Miliarderi dhe drejtuesi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka deklaruar se do të mbulojë shpenzimet ligjore të çdo viktime të Jeffrey Epstein që paditet për shkak se flet publikisht për abuzimet dhe klientët e dyshuar të tij.
“Do të paguaj mbrojtjen ligjore për këdo që thotë të vërtetën për këtë çështje dhe paditet për këtë arsye,” shkroi Musk në rrjetet sociale.
Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj një postimi të komentatorit konservator Matt Walsh, i cili kishte ngritur pikëpyetje se pse viktimat e Epstein nuk i përmendin publikisht emrat e abuzuesve të tyre të dyshuar.
Postimi i Walsh përkoi me shpërndarjen e një reklame që u transmetua gjatë Super Bowl-it, ku shfaqeshin viktimat e Epstein. Në këtë reklamë, ato i bënin thirrje Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, që “të tregojë të vërtetën” mbi hetimet e Departamentit të Drejtësisë lidhur me çështjen Epstein.
Lexo edhe: Fuqia, reputacioni dhe heshtja! Çfarë zbulon dosja Epstein për elitën globale
“Nuk jam kundër publikimit të dokumenteve. Këto gra mund t’i përmendin abuzuesit e tyre në çdo moment. Në vend të kësaj, kanë nisur një fushatë publicitare që filloi pikërisht kur Joe Biden u largua nga posti,” shkroi Walsh në platformën X.
Ai shtoi se viktimat pretendojnë se njohin emra të personave të fuqishëm të përfshirë në krime seksuale ndaj të miturve, por nuk i bëjnë publike këto informacione.
“Madje kanë bërë edhe një reklamë në Super Bowl, ndërkohë që thonë se po detyrohen të heshtin, kur në fakt janë vetë ato që refuzojnë të japin informacionin që pretendojnë se kanë,” vazhdoi ai.
Në një koment të mëvonshëm, Walsh hodhi poshtë shqetësimet se viktimat mund të paditen nëse flasin publikisht, duke sugjeruar që ato t’ua japin emrat anëtarëve të Kongresit.
“Sipas tij, ligjvënësit mund t’i lexojnë emrat në sallën e Kongresit, duke mbrojtur veten dhe viktimat nga ndjekja ligjore,” shkroi ai.
Deklarata e Elon Musk për të mbuluar shpenzimet ligjore shihet si një mbështetje e drejtpërdrejtë për viktimat dhe një thirrje për më shumë transparencë në një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual në historinë moderne.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto