Gjiganti kinez i teknologjisë ByteDance ka premtuar se do të vendosë kufizime mbi një mjet të diskutueshëm të inteligjencës artificiale për krijimin e videove, pas kërcënimeve për veprime ligjore nga Disney dhe ankesave nga kompani të tjera të mëdha të industrisë së argëtimit.
Ditët e fundit, në internet janë përhapur me shpejtësi video të krijuara me versionin më të fundit të aplikacionit Seedance 2.0, të cilat janë vlerësuar për realizmin e tyre të lartë. Por ky trend ka ngritur edhe shqetësime serioze nga disa studio të mëdha hollivudiane, të cilat akuzojnë krijuesit e platformës për shkelje të të drejtave të autorit.
Të premten, Disney i dërgoi ByteDance një letër zyrtare “cease and desist”, duke e akuzuar se ka furnizuar Seedance me një “arkivë të piratuar” me personazhe të mbrojtur nga e drejta e autorit, përfshirë ato nga Marvel dhe Star Wars. Avokatët e Disney-t e cilësuan këtë veprim si një “grabite virtuale”, duke pretenduar se janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme personazhe dhe prona intelektuale të studios, si superheronjtë e Marvel, personazhet e Star Wars dhe figura të ndryshme nga filmat vizatimorë.
Të hënën, ByteDance i tha BBC-së se kompania “respekton të drejtat e pronësisë intelektuale dhe ka dëgjuar shqetësimet lidhur me Seedance 2.0”.
“Po ndërmarrim hapa për të forcuar masat mbrojtëse ekzistuese, me qëllim parandalimin e përdorimit të paautorizuar të pronësisë intelektuale dhe identitetit të personave nga ana e përdoruesve,” thuhet në deklaratë. Megjithatë, ByteDance nuk dha detaje konkrete mbi masat që planifikon të zbatojë.
Lexo edhe:Cyber Security Challenge Kosova & Albania 2026
Ashtu si mjetet e tjera gjenerative të AI, Seedance krijon video bazuar në komanda të shkurtra tekstuale. Shumë nga videot e krijuara i referohen aktorëve realë apo serialeve të njohura dhe disa prej tyre janë bërë virale pas lançimit të versionit 2.0 më 12 shkurt.
BBC ka identifikuar online video që pretendohet se janë gjeneruar nga Seedance, ku shfaqen personazhe si Anakin Skywalker dhe Rey nga Star Wars duke luftuar me shpatat e dritës, si edhe Spider-Man duke u përballur me Captain America në rrugët e Nju Jorkut. ByteDance nuk ka bërë publik se çfarë të dhënash janë përdorur për trajnimin e modelit Seedance. Më herët, kompania kishte njoftuar se kishte pezulluar mundësinë për përdoruesit që të ngarkonin imazhe të personave realë.
Gjithashtu, ByteDance ka theksuar se respekton të drejtat e autorit dhe i merr seriozisht çdo rast të mundshëm shkeljeje.
Ndërkohë, Disney vitin e kaluar nënshkroi një marrëveshje prej 1 miliard dollarësh me OpenAI, kompania pas ChatGPT dhe mjetit për gjenerim videosh Sora, duke i dhënë akses platformës në rreth 200 personazhe nga katalogu i saj, përfshirë Pixar, Marvel dhe Star Wars.
Kërcënimi ligjor i Disney-t vjen pas kritikave edhe nga kompani të tjera në Hollywood. Paramount Skydance raportohet se i ka dërguar gjithashtu ByteDance një letër “cease and desist”, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të përmbajtjeve të saj nga Seedance. Paramount Skydance është kontaktuar për koment.
Shoqata e Filmit në SHBA (Motion Picture Association), e cila përfaqëson studio të mëdha si Warner Bros Discovery, Paramount dhe Netflix, ka kërkuar që mjeti të “ndalojë menjëherë aktivitetin shkelës”. Edhe sindikata e aktorëve Sag-Aftra ka akuzuar Seedance për “shkelje flagrante” të të drejtave të autorit. Ndërkohë, qeveria japoneze ka nisur një hetim ndaj kompanisë kineze për shkelje të mundshme të të drejtave të autorit, pasi në internet janë shfaqur video të krijuara me AI me personazhe të njohura nga anime japoneze. Edhe mjete të tjera për gjenerimin e imazheve me AI janë përballur me padi. Vitin e kaluar, Disney dhe NBCUniversal paditën platformën Midjourney, duke e akuzuar se gjeneron “kopje të pafundme të paautorizuara” të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit. Çështja është ende në proces.
Po ashtu, Disney i ka kërkuar Google-it që të kufizojë gjenerimin e personazheve të saj në platformat e inteligjencës artificiale të kompanisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto