Çmimet globale të naftës vijojnë të rriten, megjithëse me ritëm më të ngadaltë se kërcimet e forta 5–8% të ditëve të mëparshme, ndërsa lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit hyn në ditën e pestë dhe shqetësimet për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit mbeten të larta.
Rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kalon përmes kësaj ngushtice strategjike, e cila praktikisht është kthyer në një zonë me rrezik të lartë për transportin detar.
Në Shqipëri dhe Kosovë nisin efektet e para
Në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë ka nisur rritja e çmimit të naftës me 3 apo 4 lekë për litër, duke shkuar nga 175 në 178 apo edhe 179 lekë për litër. Kujtojmë se nga Shoqata e Hidrokarbureve u paralajmërua dy ditë më parë se çmimet e rritjes së naftës në bursa do të reflektohen brenda pak ditësh në tregun vendas me 10 deri 20 lekë më tepër, duke ndikuar më tej në çmimet e konsumit dhe transportit. E njëjta situatë paraqitet edhe në Kosovë. Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro, ndryshe nga një ditë më parë ku tregtoheshin 1.25 euro për litër naftë dhe 1.24 euro për litër benzinë.
Nafta në rritje, por me ritëm më të butë
Të mërkurën në mesditë: WTI u rrit lehtë me 0.2%, duke qëndruar pak nën 75 dollarë për fuçi. Brent u rrit me mbi 1%, duke kaluar 82 dollarë për fuçi. Ndërkohë, çmimet e gazit natyror ndalën hovin e fortë pas një raportimi të New York Times se operativë iranianë kishin shprehur gatishmëri për të diskutuar kushte për përfundimin e konfliktit.
Futures-et evropiane të gazit, benchmark-u holandez TTF, ranë deri në 12%, duke zbritur nën 48 euro/MWh, pasi kishin arritur më parë deri në 56 euro/MWh. Megjithatë, çmimet mbeten dukshëm më të larta krahasuar me nivelet para shpërthimit të konfliktit.
Lexo edhe: Rutte siguron Europën: Do mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s
Goditje në furnizimin global
Pas nisjes së operacionit ushtarako-strategjik të quajtur Operation Epic Fury, kalimi në Hormuz është bërë ekstremisht i rrezikshëm. Sipas kompanisë së inteligjencës së tregjeve energjetike Vortexa, kalimet e cisternave me naftë ranë në vetëm katër anije më 1 mars, nga një mesatare prej 24 në ditë që nga janari. Tre prej tyre mbanin flamurin iranian.
Të dhënat e Lloyd’s List Intelligence tregojnë se rreth 200 cisterna ndërkombëtare me naftë dhe produkte të përpunuara janë praktikisht të bllokuara në Gjirin Persik, pasi ngushtica konsiderohet shumë e rrezikshme për lundrim.
Trump premton mbështetje, por tregjet mbeten të tensionuara
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ka urdhëruar US International Development Finance Corporation të ofrojë sigurim politik dhe garanci financiare për tregtinë detare. Ai shtoi se, nëse është e nevojshme, marina amerikane do të shoqërojë cisternat nëpër Hormuz.
Megjithatë, analistët theksojnë se këto masa vetëm zbusin, por nuk eliminojnë rrezikun. Sipas Mizuho Bank, kostot më të larta të sigurimit mund të shtojnë 5–15 dollarë për fuçi, duke mbajtur të fortë të ashtuquajturin “premium lufte”.
Skenarët ”më të frikshëm”
Goldman Sachs rriti parashikimin për çmimin mesatar të Brent në tremujorin e dytë të 2026-ës me 10 dollarë, në 76 dollarë për fuçi, ndërsa për WTI me 9 dollarë, në 71 dollarë. Banka paralajmëroi se nëse ndërprerjet në Hormuz zgjasin pesë javë, çmimi i naftës mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të energjisë po ushtron presion mbi bankat qendrore, pasi energjia e shtrenjtë ushqen inflacionin dhe kufizon hapësirën për ulje të normave të interesit.Analistët paralajmërojnë se nëse konflikti përshkallëzohet dhe zgjat për javë apo muaj, ndikimi do të ndihet jo vetëm në tregjet e energjisë, por edhe në rritjen ekonomike globale dhe fitimet e korporatave./BusinessMag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto