Wizz Air, një nga linjat ajrore më të mëdha në Europë ndër linjat me kosto ultra të ulët, ka kënaqësinë të njoftojë partneritetin e saj me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) si Linja Ajrore Zyrtare e FSHF-së, së bashku me një ofertë promocionale të veçantë për pasagjerët shqiptarë.
Ky bashkëpunim forcon më tej investimin afatgjatë të Wizz Air në tregun shqiptar, duke shkuar përtej aviacionit dhe duke mbështetur krenarinë kombëtare, zhvillimin e sportit dhe angazhimin në komunitet. Përmes këtij partneriteti, Wizz Air synon të qëndrojë pranë tifozëve shqiptarë dhe të kontribuojë në rritjen dhe promovimin e futbollit në vend. Ndërsa Shqipëria vijon të forcojë praninë e saj në skenën ndërkombëtare të futbollit, ky partneritet pasqyron një ambicie të përbashkët mes Wizz Air dhe FSHF-së për të frymëzuar, lidhur dhe bashkuar njerëzit përmes sportit. Me këtë marrëveshje, linja ajrore bëhet sponsor dhe partner zyrtar udhëtimi i FSHF-së.
Silvia Mosquera, Drejtoreshë Komerciale në Wizz Air, u shpreh: “Shqipëria është një nga tregjet më të rëndësishme për Wizz Air dhe jemi krenarë të forcojmë lidhjen tonë me vendin përmes këtij partneriteti me Federatën Shqiptare të Futbollit. Futbolli ka një fuqi unike për të bashkuar njerëzit, ashtu si edhe udhëtimi, dhe jemi të entuziazmuar të mbështesim ekipin kombëtar dhe tifozët e tij në rrugëtimin përpara.”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shtoi: “Gjatë viteve të fundit, një numër gjithnjë e në rritje kompanish të mëdha dhe të suksesshme, si Wizz Air, kanë zgjedhur të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi dhe kjo nuk është rastësi, por rezultat i një pune të qëndrueshme, profesionalizmit dhe vizionit afatgjatë që kemi ndërtuar ndër vite. Prania e tyre përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për drejtimin që po merr futbolli shqiptar, si dhe një dëshmi konkrete të besimit të tyre në potencialin dhe të ardhmen e tij si një platformë e besueshme bashkëpunimi.”
Për të festuar këtë partneritet dhe për t’i afruar tifozët edhe më shumë me emocionet e lojës, Wizz Air po prezanton gjithashtu edhe një promocion të veçantë për udhëtarët që fluturojnë drejt dhe nga Tirana. Pasagjerët mund të përfitojnë 15% ulje në të gjitha linjat drejt dhe nga Tirana duke përdorur kodin KUQEZI15. Oferta është e vlefshme për rezervime të kryera nga data 14 deri më 17 prill 2026, për udhëtime në periudhën 20 prill – 15 qershor 2026.
Wizz Air hapi bazën e saj në Tiranë në vitin 2020, numëron aktualisht 15 avionë të bazuar dhe operon 62 linja drejt 20 shteteve nga kryeqyteti shqiptar. Linja ajrore ka zgjeruar vazhdimisht praninë e saj në Shqipëri, duke ofruar një rrjet të gjerë destinacionesh që lidhin Tiranën me qytete kyçe europiane. Ky partneritet thekson edhe një herë angazhimin e Wizz Air ndaj vendit, jo vetëm si një aktor lider në aviacion, por edhe si një kontribues aktiv në jetën kulturore dhe sportive.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto