Liderët e Bashkimit Europian u mblodhën për një retreat njëditor në Alden Biesen Castle, me pjesëmarrjen edhe të ish-kryeministrit italian Mario Draghi. Presidenti francez theksoi nevojën për vendime konkrete, duke insistuar se nuk duhet të ketë “tabu”.
Krerët e BE-së diskutuan mënyra të reja për të ringjallur ekonominë e bllokut, për të hequr barrierat rregullatore dhe për të tërhequr investime, përballë konkurrencës në rritje nga SHBA dhe Kina.
Macron vendosi si afat Këshillin Europian të qershorit për të arritur marrëveshje mbi një paketë për rilançimin e ekonomisë europiane.
“Ndajmë të njëjtin ndjenjë urgjence… duhet të veprojmë menjëherë dhe të përshpejtojmë,” deklaroi ai, duke përmendur barrën e konkurrencës ndërkombëtare dhe, në veçanti, tarifat amerikane. “Nëse në qershor nuk kemi perspektiva konkrete dhe përparim të prekshëm, do të vazhdojmë me bashkëpunim të përforcuar.”
Draghi, autor i një raporti me ndikim mbi konkurrueshmërinë, u bëri thirrje liderëve të shqyrtojnë përdorimin e mekanizmit të “bashkëpunimit të përforcuar” për të lëvizur më shpejt me reforma në grupe më të vogla shtetesh anëtare. Ky instrument u përdor për herë të fundit në dhjetor për të miratuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Hungarisë, Sllovakisë dhe Çekisë.
Përplasja për Eurobondet
Kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh kategorikisht kundër borxhit të përbashkët europian, të njohur si Eurobonde.
“Unë nuk do ta mbështes idenë e Eurobondeve,” tha Merz, duke theksuar kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë. Ai shtoi se borxhi i përbashkët është përdorur vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si fondi i rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe kredia për Ukrainën.
Qëndrimi i tij bie ndesh me atë të Macron, i cili ka bërë thirrje për “Eurobonde të orientuara nga e ardhmja” për të financuar investimet strategjike.
“Një Europë, një treg” deri në 2027
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, njoftoi se liderët synojnë të kalojnë nga koncepti i tregut të vetëm drejt një qasjeje “Një Europë, një treg” deri në vitin 2027.
Ideja buron nga një raport i ish-kryeministrit italian Enrico Letta, i cili propozoi reforma të thella për të rritur konkurrueshmërinë e BE-së. Sipas Letta-s, matrica e re do të bazohet në tre shtylla vertikale; energji, ndërlidhje dhe tregje financiare dhe tre elemente horizontale, përfshirë “lirinë e pestë” dhe një regjim të ri të unifikuar për bizneset.
Lexo edhe: Shumica e europianëve presin rritje të çmimeve të ushqimeve gjatë 2026-ës
Regjimi i 28-të dhe marka“Made in Europe”
Liderët ranë dakord të përshpejtojnë punën për të ashtuquajturin “regjimi i 28-të”, një kornizë e re ligjore që do t’u ofrojë kompanive një set të vetëm rregullash korporative në të gjithë BE-në.
Po ashtu, u diskutua dhënia e trajtimit preferencial për kompanitë europiane në mënyrë “proporcionale” dhe “të synuar”. Franca shtyn për një qasje “Made in Europe” në prokurimet publike, ndërsa Gjermania preferon një formulë më të gjerë që përfshin vendet me marrëveshje tregtare me BE-në.
Unioni i kursimeve dhe investimeve
Costa konfirmoi mbështetje unanime për përshpejtimin e Unionit të Kursimeve dhe Investimeve, një paketë legjislative që synon të kanalizojë një pjesë të kursimeve europiane drejt investimeve në bizneset e BE-së.
Sipas presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfundimi i këtij unioni mund të çlirojë deri në 470 miliardë euro investime. Ajo paralajmëroi se nëse 27 shtetet nuk arrijnë progres deri në fund të vitit, do të propozojë ecjen përpara me një grup më të vogël vendesh përmes bashkëpunimit të përforcuar.
Energjia, tregtia dhe ETS
Von der Leyen dhe Costa mbrojtën Sistemin Europian të Tregtimit të Emisioneve (ETS), duke theksuar se dekarbonizimi dhe rritja ekonomike mund të ecin paralelisht.
Ndërkohë, Merz konfirmoi se Komisioni synon të zbatojë përkohësisht marrëveshjen tregtare me Mercosur, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Franca për shkak të shqetësimeve të fermerëve.
Objektivi i marsit
Von der Leyen premtoi se në samitin formal të marsit do të paraqesë një “roadmap” me afate dhe objektiva të detajuara për “Një Europë, një treg”, me pesë blloqe kryesore: thjeshtim rregullator, tregun e vetëm, energjinë, digjitalen dhe tregtinë.
Mes ndasive për financimin dhe Eurobondet, një gjë duket e qartë: BE-ja ndjen presionin e kohës. Qershori është afati i Macron-it për vendime konkrete. Nëse kompromisi nuk arrihet, Europa mund të hyjë në një fazë të re integrimi me ritme të ndryshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto