Një projekt i ri i përbashkët mes dy kompanive të Elon Musk, xAI dhe Tesla, është bërë publik së fundmi dhe ka tërhequr menjëherë vëmendjen e industrisë së teknologjisë. Projekti quhet Macrohard, ndërsa Musk e ka përshkruar edhe me emrin “Digital Optimus”.
Sipas Musk, sistemi synon të krijojë një platformë inteligjence artificiale që mund të imitojë mënyrën se si funksionojnë kompanitë e softuerit, duke sfiduar dominimin e disa prej gjigantëve të industrisë.
Në një postim në rrjetin social X, Musk shpjegoi se projekti kombinon modelin e gjuhës së madhe Grok të zhvilluar nga xAI, i cili vepron si një lloj “navigatori” inteligjent, me një agjent AI të zhvilluar nga Tesla që është në gjendje të analizojë në kohë reale atë që ndodh në ekranin e kompjuterit, si dhe veprimet e tastierës dhe mausit.
Sipas tij, ky kombinim mund ta bëjë sistemin të aftë që, të paktën në teori, të kryejë funksionet e plota të një kompanie softuerike. “Në parim, sistemi mund të imitojë funksionimin e kompanive të tëra. Prandaj e quajmë MACROHARD, një referencë humoristike ndaj Microsoft,” u shpreh Musk.
Lexo edhe: Një epokë e re për fintech, Revolut bëhet zyrtarisht bankë në Britani
Nga ana teknologjike, sistemi pritet të funksionojë mbi çipin AI4 të Tesla, i cili sipas Musk kushton rreth 650 dollarë, ndërsa do të mbështetet edhe nga infrastruktura cloud e xAI, e ndërtuar mbi serverë të Nvidia. Musk e përshkroi këtë kombinim si një zgjidhje konkurruese në kosto, që mund të ofrojë performancë të lartë në kohë reale. Ai shtoi gjithashtu se sistemi mund të jetë “i vetmi sistem inteligjent në kohë reale” që ka potencialin të automatizojë procese të plota pune, duke simuluar mënyrën se si operojnë organizatat.
Ky zhvillim vjen pasi Tesla ra dakord në janar të investojë rreth 2 miliardë dollarë për të blerë aksione në xAI, duke forcuar edhe më shumë lidhjen mes kompanive të Musk. Edhe pse operojnë në sektorë të ndryshëm, performanca e tyre shpesh shihet si e ndërlidhur nga investitorët. Përveç Tesla dhe xAI, Musk është gjithashtu pronar i SpaceX dhe i platformës sociale X (ish-Twitter), duke ndërtuar një ekosistem kompanish që shtrihen nga hapësira dhe automjetet elektrike deri tek inteligjenca artificiale dhe rrjetet sociale. Muaji i fundit ka qenë veçanërisht i rëndësishëm për Musk edhe në aspektin financiar. Sipas listës së miliarderëve të Forbes për vitin 2026, pasuria e tij ka kaluar 800 miliardë dollarë, duke u bërë pasuria më e madhe personale e regjistruar ndonjëherë në histori dhe duke iu afruar pragut simbolik të 1 trilion dollarëve.
Në vendin e dytë renditet bashkëthemeluesi i Google, Larry Page, me një pasuri më shumë se 500 miliardë dollarë më pak se Musk, ndërsa në vendin e tretë është Sergey Brin, gjithashtu bashkëthemelues i Google, me rreth 233 miliardë dollarë pasuri. Nëse projekti Macrohard realizon ambiciet e shpallura, ai mund të shënojë një tjetër hap të madh në mënyrën se si inteligjenca artificiale ndërvepron me punën dhe industrinë e softuerit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto