Lufta në Ukrainë ka treguar qartë se teknologjia e dronëve zhvillohet më shpejt sesa qeveritë arrijnë t’i blejnë dhe t’i adoptojnë ato. Pyetja që po shtrohet gjithnjë e më fort në Evropë është: a mund të mbahen ritmet e mbrojtjes në një garë kaq dinamike teknologjike?
Para pushtimit rus, ushtritë evropiane nuk operonin me më shumë se 2,000 dronë në total. Sot, të dyja palët në konflikt konsumojnë deri në 7 milionë njësi në vit. Dronët, nga pajisje të specializuara, janë shndërruar në shtyllë qendrore të luftës moderne, duke detyruar Evropën të përshpejtojë ndjeshëm procesin e saj të modernizimit ushtarak.
Rritja është e jashtëzakonshme edhe në prodhim. Ukraina ka dyfishuar kapacitetin, nga 2.2 milionë dronë në vitin 2024 në 4.5 milionë në 2025. Por problemi nuk është vetëm sasia, është ritmi i vjetërsimit teknologjik.
“Dronët evoluojnë çdo tre deri në gjashtë muaj,” thotë Nikolaus Lang nga BCG. “Është sfiduese të blesh miliona dronë që do të jenë të vjetëruar brenda 12 muajve.” Kjo krijon një paradoks në prokurimet ushtarake: kur kontratat finalizohen, teknologjia mund të jetë tashmë e tejkaluar.
Vende si Finlanda po e ndjejnë drejtpërdrejt këtë dinamikë, ku sistemet e komunikimit, navigimit dhe anti-bllokimit elektronik po humbasin shpejt efikasitetin strategjik. Ukraina është kthyer në laboratorin më ekstrem të kësaj gare, duke shkurtuar ciklet e zhvillimit nga muaj në javë dhe duke integruar feedback-un e fushëbetejës në kohë reale.
Kjo ka krijuar një cikël të vazhdueshëm “goditje–përshtatje”. Nëse në vitin 2024 dronët me fibër-optikë konsideroheshin risi, në 2025 prodhimi rus i një modeli të vetëm ka arritur mijëra njësi në muaj. Ritmi i ndryshimit është aq i shpejtë sa mekanizmat tradicionalë të blerjes në Evropë nuk arrijnë ta ndjekin.
Lexo edhe: Samiti i Diasporës, mes fjalëve të mëdha dhe nevojës për rezultate konkrete!
Hendeku i shfrytëzimit teknologjik
Evropa mbetet e fortë në kërkim shkencor dhe prodhim dijesh në fusha si AI, kuantika dhe telekomunikacioni. Por sfida qëndron në shndërrimin e këtyre zbulimeve në sisteme operacionale ushtarake.
“Evropa është në botën e eksplorimit, SHBA në botën e shfrytëzimit,” thekson Lang. Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 70 miliardë dollarë në kapital venture për mbrojtjen gjatë dekadës së fundit, ndërsa Evropa vetëm rreth 7 miliardë. Diferenca financiare përkthehet drejtpërdrejt në diferencë kapacitetesh.
Pentagoni ka prezantuar prototipe dronësh të zhvilluara me komponentë të gatshëm në treg, me cikël zhvillimi mesatar 18 muaj, ndërsa në Evropë ky proces shpesh zgjat deri në 6 vite. Problemi thellohet nga fragmentimi i tregut: SHBA operon si një treg i vetëm prej mbi 900 miliardë dollarësh, ndërsa Evropa ka buxhete të ndara kombëtare që arrijnë në total rreth 450 miliardë dollarë.
Sot, rreth 80% e prokurimeve evropiane mbeten kombëtare, ndërsa 90% e kërkim-zhvillimit financohet po ashtu në nivel shtetëror. Kjo krijon mbivendosje, fragmentim dhe mungesë shkalle industriale.
Një tjetër sfidë lidhet me varësinë nga zinxhirët globalë të furnizimit, përfshirë komponentë kinezë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e NATO-s.
Një rrugë 5–10 vjeçare
Ekspertët vlerësojnë se ndërtimi i një arkitekture sovrane evropiane të teknologjisë së mbrojtjes është i mundur, por kërkon kohë. Sipas Nikolaus Lang, ky proces mund të zgjasë “5 deri në 10 vjet”.
NATO tashmë po krijon qendra inovacioni për dronët dhe programe të përbashkëta për taktikat e swarm-it, inteligjencën artificiale dhe komunikimet rezistente.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet ritmi: kalimi nga një model “kohë paqeje” në një model “kohë lufte” në inovacion dhe prokurim.
“Ukraina po inovon me ritëm lufte,” paralajmëron Lang. “Evropa ende me ritëm paqeje.” Dhe ky disbalancë, sipas ekspertëve, mund të përcaktojë sigurinë e kontinentit në dekadën e ardhshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto