Beqiri: Interes në rritje për të investuar në Shqipëri - Business Magazine Albania

Beqiri: Interes në rritje për të investuar në Shqipëri


Në një intervistë të dhënë për gazetën “Albanian Free Press”, Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, z. Genti Beqiri ka theksuar se interesi i të huajve që duan të investojnë në Shqipëri është në rritje. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, gjatë vitit 2016 janë regjistuar rreth 1323 kompani të huaja që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe origjinën e investimit e kanë nga Italia, Turqia etj.

Gjithashtu, të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, dëshmojnë trendin pozitiv rritës të fluksit të investimeve të huaja direkte (IHD) në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Kështu, flukset e IHD-ve u rritën nga 869 milionë euro në vitin 2014, në 890 në vitin 2015, duke arritur rekordin historik prej 983 milionë euro në vitin 2016.

Sipas z. Beqiri, Shqipëria ka tejkaluar edhe vendet e tjera të rajonit në tërheqjen e IHD-ve, duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë. Në krahasim me Maqedoninë, fluksi i IHD-ve për periudhën 2013-2015 ishte pothuajse 5 herë më i madh në terma absolut, duke e sjellë Shqipërinë më afër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, lidhur me stokun e investimeve të huaja direkte (investimet e akumuluara hyrëse).

Në këtë intervistë, përmenden edhe përmirësimet që vendi ynë ka pasur në një sërë raportesh ndërkombëtare. Kështu, në renditjen e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2017”, vendi ynë është ngjitur me 32 pozicione, duke u renditur në vend të 58-të nga 190 vende, krahasuar me vendin e 90-të që zinte një vit më parë. Kjo është dhe renditja më e mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, që prej vitit 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Gjithashtu, Fondacioni “Heritage” në raportin e “Indeksit të Lirisë Ekonomike” për vitin 2016, e rendit vendin tonë në pozicion shumë të favorshëm në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Të gjithë këto arritje janë rezultat i reformave të vazhdueshme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe po ndërmerr me qëllim sigurimin e një mjedisi sa më të favorshëm për investitorët e huaj. Një ndër më të rëndësishmit, hartimi i “Ligjit për Investimet Strategjike” siguron garanci maksimale ligjore për investitorët e huaj, por edhe vendas, si edhe proçedura të përshpejtuara nëpërmjet agjencisë AIDA, e cila është një dritare unike në shërbim të investitorëve” – thotë Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s në intervistën për “AFP”.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka trajtuar vetëm gjatë vitit 2015 rreth 400 kërkesa për investim, nga investitorë italianë, gjermanë, turq etj. Interes në rritje kanë shfaqur edhe kompanitë kineze, sidomos gjatë viteve të fundit. AIDA është pjesë e mekanizimit të kontakteve për Agjencitë e Promovimit të Investimeve Kinë – CEEC, i krijuar në kuadër të nismës për bashkëpunim ekonomik 16+1 mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.

Burimi: AIDA

Intervistë nga Eglantina Nasi për Albanian Free Press 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0