendngjarja. A2 do të jetë gjithashtu një hapësirë për të intervistuar ata që bëjnë lajmin. Të ftuarit do të jenë faktorët kyç të ngjarjes që do të intervistohen në thellësi.

Por A2, përveç programeve informative, do të mbulojë të gjithë spektrin e jetës së Shqipërisë, rajonit dhe botës. Nga pikpamja informative, A2, do të mbulojë temat e biznesit, kulturës, sportit, argëtimit si dhe reportazhe mbi tema si udhëtimet apo jeta e përditshme.

“Në treg ka ende hapësirë për të sjellë lajmet dhe politikën në një mënyrë ndryshe, direkte, në thellësi dhe më të lidhur me audiencën. Ky do të jetë prioriteti i A2. Segmente nga jeta e përditshme do të jenë të rëndësishme në programet e A2, veçanërisht biznesi, ekonomia, fuqizimi dhe mbështetja e sipërmarrësve si dhe sjellja e teknologjisë së fundit në treg. Një prej fushave kyçe të CNN-it, jo-politike dhe me rritje të shpejtë të mbulimit, është fusha e teknologjisë. A2 do të sjellë lajme dhe programe teknologjike.”

Zyrat qendrore të A2 do të jenë në Tiranë, ku do të gjenden dhe studio televizive si dhe çdo lehtësi e mundshme për prodhimin e përmbajtjeve informative në formatet më kryesore.

Pjesa më e madhe e përmbajtjes do të përbëhet nga prodhimet e skuadrës së lajmeve, të cilat do të realizohen në gjuhën shqipe.

Pavarësisht se fokusi kryesor do të jetë tek lajmet nga vendi, A2, partneri ekskluzivi CNN, do të sjellë dhe një mbulim të ngjarjeve kryesore nga rajoni dhe bota. Falë burimeve nga CNN, A2 do të pozicionohet për të sjellë një stil unik të raportimit nga ngjarjet globale në tregun shqiptar.

Troka tregon se aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit të identitetit të televizionit bazuar në standardet dhe guidën e markës CNN. Gjithashtu nën udhëzimet e CNN do të zhvillohet dhe procesi i rekrutimit të stafit vendas. “Në bashkëpunim të ngushtë me CNN dhe konsulentët tanë, aktualisht jemi duke finalizuar kërkesat për çdo element të strukturës organizative. I gjithë procesi do të zhvillohet nën mbikqyrjen e të gjitha palëve të përfshira.

Gener2 është optimiste në përmbushjen e të gjitha angazhimeve të ndërmarra dhe A2 do të nisë transmetimet direkte në fund të vitit 2018.

Rreth Gener 2:

Gener2 është një nga kompanitë më të mëdha private të ndërtimit në Shqipëri.

Aktiviteti i Gener2 është i shtrirë në industri të tilla si: ndërtim, infrastrukturë dhe ndërtim rrugësh, menaxhim projektesh inxhinierike, energji dhe telekomunikacion, menaxhim pronash dhe shitje.

Në 20 vitet e fundit, Gener2, ka lënë gjurmë në tregun shqiptar dhe atë rajonal, duke zhvilluar një profil dinamik dhe standard biznesi. Gener2 ka çuar përpara dhe zbatuar projekte strategjike duke kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Rreth CNN:

CNN International Commercial (CNNIC) është divizioni i Turner International, përgjegjës për veprimet e biznesit të pronësive të CNN jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha aktivitetet tregtare për marka si CNN International, CNN enEspanol, CNN Arabic, CNN Style, CNNMoney dhe Great Big Story janë në një linjë Brenda divizionit. Kjo përfshin dhe shitjet e reklamave, sponsorizimet, zhvillimin e përmbajtjeve tregtare, shitjen e përmbajtjeve, licensimin e markave, shpërndarjen dhe operacionet që kryhen jashtë, zhvillimin e biznesit dhe marketimin për ofruesit botëror e lider të informacionit.

CNNIC është një lider i njohur në industrinë ndërkombëtare të reklamave dhe përdorimin e përmbajtjeve komerciale që janë vlerësuar me çmime prestigjioze, prodhuar përmes njësisë së saj të krijimit. Ato janë nxitur edhe nga përdorimi i avancuar i të dhënave e risive dixhitale, të cilat kanë rezultuar në partneritet e të forta dhe të qëndrueshme me shumë marka të njohura në botë.

Njësia e Shitjes së Përmbajtjes dhe Liçencimit ka marrëdhënie me më shumë se 1,000 bashkëpunëtorë në të gjithë botën, duke filluar nga liçencimi i markës CNN, nga kontratat mbi përmbajtjen, si dhe nga ofrimi i shërbimeve të konsulencës. CNNIC ka zyra në të gjithë botën, me seli qendrore në Londër, Hong Kong dhe Miami.

 

Për më shumë informacion vizitoni faqen: http://commercial.cnn.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0