Nga Fatima Gorezi – Kur lexoj titujt e ditës dhe dëgjoj analizat e tregjeve, shoh gjithmonë të njëjtën gjë: fokusin e ngushtë te çmimi i naftës. “Sa do të ngrihet çmimi për fuçi? Sa do të ndikojë në faturën e importit?” Po e vërteta është që lufta është më tepër sesa një llogaritje e thjeshtë në bursë.
Si dikush që ka kaluar vite duke ndjekur nga afër peisazhin e klimës së biznesit dhe sipërmarrjes në Shqipëri, e di që kjo është vetëm sipërfaqja. Lufta është shumë më tepër sesa kriza e naftës. Është një goditje e thellë në pasigurinë ekonomike, në zinxhirët e furnizimit, në besimin e investitorëve dhe në ritmin e rritjes së një vendi të vogël si yni.
Lufta e SHBA-Izrael me Iranin po mbyll javën e saj të pestë dhe tregjet janë tashmë të brishta. Edhe pse çmimet e naftës duken për momentin nën kontroll, Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të 2026 e thotë qartë: në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit, kjo goditje mund të pasqyrohet në rritje inflacioni dhe frenim të rritjes ekonomike, në përmasa të ngjashme me ato të konfliktit në Ukrainë në 2022. Inflacioni që ishte 2,2% në fund të 2025, u ngjit në 2,4% në dy muajt e parë të këtij viti. Por numrat nuk tregojnë gjithçka. Pasiguria globale dhe frika po godet zinxhirët e furnizimit.
Në Shqipëri, ku varësia nga importet është ende shumë e lartë, çdo tronditje globale kthehet shpejt në problem lokal. Bizneset vendase , veçanërisht ato të vogla dhe të mesme që përbëjnë shtyllën e ekonomisë sonë janë përballë një ankthi dhe pasigurie që buron nga lufta. Transporti, lëndët e para, madje edhe pakot e thjeshta logjistike po shtrenjtohen. Konsumatorët tashmë e ndiejnë në xhep: INSTAT thotë se për të jetuar në segmentin Tiranë-Durrës, një familjeje i duhen të paktën 70 mijë lekë të reja në muaj vetëm për shpenzimet bazë. Turizmi, që është një nga shtyllat e rritjes sonë, po fillon të ndiejë dridhjen: rezervimet për verën po bëhen më të kujdesshme, sepse turistët europianë po pyesin “çfarë do të ndodhë me çmimet e fluturimeve dhe karburantit?”
Bujqësia, ndërkohë, është në alarm të heshtur. Sezoni i mbjelljeve është në kulm dhe çdo ndërprerje në furnizimin e plehrave kimike, që vijnë kryesisht nga jashtë mund të sjellë prodhime më të ulëta në vjeshtë dhe çmime më të larta ushqimore. Lufta nuk po na godet vetëm në naftë dhe energji; por edhe në tryezë.
Por ndikimi më i rrezikshëm është ai që nuk duket menjëherë në grafikët e çmimeve: efekti në vendimmarrjen e investitorëve. Në një treg të vogël si Shqipëria, pasiguria globale funksionon si një fren i padukshëm. Investitorët e huaj, që po shikonin me interes mundësitë e energjisë së rinovueshme, infrastrukturës dhe prodhimit lokal, tani po presin. “Le të shohim si zhvillohet situata” është fraza që dëgjoj më shpesh.
Kjo do të thotë rritje më e ngadaltë, vende pune më pak, dhe një ekonomi që po humbet vrullin pikërisht kur na duhet më shumë.
Si njeri që i ka ndjekur këto zhvillime të paktën në 10 vitet e fundit , them me bindje: koha e reagimit pasiv ka mbaruar. Bizneset tona duhet të jenë fleksibël, të diversifikuara dhe të guximshme në investime.
Duhet të ndalojmë së varuri nga një furnizues i vetëm ose nga një treg i vetëm. Duhet të investojmë në efikasitet energjetik, në teknologji që ulin kostot dhe në zinxhirë furnizimi më të shkurtër. Ata që sot po blejnë panele diellore për fabrikat e tyre, që po krijojnë kontrata afatgjata me fermerët vendorë ose që po digjitalizojnë proceset, do të jenë ata që do të dalin më të fortë kur stuhia të kalojë.
Por biznesi nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Këtu hyn roli i politikave publike. Ne kemi nevojë për një strategji afatgjatë energjetike që nuk varet nga çmimet e importit, për një politikë të qartë prodhimi lokal që mbron bujqësinë dhe industrinë e lehtë, dhe për një qasje proaktive ndaj investimeve.
Vende si Egjipti apo Sri Lanka po marrin masa ekstreme, deri në shkurtimin e orëve të punës për të kursyer energji. Në rastin shqiptar mendoj se ne nuk kemi nevojë për masa ekstreme, por për vizion. Duhet të ndërtojmë rezistencë sot, që nesër të mos na gjejë të papërgatitur.
Lufta nuk është vetëm një krizë çmimesh. Është një provë për qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe për gatishmërinë e Shqipërisë në një botë gjithnjë e më të pasigurt. Nëse e trajtojmë si një alarm të përkohshëm, do të humbasim mundësinë për t’u bërë më të fortë. Por nëse e shohim si thirrje për veprim, atëherë kjo periudhë e vështirë mund të bëhet momenti kur ekonomia jonë kalon nga mbijetesa në zhvillim më të qëndrueshëm.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto