Teksa Banka e Shqipërisë, që prej shtatorit të vitit 2011 po ndjek një politikë lehtësuese monetare (uljen e kostos së parasë), duke e reduktuar normën bazë nga 5.25% në 1.75% aktualisht, kjo nuk ka dhënë efekt në zgjerimin e kredisë. Në tetor të këtij viti, me bazë vjetore, huadhënia për ekonominë është tkurrur me 1.7%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Ulja 14 herë e normës bazë të interesit (instrumenti konvencional përmes së cilit Banka e Shqipërisë ndikon indirekt tregjet financiare) gjatë 5 viteve të fundit, ka ndikuar më shumë në largimin e kursimeve me afat nga bankat sesa në nxitjen e kreditimit, ndërsa rënia e interesave mesatare të kredisë në lekë nga 11% në shtator 2011 në 8% aktualisht nuk ka dhënë efektet e pritura në kredidhënie. (për të njëjtën periudhë interesat e depozitave janë ulur me ritme më të larta, nga 5.4% në 1.34%, duke dekurajuar kursimet).
Gjithsesi, për të nxitur huadhënien, Banka e Shqipërisë po mendon të shkojë përtej politikave konvencionale, duke kaluar tek lehtësimi sasior, që synon stimulimin e kreditimit të një segmenti të caktuar, duke krijuar një linjë financimi. Ideja është të krijohet një linjë kreditimi afatgjatë, që bankat ta përdorin vetëm për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME).
Përmes kësaj linje synohet të jepet likuiditet me kosto të ulët vetëm për një segment, që nga këndvështrimi i përfitimeve ekonomike mund të quhet i konsiderueshëm.
Mesohet se plani është ende në fazat e para dhe sapo është krijuar një grup pune, megjithëse ka pengesa të shumtë të natyrës ligjore dhe paqartësi për modelin që do të ndiqet, psh a do të ketë një ndarje të rrezikut, si dhe cili do të jetë reagimi I FMN-së. Në fund të tremujorit të parë 2016 mund të dilet me një plan konkret. Po shqyrtohen disa modele, dhe më I përshtatshëm është parë ai i Hungarisë.
Modeli hungarez
Banka Qendrore e Hungarisë (MNB) filloi politikën lehtësuese monetare në gusht 2012 dhe që atëhere e ka ulur normën bazë në total me 565 pikë bazë gjatë tre viteve, duke e zbritur në 1.35%. Përveç uljes graduale të normës së interesit, MNB ka zbatuar gjithashtu mjete jo konvencionale për të adresuar vështirësitë e transmetimit të politikës monetare, të shkaktuara nga kriza, në mënyrë që të nxiste rritjen ekonomike. Në prill 2013, banka qendrore prezantoi Skemën e Fondit të Rritjes (FSG) në mënyrë që të lehtësonte huadhënien për bizneset e vogla e të mesme dhe të nxiste rritjen më të shpejtë ekonomike. Programi ia doli të ngadalësonte rënien e kredisë për korporata dhe krijoi kushte kreditimi që përmirësuan oreksin e kompanive për investime, duke përmirësuar në këtë mënyrë mekanizimin e transmetimit të politikës monetare. Në shkurt 2015 u prezantuar programi FGS+, një skemë e ngjashme me të parën, por e pavarur nga ajo.
A do të funksionojë?!
Por, sa do të funksionojë ky plan lehtësimi sasior në Shqipëri. Edhe aktualisht, bankat, ndonëse janë të tejmbushura me likuiditet, në mungesë të kreditimit të ekonomisë dhe investimit në letra me vlerë të qeverisë, po preferojnë të vendosin paratë në institucionet jashtë vendit, edhe pse me interesa ndëshkuese.
Përveç normave të interesit, faktorë të tjerë po ndikojnë në financimin e bizneseve e kosnumatorëve, si kërkesa e dobët për investime në ekonomi dhe kujdesi i shtuar të bankave në kredidhënie, teksa huatë me probleme nuk po arrijnë të zbresin nën 20%. Këtyre u shtohen dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike, pasiguria dhe stepja e bizneseve për të investuar, elementë që vështirë se “rregullohen” nga politikat e bankës qendrore, qofshin këto konvencionale apo jo konvencionale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.