Cilët janë sipërmarrësit që kanë vendosur t’i bashkohen politikës? - Business Magazine Albania

Cilët janë sipërmarrësit që kanë vendosur t’i bashkohen politikës?


Cilët janë sipërmarrësit që kanë vendosur t’i bashkohen politikës, duke u renditur në listën e deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe arsyet që i nxitën të bëjnë këtë kthesë të madhe në karrierën e tyre?

Cilat janë risitë që ata do të sjellin dhe a kanë frikë se do të zhgënjehen nga politika?

sipërmarrësitKanë kapur majat e biznesit, pa u ndihmuar aspak nga politika. Kanë mësuar të mbijetojnë e të rriten mes vështirësive dhe të përdorin nuhatjen atje ku u mungonin njohuritë apo informacioni dhe të jenë të parët që vrapojnë për të kapur risitë. Kjo i ka bërë më të fortë, të orientuar nga prakticiteti, shmangia e burokracive, zgjidhja e problemeve dhe më rezistentë ndaj të papriturave dhe rreziqeve, teksa në duart e tyre kanë qarkulluar me miliona.

Këtë përvojë, disa sipërmarrës duan ta sjellin edhe në politikë, duke tentuar të ndryshojnë mentalitetin se si politikanët kanë vepruar në 25 vitet e fundit, për ta sjellë politikën më afër realitetit dhe biznesit.
Vullnet Sinaj, ideatori i rrjetit të supermarketeve Big Market; Ilir Ndraxhi, aksioner i kompanisë së plehrave kimike I.A.M janë në listën e deputetëve të Partisë Socialiste.

Në listën e Partisë Demokratike, këtë vit, si hyrje të reja janë Agron Shehaj, administratori i kompanisë call center Intercom Data Service; Flamur Hoxha, sipërmarrës në industrinë tekstile. Agron Duka, sipërmarrës prej vitesh dhe Fuad Haxhiymeri, sipërmarrës në kompaninë e përpunimit të miellit Bloja dhe aksioner në Bankën Credins janë në listën e Partisë Demokratike, në kuadrin e aleancës me Partinë Agrare Ambientaliste.

Sipërmarrësit shprehen me idealizëm për kontributin që ata do të kenë në jetën politike të vendit dhe janë të bindur se nuk do të zhgënjehen, edhe pse mënyra si ka funksionuar politika në këto 25 vjet ka treguar se ka pak vend për idealistë. Përkundrazi, ata shpresojnë se do të arrijnë ta përmbysin këtë mentalitet dhe të sjellin në Kuvend një filozofi ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani.

“Biznesmenët e suksesshëm janë njerëz me ide. Po kështu, ata kanë ide për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndryshimin e situatës, për të luftuar burokracinë e korrupsionin”, thotë Vullnet Sinaj.
“Biznesi flet me fakte dhe shifra; jo me fjalë dhe slogane. Politika vepron me fasadën, biznesi me punën e kryer dhe faktin e thjeshtë”, pohon Agron Shehaj.

Agron Duka, i cili ka edhe më parë përvojë në institucionet shtetërore, tregon se “kur kam qenë ministër, me formim biznesmeni, jam përpjekur që në qeveri e Parlament të punoj për të harmonizuar platformën qeveritare dhe interesat e biznesit, për të mirën e zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Këtë qasje pritet të kenë sipërmarrësit e suksesshëm në politikë”.

PARTIA SOCIALISTE

1. Vullnet Sinaj: Politika duhet të mësojë prakticizmin nga biznesi.

Shqipëria ka nevojë sot për ide racionale për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimit.

2. Ilir Ndraxhi: Në politikë, për të kontribuar për sektorin e bujqësisë.

Vendimmarrja në këtë drejtim ka qenë shumë larg realitetit në të cilin zhvillimet në bujqësi kanë kaluar gjithë këto vite.

3. Keti Bazhdari: Në politikë, por jo deputetë.

Biznesmenët me qëllim të pastra i bëjnë mirë politikës.

PARTIA DEMOKRATIKE

1. Agron Shehaj: Rregulla të qarta loje, sundim i ligjit dhe jo i pushtetarit.

Dua të futem si biznesmen (i suksesshëm) dhe të veproj në politikë pa u bërë, domosdoshmërisht, politikan.

2. Flamur Hoxha: Shqipëria ka njerëz që e duan më shumë sesa e urrejnë.

Që të gjithë ne presim që gjërat t’i rregullojnë njerëz që vijnë nga qielli dhe vetëm ankohemi.

3. Agron Duka: Njerëzit e ardhur nga biznesi janë një vlerë e shtuar për politikën.

Ata ndoshta do të shërbejnë për të depolitizuar debatin, për ta përqendruar atë te politikat reale dhe programet zhvillimore dhe jo te betejat boshe që zhvillohen në Parlament apo nëpër debatet televizive.

4. Fuad Haxhiymeri: Përvoja ime 27-vjeçare në biznes i vlen politikës.

Politika shpesh është treguar egoiste dhe jo e vëmendshme me atë pjesë vitale të ekonomisë, bizneset, që sigurojnë punësim dhe të ardhura edhe për pjesën tjetër të popullatës.

burimi: monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0