Rivaliteti mes Anthropic dhe OpenAI në reklama gjatë Super Bowl, teksa të dyja luftojnë për përdoruesit e AI - Business Magazine Albania

Rivaliteti mes Anthropic dhe OpenAI në reklama gjatë Super Bowl, teksa të dyja luftojnë për përdoruesit e AI

Rivaliteti mes Anthropic dhe OpenAI në reklama gjatë Super Bowl, teksa të dyja luftojnë për përdoruesit e AI
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Dy startup-et e inteligjencës artificiale pas chatbot-ëve rivalë ChatGPT dhe Claude po përgatiten për një përballje vendimtare këtë vit. Të dyja kompanitë duhet të provojnë se mund të ndërtojnë një biznes që fiton më shumë sesa shpenzon, në një treg ku kostot për teknologjinë e AI janë marramendëse.

Gara më e fortë mes OpenAI dhe Anthropic, por edhe me gjigantë si Google, është për të fituar besimin e drejtuesve të kompanive që kërkojnë të adoptojnë AI për të rritur produktivitetin në punë. Ky rivalitet tashmë ka dalë edhe jashtë botës së teknologjisë dhe është shfaqur në një nga skenat më të mëdha të reklamimit në botë: Super Bowl. Anthropic ka transmetuar dy reklama televizive gjatë ndeshjes, ku ironizon OpenAI për faktin se ka nisur të vendosë reklama në versionet falas dhe më të lira të ChatGPT. Ndërkohë që modeli i biznesit i Anthropic fokusohet te shitja e Claude për kompani dhe institucione, OpenAI po hap rrugën e reklamave për të fituar nga qindra miliona përdorues që e përdorin ChatGPT falas. Reklamat e Anthropic e trajtojnë me humor rrezikun e chatbot-ëve manipulues, të paraqitur si njerëz realë që flasin në një mënyrë artificiale dhe tepër entuziaste, krijojnë fillimisht “marrëdhënie” me përdoruesin dhe më pas përpiqen t’i shesin diçka. Spotet mbyllen me mesazhin: “Reklamat po vijnë në AI. Por jo te Claude.”, shoqëruar me fillimin e këngës “What’s the Difference” të Dr. Dre.

OpenAI reagoi menjëherë. CEO i saj, Sam Altman, tha në rrjetin X se reklamat ishin “qesharake” dhe “argëtuese”, por i quajti të pandershme dhe hodhi hije mbi bazën e përdoruesve të Anthropic. “Anthropic u shërben një produkti të shtrenjtë për njerëz të pasur,” shkroi Altman, duke shtuar se vetëm në Teksas ka më shumë njerëz që përdorin ChatGPT falas sesa të gjithë përdoruesit e Claude në SHBA.

Edhe presidenti dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Greg Brockman, e sfidoi drejtpërdrejt CEO-n e Anthropic, Dario Amodei, duke vënë në pikëpyetje nëse kompania e tij mund të premtojë realisht se nuk do ta shesë kurrë vëmendjen apo të dhënat e përdoruesve te reklamuesit. Amodei, i cili rrallë reagon në rrjetet sociale, nuk u përgjigj.

Lexo edhe: Kur reklama e Super Bowl publikohet më herët, strategji e zgjuar apo humbje e momentit?

Rivaliteti mes dy kompanive nisi në vitin 2021, kur Amodei dhe disa drejtues të OpenAI u larguan për të themeluar Anthropic, me premtimin për një fokus më të fortë te siguria e inteligjencës artificiale të avancuar. Kjo ndodhi para se ChatGPT të publikohej në fund të vitit 2022, duke zbuluar potencialin e madh komercial të modeleve gjuhësore që mund të ndihmojnë në shkrimin e emaileve, detyrave apo kodit kompjuterik. Konkurrenca është intensifikuar edhe më shumë këtë javë, pasi të dyja kompanitë prezantuan produkte të reja. OpenAI lançoi platformën Frontier, një lloj “qendre kontrolli” për bizneset që duan të përdorin mjete të ndryshme AI, përfshirë edhe ato që nuk janë zhvilluar nga vetë OpenAI, veçanërisht agjentë AI që punojnë në mënyrë autonome si “bashkëpunëtorë digjitalë”.

“Ne mund të jemi partneri kryesor për transformimin me AI në ndërmarrje. Potenciali i të ardhurave nga një platformë e tillë është i jashtëzakonshëm,” u shpreh Fidji Simo, CEO e aplikacioneve në OpenAI.

Nga ana tjetër, Anthropic tronditi tregun e softuerëve ligjorë me një përditësim të asistentit të saj Cowork, i cili automatizon hartimin e dokumenteve ligjore. “Si OpenAI, ashtu edhe Anthropic po përpiqen të pozicionohen si kompani-platformë. Modelet janë të rëndësishme, por nuk janë qëllimi final,” tha analisti i Gartner, Arun Chandrasekaran.

Dy startup-et nuk po konkurrojnë vetëm me njëra-tjetrën. Ato përballen edhe me Google, i cili ka modelin e vet të fuqishëm Gemini dhe një infrastrukturë cloud të mbështetur nga të ardhurat e reklamave digjitale. Marrëdhëniet e tyre me Amazon dhe Microsoft janë gjithashtu të ndërlikuara, pasi Amazon është ofruesi kryesor i cloud për Anthropic, ndërsa Microsoft zotëron 27% të OpenAI.

Sipas analistëve, kompanitë e mëdha cloud si Microsoft, Google dhe Amazon janë zgjedhja e parë për bizneset që duan të adoptojnë AI, ndërsa OpenAI dhe Anthropic shpesh vijnë në vend të dytë. Megjithatë, ka ende hapësirë për treg, pasi bizneset kërkojnë më shumë siguri dhe garanci për përdorimin e agjentëve AI që lidhen me sistemet dhe të dhënat e tyre.

Në garë është edhe chatbot-i Grok i Elon Musk, pjesë e kompanisë së tij të re, por aktualisht nuk shihet si një konkurrent serioz për tregun e biznesit. Musk ka një betejë ligjore të hapur me OpenAI, që pritet të shkojë në gjyq këtë pranverë. Anthropic dhe OpenAI janë ndër kompanitë private më të vlefshme në botë dhe investitorët presin që ato të dalin në bursë në vitet e ardhshme. Por ndryshe nga SpaceX apo gjigantët e teknologjisë, këto startup-e duhet të gjejnë shpejt një model biznesi fitimprurës për të përballuar kostot e mëdha të çipave dhe qendrave të të dhënave që kërkon AI.

Edhe pse të dyja kompanitë po gjenerojnë miliarda dollarë të ardhura nga abonimet dhe shërbimet e tyre, shpenzimet për infrastrukturë janë shumë më të larta. Vetë OpenAI ka pranuar se ka detyrime financiare mbi 1 trilion dollarë ndaj partnerëve që po i mbulojnë kostot e fuqisë llogaritëse. “Fitimi ka rëndësi, por jo si faktor afatshkurtër për investitorët, të cilët sot janë të fokusuar te shkalla, diferencimi dhe infrastruktura,” shprehet analisti i Forrester, Charlie Dai. Sipas Denise Dresser, drejtoreshë e re e të ardhurave në OpenAI, prioriteti i kompanisë është ndërtimi i platformës më të mirë të mundshme për bizneset. “CEO-t po ndjejnë urgjencën për të përdorur AI në mënyrë më të thjeshtë dhe më efektive. Ata e shohin AI-në si një avantazh kyç konkurrues dhe nuk duan të mbeten pas,” thekson ajo.

DHB

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0