Njihuni me fituesit e Teens in AI Albania Techathon 2026 - Business Magazine Albania

Njihuni me fituesit e Teens in AI Albania Techathon 2026

Tirana u shndërrua në një qendër idesh dhe energjie rinore të premten, më 13 shkurt, gjatë zhvillimit të Teens in AI Albania Techathon 2026. Pas një dite intensive plot bashkëpunim, kreativitet dhe zgjidhje reale për probleme konkrete, u shpallën tre ekipet fituese që spikatën me idetë e tyre inovative në fushën e inteligjencës artificiale.

Ky hackathon nuk ishte thjesht një garë teknologjike, por një hapësirë ku të rinjtë patën mundësinë të punojnë në ekip, të testojnë aftësitë e tyre teknike dhe të zhvillojnë zgjidhje që adresojnë sfida reale shoqërore, nga shëndeti dhe edukimi, te siguria dhe barazia gjinore.

Vendi i Parë – CALMIFY: Teknologjia në shërbim të mirëqenies

Çmimi i parë prej 500 eurosh iu dha Ekipit 16, i përbërë nga Andi, Dea, Keila, Orion dhe Almir, me projektin CALMIFY. Zgjidhja e tyre synon monitorimin inteligjent të shëndetit përmes matjes së sinjaleve fiziologjike, mësimit të modeleve normale të trupit dhe identifikimit në kohë reale të anomalive. Aplikacioni paralajmëron përdoruesit në rast rreziku, duke ndihmuar në ndërhyrje të hershme dhe në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Ky projekt u vlerësua për qasjen e tij praktike dhe ndikimin potencial në shëndetin publik.

Vendi i Dytë – SCIBOT: Mësim i personalizuar për nxënësit

Me çmimin e dytë prej 300 eurosh u vlerësua Ekipi 35, i përbërë nga Anja, Roan, Artjon, Rejan dhe Klerti, me aplikacionin SCIBOT. Platforma përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar stilin individual të të nxënit të çdo nxënësi dhe për t’i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë lëndët shkollore përmes ushtrimeve interaktive dhe metodave të ndryshme mësimore. Ky projekt adreson një problem real në sistemin arsimor: mungesën e qasjes së personalizuar në procesin e të nxënit.

Vendi i Tretë – EQUAL IMPACT: Siguri më e drejtë për të gjithë

Ekipi 27, me anëtarët Xhoia, Albi, Dorina, Savio dhe Skerdilajd, fitoi çmimin e tretë prej 200 eurosh me projektin EQUAL IMPACT. Zgjidhja e tyre simulon skenarë aksidentesh duke përdorur parametra të ndryshëm truporë dhe modele fiziognomike si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Sistemi analizon rrezikun e dëmtimeve dhe ofron rekomandime të bazuara në të dhëna për të përmirësuar dizajnin e sigurisë. Projekti u vlerësua për ndërgjegjësimin që sjell mbi pabarazitë ekzistuese në dizajnin e sigurisë dhe për qasjen e tij gjithëpërfshirëse.

Lexo edhe: “Hani i Taulant Shahinit”, hani që ringjalli një histori mbi 100-vjeçare në Kodovjat!

Një brez që premton për të ardhmen e teknologjisë

Përtej fituesve, Teens in AI Albania Techathon 2026 tregoi nivelin e lartë të talentit, përkushtimit dhe bashkëpunimit mes të rinjve pjesëmarrës. Ajo që spikati ishte jo vetëm aftësia teknike, por edhe lidershipi, këmbëngulja dhe vizioni për të përdorur teknologjinë si mjet për ndikim pozitiv shoqëror.

Ky event dëshmoi se brezi i ri në Shqipëri ka potencialin për të ndërtuar zgjidhje me ndikim real dhe për t’u bërë pjesë aktive e ekosistemit të inovacionit dhe teknologjisë. Teens in AI Albania po kthehet gjithnjë e më shumë në një platformë ku idetë e të rinjve marrin formë, mbështetje dhe vizibilitet.

E ardhmja e teknologjisë është padyshim në duar të sigurta!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0