Prodhuesit europianë të kimikateve po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të nisë një hetim ndaj kompanisë kineze LB Group, e cila synon të blejë një fabrikë në Mbretërinë e Bashkuar për të eksportuar drejt tregut të BE-së, sipas burimeve. Sektori druhet se kjo lëvizje mund të përdoret për të anashkaluar tarifat antidumping.
Një koalicion prodhuesish të dioksidit të titanit, një kimikat strategjik i përdorur në energjinë e gjelbër dhe industrinë ajrore ka paraqitur një ankesë në Komision, duke akuzuar për subvencione të padrejta të huaja ndaj LB Group, e cila kërkon të blejë një fabrikë të rivalit britanik Venator.
Ky zhvillim vjen pasi Komisioni Europian vendosi në janar 2025 tarifa antidumping ndaj LB Group, si masë mbrojtëse kundër importeve me çmime të ulëta në tregun europian.
Blerja e një fabrike në Britani do t’i lejonte kompanisë kineze të eksportonte produkte drejt BE-së pa tarifa, në bazë të marrëveshjes tregtare BE–MB, duke anashkaluar kështu masat ekzistuese.
Sektori kimik europian ndodhet nën presion të fortë nga konkurrenca në rritje e rivalëve kinezë, të cilët po mbushin tregun me kapacitete të tepërta.
Aleanca që qëndron pas ankesës përfshin kompani që prodhojnë në BE si Tronox dhe Kronos (me bazë në SHBA), si dhe Precheza dhe Cinkarna, të cilat së bashku përfaqësojnë rreth 90% të prodhimit të dioksidit të titanit në BE.
Lexo gjithashtu: Mailchimp/ Nga një agjenci e vogël… në një biznes prej 21 miliardë dollarësh!
Burime bëjnë të ditur se ankesa është dorëzuar në dhjetor 2025, duke i kërkuar Komisionit të hetojë nëse LB Group ka përfituar subvencione shtetërore të padrejta për të financuar blerjen e fabrikës së Venator.
Rregullorja e BE-së për Subvencionet e Huaja, e miratuar në vitin 2022, i jep Komisionit kompetencën të hetojë kompani jashtë BE-së për të vlerësuar nëse përfitojnë nga subvencione që shtrembërojnë konkurrencën, veçanërisht në rastet e blerjeve apo prokurimeve publike.
Megjithatë, ky instrument nuk është aplikuar ende jashtë territorit të BE-së. Nëse Komisioni vendos të hapë një hetim, kjo do të krijonte një precedent të rëndësishëm dhe do të dërgonte një sinjal të fortë në nivel global.
Fabrika që synon të blejë LB Group ndodhet në Greatham, në verilindje të Anglisë, dhe aktualisht marrëveshja po shqyrtohet nga autoriteti britanik i konkurrencës, i cili pritet të marrë një vendim në maj.
Ky zhvillim vjen në një moment kur industria kimike europiane po humbet terren. Sipas Cefic, BE ka humbur rreth 9% të kapacitetit të saj prodhues që nga viti 2022, duke çuar në humbjen e rreth 20,000 vendeve të punës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto