Hyn sot në fuqi Sistemi i Hyrje/Daljes në BE, çfarë duhet të dinë udhëtarët - Business Magazine Albania

Hyn sot në fuqi Sistemi i Hyrje/Daljes në BE, çfarë duhet të dinë udhëtarët

Sistemi i ri i Bashkimit Europian për regjistrimin digjital të hyrjeve dhe daljeve, i njohur si EES, hyn sot në fuqi, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën si kontrollohen kufijtë europianë. Nga sot, vulat tradicionale në pasaportë zëvendësohen me regjistrime elektronike, ndërsa udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së do t’u merren të dhëna biometrike si foto e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Informacioni biometrik, si imazhet e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, së bashku me të dhënat personale nga dokumenti i udhëtimit, do të regjistrohen gjithashtu.

Ky sistem i ri është implementuar për të modernizuar sigurinë kufitare dhe sistemet e emigracionit në BE, si dhe për të reduktuar krimin dhe mashtrimet dhe për të identifikuar rreziqet e sigurisë. Që nga nisja e tij, më shumë se 24,000 persona janë refuzuar në kufi për arsye si dokumente të skaduara ose të falsifikuara, apo pamundësi për të justifikuar plotësisht qëllimin e vizitës, sipas Komisionit Europian. Mbi 600 persona janë identifikuar gjithashtu si rrezik për sigurinë në Europë.

Kujt i aplikohet EES dhe kush përjashtohet?

EES aplikohet për shtetasit jo të BE-së/zonës Schengen që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së ose Schengen për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin edhe shtetasit britanikë, si dhe udhëtarët që nuk kanë nevojë për vizë, pavarësisht nëse udhëtojnë për turizëm apo biznes. Aplikohet gjithashtu për personat që zotërojnë pronë në BE, por nuk kanë leje qëndrimi. Ndërkohë, Irlanda dhe Qipro përjashtohen nga përdorimi i EES dhe do të vazhdojnë me kontrollet manuale të pasaportave.

Ka edhe kategori të tjera që përjashtohen:

-Shtetasit e vendeve të BE-së dhe Schengen
-Personat me viza afatgjata ose leje qëndrimi në këto vende
-Familjarët e shtetasve të BE-së që kanë kartë qëndrimi
-Banorët lokalë me leje të vlefshme të trafikut kufitar
-Ekuipazhet e trenave dhe avionëve në udhëtime ndërkombëtare
-Personeli ushtarak dhe familjet e tyre në misione të NATO-s ose Partneritetit për Paqe

Gjithashtu, mund të ketë përjashtime për udhëtime njëditore në kuadër të kroçerave që nisin dhe përfundojnë jashtë zonës Schengen. Gjithashtu shtetasit e Andorrës, San Marinos, Vatikanit dhe Monakos nuk do t’i nënshtrohen EES.

A do të ketë vonesa në aeroporte?

Në muajt e parë pas zbatimit të plotë të EES, priten vonesa të konsiderueshme në aeroporte, pavarësisht premtimeve të BE-së për fleksibilitet gjatë periudhave me fluks të lartë. “Koha e pritjes tashmë arrin rregullisht deri në dy orë gjatë pikut të trafikut, me disa aeroporte që raportojnë radhë edhe më të gjata,” deklaruan në një komunikatë të përbashkët ACI Europe dhe Airlines for Europe (A4E). Një nga arsyet kryesore është se të gjithë udhëtarët nga vende të treta janë detyruar të regjistrohen në EES që prej 31 marsit. Më parë, autoritetet kufitare mund të pezullonin pjesërisht ose plotësisht proceset e EES gjatë periudhave me fluks të lartë. Kjo nuk do të jetë më e mundur nga 10 prilli.

Lexo edhe: Nga RCC tek OBSH, Majlinda Bregu mbi shëndetin publik si front strategjik global dhe sfidën e Shqipërisë për të mos humbur dritaren historike të BE-së

Kjo do të thotë se udhëtarët do të duhet të paraqiten në aeroport rreth 1.5 deri në 2 orë më herët se zakonisht, për të përballuar vonesat që lidhen me EES. Megjithatë, këto vonesa pritet të ulen në afat të mesëm, pasi proceset të bëhen më të rrjedhshme.Ndërkohë, shoqatat e aeroporteve dhe linjave ajrore po kërkojnë që Komisioni Europian të lejojë pezullimin e pjesshëm të EES gjatë gjithë sezonit veror 2026, kur është e nevojshme.

A duhet pasaportë biometrike?

Pasaporta biometrike nuk është detyrim për EES, por është e nevojshme për të përdorur kioskat automatike dhe për të përshpejtuar procesin e hyrjes. Mbajtësit e pasaportave standarde duhet të paraqiten në sportele fizike për regjistrimin fillestar dhe të japin foto dhe gjurmë gishtërinjsh. Të dhënat do të ruhen për tre vite, duke bërë që kontrollet e ardhshme të jenë më të shpejta. Udhëtarët që refuzojnë të japin të dhëna biometrike do të refuzohen automatikisht në hyrje. Fëmijët nën 12 vjeç nuk duhet të japin gjurmë gishtërinjsh, por duhet të fotografohen.

A duhet regjistrim paraprak?

Nuk është e nevojshme të regjistroheni paraprakisht për EES, pasi regjistrimi bëhet në kufi në momentin e mbërritjes në BE. Procesi ndryshon në varësi të llojit të pasaportës, siç u përshkrua më sipër. Megjithatë, ekziston një alternativë për ata që duan një proces më të shpejtë.

Aplikacioni zyrtar i BE-së “Travel to Europe”, i krijuar posaçërisht për sistemin EES, u mundëson udhëtarëve nga vende të treta të regjistrojnë paraprakisht të dhënat biometrike dhe informacionin e pasaportës deri në 72 orë para mbërritjes. Ky aplikacion nuk e zëvendëson intervistën e detyrueshme në kufi. Aktualisht, ai është i disponueshëm vetëm në disa vende si Portugalia dhe Suedia, por pritet të zgjerohet në të gjithë BE-në. Aplikacioni mund të shkarkohet në Google Play ose Apple App Store, ku përdoruesit duhet të plotësojnë një formular hyrjeje dhe të bëjnë një selfie për të verifikuar identitetin e tyre.

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0