Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka shënuar një rritje të dukshme të pasurisë së tij, duke forcuar më tej pozicionin në renditjen globale të miliarderëve të publikuar nga revista Forbes. Sipas përditësimit më të fundit të kësaj reviste, pasuria neto e themeluesit të BALFIN Group ka arritur në rreth 1.9 miliardë dollarë, afërsisht 500 milionë dollarë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Samir Mane u përfshi për herë të parë në listën e miliarderëve të Forbes në vitin 2025, duke u bërë biznesmeni i parë shqiptar që arrin këtë nivel dhe njëkohësisht i pari nga rajoni i Ballkanit që futet në këtë klasifikim. Të dhënat më të fundit tregojnë se pasuria e tij ka vijuar të rritet, kryesisht si rezultat i zgjerimit dhe diversifikimit të aktiviteteve të grupit BALFIN në disa sektorë të ekonomisë. Aktualisht ai mbetet i vetmi përfaqësues nga Ballkani në këtë listë globale. Sipas përllogaritjeve, fitimet e tij mesatare arrijnë në rreth 1.1 milion dollarë në ditë.
Sipas profilit editorial të Forbes, Mane është themelues dhe president i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me qendër në Tiranë që operon në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë me pakicë, pasuritë e paluajtshme, logjistikën dhe sektorin bankar. Grupi zotëron disa nga qendrat tregtare më të mëdha në Ballkanin Perëndimor, rrjete të njohura dyqanesh elektronike dhe investime të rëndësishme në projekte rezidenciale dhe turistike në Shqipëri.
Rruga sipërmarrëse e Mane fillon në fillim të viteve ’90. Sipas Forbes, ai u largua nga Shqipëria në vitin 1991, gjatë rënies së regjimit komunist, dhe u vendos në Austri si refugjat. Dy vite më vonë, në 1993, ai nisi aktivitetin e tij të parë tregtar duke eksportuar pajisje elektroshtëpiake drejt Shqipërisë, duke hedhur kështu bazat e biznesit të tij.
Lexo edhe:Samir Mane, shqiptari i parë në listën e miliarderëve të Forbes
Në vitin 1998, Mane themeloi rrjetin e dyqaneve elektronike Neptun, i cili u shndërrua në një nga markat më të njohura të tregut të elektronikës në Shqipëri dhe në rajon. Pas rikthimit të tij në Shqipëri në 2005, ai zhvilloi një nga projektet më të rëndësishme të sektorit të retail-it në vend, duke hapur një nga qendrat e para moderne tregtare.
Sot BALFIN Group operon me një portofol të gjerë aktivitetesh që shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë. Përveç investimeve në qendra tregtare dhe rrjete retail në Ballkanin Perëndimor, grupi zotëron gjithashtu bankë, parqe logjistike dhe projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme. Forbes thekson se kompania ka investime edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Austri, si dhe projekte infrastrukturore dhe arsimore në Shqipëri, përfshirë edhe një universitet privat.
Rritja e pasurisë së Mane në 1.9 miliardë dollarë reflekton jo vetëm zgjerimin e investimeve të BALFIN Group, por edhe zhvillimin e sektorëve të retail-it dhe pasurive të paluajtshme në rajon gjatë viteve të fundit.
Për ekonominë shqiptare, prania e një sipërmarrësi vendas në listën globale të miliarderëve konsiderohet një sinjal i forcimit të kapitalit privat dhe i konsolidimit të një prej grupeve më të mëdha të biznesit në vend dhe në rajon.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto