Studentët shqiptarë në Shkup kanë dal në rrugë për të protestuar mbi të drejtën e tyre të mohuar për të dhënë provimet në gjuhën e tyre amtare, në gjuhën shqipe, një e drejtë legjitime që e ka burimin nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 ku palët u angazhuan mes të tjerash me detyrime konkrete për barazi gjuhësore dhe zbatim të saj në institucionet shtetërore.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, një dokument themelor juridiko-politik i shtetit modern të Maqedonisë së Veriut vendosi parimin e barazisë reale ndërmjet komuniteteve; sanksionoi përdorimin e gjuhëve në institucionet publike. Ndryshimet kushtetuese që pasuan vitin 2001 përcaktuan qartë se gjuha shqipe, si gjuhë amtare e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve, rreth 20% të saj referuar dokumentave zyrtare, ka statusin e gjuhës zyrtare në administratën shtetërore dhe institucionet publike përkatëse.
Studentët që janë ngritur në protestë janë studentë që kanë studiuar në shqip, kanë përfunduar arsimin në shqip dhe tani u kërkohet të japin provime të rëndësishme profesionale në një gjuhë tjetër. Për ta, kjo nuk është thjesht një vështirësi praktike, por ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e tyre për të përparuar, për t’u kualifikuar dhe për të ndërtuar të ardhmen, përveçse është shkelje e hapur e së drejtës së tyre si njerëz dhe si studentë.
Historia dëshmon se të drejtat e mëdha shpesh fillojnë si kërkesa studentore dhe përfundojnë më tej si norma kushtetuese-ligjore. Duke mbajtur në mendje këtë, kujtojmë sesi lëvizjet studentore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sidomos ato për Universitetin e Tetovës gjatë viteve 1994–1997, ndikuan edhe në vendimmarrjen politike më vonë. Ligjëratat në ato protesta, mobilizimi intelektual dhe presioni publik, së bashku me mbikëqyrjen ndërkombëtare, krijuan një realitet që u reflektua më vonë në Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese.
E drejta për përdorimin e gjuhës amtare mbështetet gjithashtu nga instrumentet ndërkombëtare që nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, OBSH, Dokumentet e OSBE-së për të drejtat arsimore dhe gjuhësore etj… Këto norma përbëjnë standarde të detyrueshme për shtetet demokratike, sidomos për shtetet multietnike. Në këtë kuadër, përdorimi i gjuhës shqipe është obligim kushtetues, detyrim ligjor, angazhim ndërkombëtar dhe standard demokratik i një shteti multietnik.
Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të drejtë është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, cënon themelet e barazisë dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Studentët, me të drejtë, kërkojnë atë që partitë shqiptare nuk kanë arritur ta bëjnë në më shumës se dy dekada; zbatim të barazisë, respektim të Marrëveshjen e Ohrit dhe përforcim të të drejtave të shqiptarëve si popullësi themeltare në Maqedoninë Veriore.
Dhe po e bëjnë pa urrejtje, pa nacionalizëm të rremë, thjesht duke thënë: “Ne kemi studiuar në shqip. Na lejoni të testohemi në gjuhën tonë.” Është një kërkesë kaq e arsyeshme sa duket e çuditshme që ende duhet protestuar për të.
Si një njeri që beson se një shoqëri multietnike funksionon vetëm kur funksionon për të gjithë, them: mbështetni këta studentë. Jo sepse janë shqiptarë. Por sepse janë e ardhmja dhe janë në të drejtën e tyre.
Studentët shqiptarë po kërkojnë më shumë se provime në gjuhën shqipe: po kërkojnë të drejtën e tyre dhe mundësi reale për të zhvilluar talentin, aftësitë dhe të ardhmen e tyre. Dhe kjo duhet të na interesojë të gjithëve.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto