Tregu i bonove po ndikohet gjithnjë e më shumë nga entuziazmi për inteligjencën artificiale (AI). Spekulimet për ritmin e shpejtë të zhvillimit të AI dhe ndikimin e saj në ekonomi po krijojnë pritshmëri se normat e interesit mund të ulen më herët, nëse produktiviteti i punës rritet ndjeshëm.
Kjo është një nga arsyet kryesore pse rendimentet e bonove të qeverisë amerikane ranë fort javën e fundit. Ky shpjegim duket më bindës sesa ta lidhësh rënien vetëm me të dhënat e janarit për punësimin apo inflacionin, të cilat nuk i dhanë Rezervës Federale (Fed) sinjal të qartë për të nisur uljet e normave. Si pasojë e këtij optimizmi, tregjet financiare kanë filluar sërish të çmojnë mundësinë e uljeve të reja të normave të interesit vitin e ardhshëm. Kjo ka ringjallur interesin për bonot dhe ka forcuar bindjen se uljet e normave mund të jenë më të shumta nga sa pritej.
Një tjetër faktor që po përmendet nga tregu është edhe ndryshimi i mundshëm i drejtimit të Fed-it, me emërimin e Kevin Warsh në krye të institucionit në maj. Investitorët spekulojnë se një Fed i drejtuar nga Warsh mund të jetë më i prirur drejt uljes së normave të interesit, veçanërisht duke pasur parasysh presionin politik për politika më lehtësuese monetare. Megjithatë, deri tani tregu nuk është plotësisht i bindur për këtë skenar. Madje, një pjesë e investitorëve mendojnë se një drejtim i ri i Fed-it mund të çojë edhe në rritje tërendimenteve dhe dobësim të dollarit. Pra, pasiguria mbetet e lartë.
Lexo edhe: A do ta zbehin Bill Gates dhe përplasjet politike debatin për sigurinë e AI në Delhi?
Pse AI po shihet si arsye për ulje të normave?
Në fillim të shkurtit, disa zhvillime të reja në fushën e AI dhe rënia e aksioneve në sektorin e softuerëve krijuan idenë se ndikimi i AI në ekonomi mund të jetë më i shpejtë dhe më i gjerë sesa pritej. Vetë Kevin Warsh ka deklaruar më herët se AI mund të jetë “vala më e madhe e rritjes së produktivitetit në jetën tonë” dhe se ajo mund të ketë efekt çinflacionist, pra të ulë presionet mbi çmimet, njësoj si interneti dikur. Nëse kjo ndodh realisht, një Fed më i prirur drejt lehtësimit monetar mund të tundohen të ulë normat më shpejt, për të kompensuar efektet çinflacioniste të rritjes së produktivitetit. Por aktualisht, këto mbeten më shumë supozime sesa fakte të provuara. Pikërisht për këtë arsye, Fed-i aktual është i kujdesshëm dhe preferon të presë prova konkrete përpara se të veprojë.
Punësimi, inflacioni dhe dyshimet mbi “mrekullinë” e AI
Punësimi në SHBA u dobësua gjatë vitit të kaluar, pjesërisht edhe për shkak të rënies së imigracionit. Megjithatë, të dhënat e janarit treguan rritje të punësimit, ulje të papunësisë dhe rritje më të shpejtë të pagave, gjë që e bën panoramën më të paqartë. Disa zyrtarë më “dovish” të Fed-it mendojnë se kompanitë po ngadalësojnë punësimin sepse po investojnë më shumë në teknologji dhe AI, gjë që në afatmesëm mund të ulë presionet inflacioniste. Por jo të gjithë janë dakord me këtë interpretim. Jason Thomas nga Carlyle argumenton se lidhja mes AI dhe uljes së normave të interesit nuk është aq e thjeshtë. Sipas tij, AI kërkon investime shumë të mëdha në infrastrukturë teknologjike dhe energji. Kur investimet rriten kaq fort, teoria ekonomike sugjeron që normat reale të interesit mund të rriten, jo të ulen, për të shmangur mbinxehjen e ekonomisë. Kjo ka ndodhur edhe në fund të viteve ’90, gjatë bum-it të internetit. Pra, edhe pse në afat të gjatë AI mund të ulë kostot dhe çmimet për bizneset, në afat të shkurtër rritja e investimeve mund të krijojë presione inflacioniste.
Në fund, gjithçka varet nga ajo që Fed-i do të zgjedhë: të veprojë shpejt, bazuar në pritshmëritë për një bum të madh të produktivitetit nga AI, apo të presë prova konkrete.
Për momentin, entuziazmi për AI po ndikon fort në tregjet financiare, por vendimet e politikës monetare mbeten të kujdesshme. Një gjë është e qartë: ndikimi i AI tashmë nuk është vetëm në tregun e aksioneve, por po reflektohet edhe në tregun e bonove dhe pritshmëritë për normat e interesit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto