Një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë profesionistët në komunikim është përpjekja për të thënë gjithçka në të njëjtën kohë. Në takime, prezantime apo edhe në email-e të përditshme, shpesh shohim njerëz që rendisin një numër të madh argumentesh dhe detajesh, duke besuar se kjo i bën më bindës. Në realitet, ndodh e kundërta: audienca humbet fokusin dhe mesazhi zbehet.
Lexo gjithashtu: Martesa ul rrezikun e kancerit? Studimi zbulon lidhjen e fortë mes statusit civil dhe shëndetit
Sipas ekspertes së komunikimit Andrea Wojnicki, ekziston një mënyrë shumë më efektive për të strukturuar idetë: përdorimi i të ashtuquajturit “Rregulli i 3”. Ky parim sugjeron që mesazhet janë më të qarta, më të balancuara dhe më të lehta për t’u mbajtur mend kur përmblidhen në tre pika kryesore. Në vend që të prezantosh një listë të gjatë argumentesh, mjafton të thuash “kam tre arsye kryesore”, dhe kjo shpesh mjafton për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar një strukturë të qartë mendimi.
Arsyeja pse ky rregull funksionon lidhet me mënyrën se si truri përpunon informacionin. Tre elementë krijojnë një ndjesi balancë dhe plotësie, ndërsa një numër më i madh kërkon më shumë përqendrim dhe lodh audiencën. Në psikologji kjo lidhet me konceptin e “ngarkesës njohëse”, që përkufizon sa informacion mund të përthithë një person në një moment të caktuar. Duke e kufizuar mesazhin në tre ide kryesore, komunikuesit jo vetëm që e bëjnë më të kuptueshëm mesazhin në moment, por edhe rrisin gjasat që ai të mbahet mend më gjatë.
Ky parim nuk vlen vetëm për prezantimet formale. Ai mund të përdoret në një gamë të gjerë situatash, nga një pitch biznesi apo një intervistë pune, deri te një postim në rrjetet sociale apo një newsletter. Në fakt, shumë liderë dhe autorë të njohur e kanë ndërtuar komunikimin e tyre pikërisht mbi këtë strukturë, duke e kthyer atë në një standard të padukshëm të komunikimit efektiv.
Megjithatë, në një kohë kur inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për krijimin e përmbajtjes, disa kanë ngritur shqetësimin se përdorimi i strukturave me tre pika mund të perceptohet si artificial. Por sipas ekspertëve, kjo është më shumë një keqkuptim sesa një problem real. Arsyeja pse AI përdor këtë strukturë është e thjeshtë: sepse ajo funksionon. Dhe fakti që teknologjia e ka adoptuar nuk e zbeh vlerën e saj, përkundrazi e konfirmon atë.
Në fund të fundit, komunikimi efektiv nuk ka të bëjë me sasinë e informacionit që ndan, por me mënyrën se si e organizon atë. Në një botë ku vëmendja është gjithnjë e më e kufizuar, aftësia për të thënë më pak, por më qartë, mbetet një nga avantazhet më të mëdha që mund të ketë çdo profesionist.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto