Kërcënim për sigurinë, Gjermania dhe Italia kundër stablecoin-eve amerikane - Business Magazine Albania

Kërcënim për sigurinë, Gjermania dhe Italia kundër stablecoin-eve amerikane

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Gjermania dhe Italia kanë propozuar krijimin e një kuadri të ri rregullator në Bashkimin Europian për stablecoin-et, duke synuar forcimin e sigurisë së tregjeve financiare dhe duke e zhvendosur debatin nga niveli teknik në atë politik. Dy vendet po kërkojnë kompetenca të gjera për të bllokuar operatorët e huaj të stablecoin-eve nga tregu i BE-së, nëse vendet e tyre të origjinës nuk përmbushin standardet rregullatore europiane, një lëvizje që mund të përjashtojë disa nga kompanitë më të mëdha të kriptomonedhave nga një prej tregjeve më të mëdha financiare në botë.

Qëndrimi i tyre është paraqitur në një dokument të përbashkët diskutimi të shpërndarë më 27 mars, përpara një takimi mbi Paketën për Integrimin dhe Mbikëqyrjen e Tregut (MISP). Dokumenti e vendos theksin te “stabiliteti dhe sovraniteti” i BE-së, një gjuhë që tregon se kjo nismë nuk është vetëm financiare, por edhe gjeopolitike.

Një “jo” për stablecoin-et amerikane?

Propozimi synon drejtpërdrejt të ashtuquajturat stablecoin-e me shumë emetues,  tokenë që lëshohen në disa juridiksione njëkohësisht dhe mbështeten nga rezerva të shpërndara mes tyre.

Stablecoin-et janë kriptomonedha të projektuara për të ruajtur një vlerë të qëndrueshme, zakonisht të lidhur me dollarin ose euron, dhe të mbështetura nga rezerva reale për të garantuar konvertimin në çdo moment. Sipas propozimit, operatorët e tillë nuk do të mund të operojnë në BE nëse Komisioni Europian nuk konfirmon se kuadri rregullator i vendit të tyre është ekuivalent me atë të BE-së. Pa këtë vendim, nuk ka akses në treg. Duke qenë se SHBA aktualisht nuk ka një kornizë të krahasueshme, kjo mund të nënkuptojë përjashtimin efektiv të stablecoin-eve kryesore të lidhura me dollarin nga tregu europian.

Lexo edhe: Çfarë do të thotë nisma “Dyfisho ndërmarrjen tënde” për bizneset e vogla dhe të mesme

“Butoni i fikjes”

Propozimi parashikon gjithashtu një mekanizëm drastik ndërhyrjeje, një lloj “kill switch”. Sipas draftit, Autoriteti Europian i Bankave do të ketë detyrimin të ndalojë menjëherë një stablecoin nëse mekanizmi i transferimit të rezervave dështon, nëse emetuesi shkel rëndë rregullat në vendin e tij ose nëse vepron kundër interesave të mbajtësve në BE.

Rreziku kryesor me stablecoin-et ndërkufitare lidhet me ndarjen e rezervave. Nëse një pjesë e tyre mbahet jashtë BE-së dhe investitorët europianë kërkojnë njëkohësisht të tërheqin fondet, rezervat brenda BE-së mund të mos mjaftojnë, ndërsa pjesa tjetër mund të jetë e bllokuar nga rregullat e juridiksioneve të tjera, si SHBA. Për këtë arsye, Gjermania dhe Italia kërkojnë që transferimi i fondeve nga jashtë BE-së të jetë i menjëhershëm dhe pa pengesa ligjore apo operacionale, sidomos në raste krize. Nëse kjo garanci nuk mund të sigurohet, ose nëse ka shkelje, autoritetet europiane do të detyrohen të “tërheqin prizën”, duke ndaluar plotësisht operimin e stablecoin-it në BE.

Një garë me kohën

Nxitja për këtë iniciativë vjen nga European Systemic Risk Board, i cili ka paralajmëruar për rreziqe strukturore dhe dobësi të brendshme në këto modele. Frika kryesore është se një kolaps apo ngrirje e stablecoin-eve mund të përhapet në tregjet financiare europiane në mënyrë të ngjashme me një “bank run”. Institucioni ka kërkuar masa mbrojtëse deri në fund të vitit 2026 dhe hapa të mëtejshëm deri në vitin 2027. Gjermania dhe Italia argumentojnë se këto masa duhet të përfshihen menjëherë në negociatat aktuale për MISP.

Mbikëqyrje më e ashpër që nga dita e parë

Propozimi parashikon gjithashtu që emetuesit e mëdhenj të stablecoin-eve të vendosen nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga autoritetet europiane, duke i klasifikuar automatikisht si “entitete me rëndësi të lartë”. Ndryshe nga rregullat aktuale, ku rëndësia përcaktohet nga madhësia dhe volumi i transaksioneve, Gjermania dhe Italia kërkojnë që vetë struktura ndërkufitare të jetë kriter për kontroll të rreptë që në fillim.

Megjithëse rregullorja MiCA Regulation ka hyrë në fuqi në vitin 2024 dhe vendos standarde për rezervat dhe qeverisjen, dokumenti argumenton se ajo ka boshllëqe serioze kur bëhet fjalë për struktura ndërkufitare. Edhe pse nuk është ende një qëndrim zyrtar i BE-së, ky dokument, i mbështetur nga dy ekonomitë më të mëdha të eurozonës pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në formësimin e legjislacionit të ardhshëm.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0