Tirana do të jetë për tre ditë radhazi pritëse e Samitit të Diasporës, i katërti që zhvillohet radhazi në një klimë ku simbolika dhe pritshmëritë ndërthurën fort. Ndërsa shëtisje me këmbë ato metra të Pallatit të Kongreseve, dëgjoje sesi në sallë, përfaqësues të diasporës nga vende të ndryshme të botës, politikëbërës dhe aktorë të biznesit ndanin në diskutimet dhe bisedat e tyre të njëjtin mesazh bazë: marrëdhënia mes Shqipërisë dhe diasporës ka nevojë mës shumë se kurrë të hyjë në një fazë të re.
Të iki nga romantizmi (ndonjëherë edhe i tepruar) i nacionalizmit dhe i retorikës ”o sa mirë me qenë shqiptar”…që patjetër është shumë mirë sepse ndërsa takoje shqiptarë që kishin jetuar 20, 30 a kusur vjet larg Shqipërisë e kuptoje se të qenit shqiptar është një nga nderet e jetës së tyre, por tani është momenti për veprim konkret, për ti dhënë diasporës më shumë dinjitet, më shumë mundësi, për ta përkthyer gjithë energjinë dhe entuziazmin e tyre në ndikim real ekonomik.
Edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e artikuloi qartë këtë nevojën për ndryshim. “Nuk ju duam spektatorë, por aktorë”, ishte një nga frazat që përmblodhi qellimin e samitit. Mesazhi nuk ishte i ri, por mënyra si u vendos në kontekst nga një histori sakrifice drejt një historie suksesi reflekton një realitet të ri: diaspora shqiptare sot nuk është më vetëm burim parash, por një rrjet i konsoliduar profesionistësh, sipërmarrësish dhe investitorësh që ka nevojë për orientim dhe mekanizma mbështetës që të kthehet në potencial real për të ardhmen ekonomike të vendit.
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe kontrasti kryesor. Shqipëria vazhdon të mbështetet në mënyrë të konsiderueshme te remitancat. Kontributi i diasporës nuk mund të reduktohet në shifra: kapitali njerëzor, përvoja ndërkombëtare, aksesi në rrjete ndërkombëtare, njohuritë e tregur dhe kultura e punës janë ndoshta asetet më të vlefshme që mund t’i vinë në ndihmë vendit, sidomos në këto vite kyçe të rëndësishme për integrimin evropian.
Sot diaspora shqiptare mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe ekonomike të vendit. Sipas vlerësimeve më të fundit të NSTAT në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë llogaritet në rreth 2.25 milionë persona, ose afro 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej jetojnë jashtë. Megjithatë vlen të theksohet se këto të dhëna janë të cunguara, për shkak të mungesës së regjistrimeve të rregullta administrative për largimet nga vendi, është e vështirë të përllogaritet me saktësi absolute.
Shqipëria po përpiqet të ndërtojë një narrativë stabiliteti dhe mundësish për shqiptarët e diasporës, megjithatë kjo është një rrugë e gjatë, që shkon përtej ciklit politik të qeverisjeve dhe politikbërësve të caktuar me emër dhe mbiemër dhe kërkon të ngrihet mbi themele të shëndosha që premtojnë mundësi reale për të gjithë.
Një sinjal interesant vjen nga ekosistemi i startup-eve, ku sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, dhjetëra aplikime nga shqiptarë jashtë vendit tregojnë një lëvizje të lehtë, por domethënëse drejt angazhimit ekonomik. Është ende herët për të folur për një valë të vërtetë rikthimi apo investimi, por është e qartë se një segment i diasporës po e sheh Shqipërinë jo vetëm si vend origjine, por si një treg potencial.
Megjithatë, nëse samiti konfirmoi diçka, është fakti se potenciali i diasporës mbetet ende i fragmentuar. Pavarësisht diskutimeve, sfida nuk është identifikimi i rolit të saj, kjo tashmë është e qartë, por krijimi i mekanizmave që e bëjnë këtë rol funksional. Nga politikat fiskale që mund të nxisin investimet, te lehtësimi i procedurave dhe ndërtimi i platformave për bashkëpunim konkret, hendeku mes retorikës dhe zbatimit mbetet i dukshëm.
Diaspora shqiptare është një histori suksesi që mund të shndërrohet në avantazh konkurrues për vendin, një avantazh që është ende i pastrukturuar mirë. Nëse Shqipëria synon ta kthejë diasporën në një motor zhvillimi, atëherë hapi i radhës është një arkitekturë e qartë politike dhe ekonomike që e bën këtë bashkëpunim të prekshëm.
Nëse diaspora do të arrijë të kthehet nga dërguese parash në ndërtuese të së ardhmes, atëherë potenciali i pazbuluar mund të bëhet realiteti më i madh ekonomik i dekadës së ardhshme. Shqiptarët e diasporës nuk po kërkojnë vetëm dashuri nga larg. Po kërkojnë një vend që bëhet partnerë me ta, një vend që u krijon mundësi të investojnë, krijojnë dhe fitojnë bashkë me të.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto