Kopenhageni, i konsideruar një nga qytetet më të lumtura dhe më të jetueshme në botë, ka nisur një fushatë të pazakontë, po synon të tërheqë njerëz që janë të pakënaqur me punën apo stilin e tyre aktual të jetesës.
Përmes nismës “Friend Recruiter Program”, autoritetet lokale ftojnë profesionistët ndërkombëtarë të regjistrohen së bashku me një mik. Nëse rekomandoni dikë për të eksploruar mundësitë e punës në rajonin e Kopenhagenit, të dy përfshiheni në një short për të fituar një udhëtim në qytet, me qëllim që të përjetoni nga afër jetën dhe tregun e punës në Danimarkë.
Ideja është e thjeshtë: para se të merrni një vendim të madh për karrierën, provoni jetën në një nga qytetet me cilësinë më të lartë të jetesës në botë.
Rajoni promovon një ekuilibër të fortë punë-jetë, me 5-6 javë pushime të paguara në vit, orare fleksibël dhe një kulturë pune të bazuar në besim dhe autonomi profesionale. Kopenhageni nuk ofron vetëm vende pune, por një model jetese që vendos në qendër mirëqenien.
Në vitin 2025, qyteti u rendit si më i jetueshmi në botë sipas indeksit Global Liveability, duke marrë vlerësime maksimale për stabilitetin, arsimin dhe infrastrukturën. Ai kryeson gjithashtu renditjet për lumturinë urbane, falë shëndetit publik, mobilitetit të gjelbër, mjedisit dhe standardit të lartë të jetesës.
Në një treg global ku talenti kërkohet me çdo kusht, Kopenhageni po konkurron jo vetëm me paga, por me cilësi jete. Dhe për shumë profesionistë që ndihen të mbingarkuar apo të pakënaqur, kjo mund të jetë pikërisht oferta që po prisnin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto