Nga 1 Maji shtrenjtohet plastika, përpunuesit e qumështit paralajmërojnë rritje kostosh për bulmetin - Business Magazine Albania

Nga 1 Maji shtrenjtohet plastika, përpunuesit e qumështit paralajmërojnë rritje kostosh për bulmetin

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Pas rritjes së çmimit të naftës dhe tarifave të transportit në tregjet ndërkombëtare po rritet presioni për ndryshim edhe të çmimeve të tjera të lëndëve të para.

Nga rritja e kostove të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të parë në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht plastikës do të përballen edhe përpunuesit e qumështit.

Furnitorët e huaj të fabrikave të prodhimit në Greqi kanë njoftuar përpunuesit vendas të qumështit për shtrenjtim deri në 2 -fish të çmimit për lëndën e plastikës, krahasuar me çmimin e mëparshëm.

Sipas njoftimit të tyre, një pjesë e çmimit të ndryshuar do të nisë të reflektohet për furnizimet e reja nga 1 Maji deri më 31 Maj.

“Tregu ndërkombëtar i lëndës së parë për plastikë ka përjetuar një rritje të paprecedentë të çmimeve, e shoqëruar edhe me rritje të ndjeshme të kostove të transportit.

Në mënyrë më konkrete, kostoja e lëndës së parë ka pësuar një rritje të konsiderueshme, duke arritur në disa raste deri në dyfishim krahasuar me periudhat e mëparshme.

Ne po mundohemi të absorbojmë një pjesë të kostove që të mos pasqyrojmë rritjen e plotë, dhe do të bëjmë maksimumin që çdo porosi e prodhuar dhe e dorëzuar deri më 30 prill të mbetet me çmimin aktual.

Megjithatë, për shkak të vazhdimësisë së kësaj tendence dhe presionit të lartë në kosto, jemi të detyruar të bëjmë një rishikim të çmimeve, duke reflektuar vetëm një pjesë të kësaj rritjeje reale.

Ky përditësim është bërë me kujdes, duke synuar të ruajmë një balancim sa më të drejtë midis situatës së tregut dhe partneritetit tonë afatgjatë.

Duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e tregut dhe lëvizjet e shpeshta të çmimeve në burse, fabrika do të aplikojë një politikë çmimesh mujore, për të siguruar transparencë dhe përshtatje sa më reale me tregun.

Lexo edhe: Lufta është më shumë sesa thjesht… kriza e naftës!

Brenda javës së ardhshme do t’ju dërgojmë listën e përditësuar të çmimeve, e vlefshme për periudhën 1 maj – 31 maj 2026”, theksohet në njoftimin e furnitorëve të huaj dërguar përpunuesve vendas.

Përfaqësues të fabrikave të përpunimit të qumështit vendas sinjalizojnë se shtrenjtimi i plastikës që ata përdorin për ambalazhimin e produkteve të bulmetit do të shtrenjtojë koston e prodhimit.

Për shkak të rritjes të plastikës e lajmëruar në fillim të muajit maj nga furnitorët e huaj, edhe përpunuesit paralajmërojnë se mund të jenë të detyruar të rishikojnë çmimet për produktet e bulmetit.

Më herët, për shkak të shtimit të kostove, kryesisht nga çmimit të lartë të qumështit si lëndë e parë, që në Shqipëri blihet më shtrenjtë sesa në vendet e BE-së, kompanitë përpunuese kërkuan ndërhyrje nga qeveria për barazimin e TVSH-së në 10% për blerjen dhe shitjen e qumështit.

Një masë që, sipas tyre, jo vetëm do të ulte presionin financiar mbi fabrikat e përpunimit, por edhe do të parandalonte rritjen e çmimeve të produkteve të bulmetit për konsumatorët. Kërkesa e Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit për përgjysmimin e TVSH iu dorëzua ministrisë së Financave dhe ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për të cilën nuk është marrë ende një përgjigje.

Industrialistët argumentonin se vendet e BE-së aplikojnë norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet bazë, zakonisht në intervalin 5–10%, ndërsa disa shtete anëtare që përdorin edhe normë 0% për kategoritë më të ndjeshme të produkteve ushqimore, si buka, qumështi, vezët dhe frutat e freskëta.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0