Një e treta e popullsisë së Bashkimit Europian përdori mjete të Inteligjencës Artificiale gjenerative gjatë vitit 2025, por vetëm gjysma e tyre e përdori për qëllime pune, duke e ulur këtë përqindje në 15%. Përdorimi i AI-së në vendet e punës ndryshon ndjeshëm mes vendeve, me modele rajonale të qarta. Në 33 vende të Europës, përdorimi i AI-së në punë varion nga vetëm 1.3% në Hungari deri në 35.4% në Norvegji, me Zvicrën pranë në 34.4%. Prof. Aleksandra Przegalińska nga Universiteti Kozminski thekson se sukseset e vendeve nordike lidhen me një sektor publik digjital të fortë, besim të lartë në institucionet publike, aftësi të avancuara digjitale dhe praktika të pjekura të punëdhënësve.Të tjerët që kryesojnë listën janë Malta (29.6%), Danimarka (27.2%), Holanda (26.6%), Estonia (25.1%) dhe Finlanda (25.1%). Në krahasim, vendet e Jugut dhe Lindjes së Europës, përfshirë Rumani, Turqi, Serbi dhe Itali, raportojnë përdorim shumë më të ulët në punë.
Një hendek mes përdorimit personal dhe profesional
Ndërsa 32.7% e europianëve përdorin AI në përgjithësi, vetëm 15.1% e përdorin në vendet e punës. Ky hendek lidhet me kombinimin e aftësive dixhitale dhe politikave të kompanive që lejojnë ose ndalojnë përdorimin e AI-së në mënyrë të sigurt.
Vendet me adoptim të lartë, si Zvicra, Norvegjia dhe Holanda, tregojnë se kur punëdhënësit ofrojnë mjete të aprovuara, udhëzime të qarta dhe trajnim, punonjësit ndihen të sigurt dhe përdorin AI në punë.
Roli i strukturës ekonomike
Sipas Prof. Valerio De Stefano nga Universiteti York, përbërja e ekonomive kombëtare gjithashtu ndikon. Vendet me sektorë si media, teknologji, kërkim-shkencë dhe ICT kanë mundësi më të mëdha për të integruar AI-në në aktivitetet e tyre.

Shqipëria ngec në përdorimi e AI-së, çfarë e frenon adoptimin
Shqipëria nuk figuron në raportin e Eurostat për përdorimin e AI-së në vendet e punës, një mungesë që reflekton realitetin e ngadaltë të transformimit digjital në ekonomi, edhe pse në dukje duket sikur po bëhet përpara. Megjithëse ka rritje të interesit nga startup-et dhe sektorët teknologjikë, shumica e kompanive mbeten të ngadalta në integrimin e mjeteve gjenerative në proceset e tyre. Arsyeja kryesore është mungesa e një strategjie kombëtare për AI, trajnim i pamjaftueshëm i punonjësve dhe investime minimale në infrastrukturën digjitale.
Për më tepër, kultura organizative në shumë ndërmarrje është ende konservatore, ku eksperimentimi me teknologji të reja shihet si risk i panevojshëm, dhe rregulloret ligjore mbi përdorimin e AI-së janë të paqarta. Pa një plan të qartë qeverisës dhe mbështetje konkrete për bizneset, Shqipëria rrezikon të ngecë prapa fqinjëve të saj rajonalë, duke humbur mundësitë që AI ofron për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërinë globale.
Sipas të dhënave të mbledhura në vitin 2025, adoptimi i AI-së pritet të rritet ndjeshëm vitet e ardhshme, ndërsa shtrirja e agjentëve të AI-së në ekonominë globale do të nxisë më shumë përdorim profesional dhe inovacion edhe në Shqipëri./ BusinessMag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto