Bill Gates u tërhoq nga Samiti “AI Impact” në Indi vetëm disa orë para fjalimit kryesor të planifikuar të enjten, ndërsa u rritën sërish polemikat mbi kontaktet e tij të mëparshme me financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Vendimi erdhi pas publikimit të disa emaileve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku përfshiheshin komunikime mes stafit të Fondacionit Gates dhe Epstein.
Tërheqja e papritur e bashkëthemeluesit të Microsoft ishte një tjetër goditje për një event të rëndësishëm, i cili tashmë ishte shoqëruar nga probleme organizative, polemika rreth prezantimit të një roboti dhe ankesa për kaosin e trafikut në New Delhi. Megjithatë, samiti gjashtëditor arriti të sigurojë mbi 200 miliardë dollarë premtime investimesh për infrastrukturën e inteligjencës artificiale në Indi, përfshirë një plan prej 110 miliardë dollarësh të shpallur nga Reliance Industries. Ndërkohë, Tata Group nënshkroi një marrëveshje partneriteti me OpenAI.
Anulimi i pjesëmarrjes së Gates vjen pas publikimit të emaileve nga autoritetet amerikane, ku përmendeshin kontakte mes Epstein dhe stafit të Fondacionit Gates. Fondacioni deklaroi se Gates nuk do të mbajë fjalimin “për të siguruar që vëmendja të mbetet te prioritetet kryesore të samitit për AI”. Vetëm pak ditë më parë, fondacioni kishte mohuar zërat për mungesën e tij dhe kishte konfirmuar pjesëmarrjen. Në vend të Gates, në samit foli drejtori i strategjisë së fondacionit dhe përgjegjësi për Afrikën dhe Indinë, Ankur Vora.
Një përfaqësues i fondacionit, i themeluar nga Gates dhe ish-bashkëshortja e tij në vitin 2000, nuk iu përgjigj pyetjes së Reuters nëse tërheqja lidhej drejtpërdrejt me polemikat rreth dosjeve Epstein. Vetë Gates ka deklaruar se kontaktet e tij me Epstein kanë qenë të kufizuara vetëm në diskutime mbi filantropinë dhe se ishte gabim që u takua me të.
Gates ishte ndër figurat kryesore të teknologjisë që pritej të merrnin pjesë në samit, përkrah drejtuesve si Sundar Pichai (Google), Sam Altman (OpenAI) dhe Dario Amodei (Anthropic). Mungesa e tij erdhi pas një tjetër anulimi të rëndësishëm, atij të CEO-s së Nvidia, Jensen Huang, çka e vuri samitin në një fillim të vështirë. Eventi ishte promovuar si forumi i parë madhor për AI në “Jugun Global”, ku India synon të pozicionohet si zë udhëheqës në qeverisjen globale të inteligjencës artificiale.
Lexo edhe: Europa, superfuqia që po nënvlerësohet!
Fjalimi i Modi-t dhe angazhimet për AI
Në fjalimin e tij, kryeministri indian Narendra Modi theksoi rëndësinë e sigurisë së fëmijëve në platformat e inteligjencës artificiale, gjatë një paraqitjeje të përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Duhet të jemi edhe më vigjilentë për sigurinë e fëmijëve. Ashtu siç kurrohet kurrikula në shkolla, edhe hapësira e AI duhet të udhëhiqet nga parime miqësore për fëmijët dhe familjet,” u shpreh Modi.
Një moment i sikletshëm u krijua gjatë fotos simbolike në skenë, ku drejtuesit e kompanive kryesore të AI u pozicionuan për të shfaqur unitetin rreth angazhimeve të reja për zhvillimin e përgjegjshëm të teknologjive të avancuara. Sam Altman dhe Dario Amodei, drejtues të dy kompanive rivale, OpenAI dhe Anthropic, qëndruan pranë njëri-tjetrit, por nuk u bashkuan në gjestin simbolik si pjesa tjetër e pjesëmarrësve.
Gjatë samitit u lançuan “New Delhi Frontier AI Commitments”, një set parimesh vullnetare nga kompanitë kryesore të AI për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm të modeleve të avancuara. Altman deklaroi se mbi 100 milionë persona në Indi përdorin ChatGPT çdo javë.
Kaos organizativ dhe trafik i bllokuar
Pavarësisht suksesit në sigurimin e investimeve, samiti i parë madhor i AI në Indi u shoqërua me kritika të forta për organizimin. Sallat e ekspozitës u mbyllën papritur për publikun të enjten, duke zemëruar kompanitë pjesëmarrëse që kishin ngritur stenda dhe pavijone. Zona e eventit mbeti pothuajse bosh pas tre ditësh me fluks të madh vizitorësh.
Universiteti Galgotias u detyrua të largonte stendën e tij pasi një punonjës paraqiti një “qen robotik” të prodhuar në Kinë si krijim të tyre, duke shkaktuar reagime publike.
Ndërkohë, mbylljet e shpeshta të rrugëve për kalimin e VIP-ave krijuan kaos në New Delhi, një qytet me rreth 20 milionë banorë. Qeveria indiane kërkoi ndjesë për shqetësimet e shkaktuara gjatë ditëve të para të samitit.
Partitë opozitare sulmuan qeverinë dhe kryeministrin për menaxhim të dobët të eventit.
“Ky samit supozohej të ishte për studiuesit, themeluesit dhe ndërtuesit e teknologjisë që punojnë çdo ditë në terren. Në vend të kësaj, trajtohemi sikur nuk kemi rëndësi, duke u bllokuar për orë të tëra që të kalojë ndonjë ministër apo zyrtar,” shkroi në rrjetin X studiuesi i Microsoft, Jay Gala.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto