Kjo është periudha e vitit kur bëhet bilanci i sukseseve dhe dështimeve teknologjike të vitit dhe hidhet një sy nga e ardhmja për të parë çfarë na sjell viti tjetër. Gjithsesi ne duhet të rikujtojmë dhe arritjet e mëparshme që na sollën këtu. Para 25 vjetëve faqja e parë e internetit u hodh në rrjet.
Në 20 dhjetor 1990 shkencëtari britanik Sir Tim Berners-Lee hodhi në rrjet faqen e parë online nëpërmjet NeXT computer në CERN. Ky akt është një pikë kyçe në historinë e teknologjisë njerëzore.
Ka një ndryshim midis internetit dhe WWW-së. Interneti është një rrjet i madh kompjuterash të lidhur me njëri-tjetrin. World Wide Web ose WWW është një përmbledhje e gjithë faqeve web që janë pjesë e këtij rrjeti kompjuterash.
Në shtator të vitit 2014, një studim i bërë nga NetCraft nxorri në përfundim se interneti ka më shumë së 1 miliard faqe web dhe në vitin 2020 analistët parashikojnë se do të ketë 50 miliard pajisje të lidhura në internet.
Asnjeri nuk e mendonte se si një ide mund të ndryshonte stilin tonë të të jetuarit. Kjo teknologji po ndryshon mënyrën e të bërit politikë dhe biznes. Vetëm 25 vjet më parë ne nuk dinim çfarë ishtë media sociale, blogjet apo e-mail. Interneti lejon miliarda pajisje dhe njerëz të ndërveprojnë me njëri-tjetrin duke shpërndarë informacion në një formë krejt të ndryshme krahasuar me vitet para 90’.
Mjafton të hidhni një vështrim këto ditë festash se si familja juaj përdor tabletat, telefonët , kompjuterat personalë, apo laptopët për të hyrë në botën e internetit. Imagjinoni sikur Sir Tim Berners mos e kishte bërë këtë shpikje të www-së , si do të ishte jeta jonë.
Për të ndërtuar të ardhmen ne duhet të kuptojmë të shkuarën. A jeni dakort se teknologjia e ka përmirësuar jetën tonë këto 25 vjet? Ne po mendojmë për momentin për shpikjet e reja të vitit 2016, por a mund të imagjinoni ku mund të na çojë interneti deri në vitin 2040.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



