Ministria e Arsimit ka publikuar zyrtarisht kalendarin e Provimeve Kombëtare të Arsimit Bazë për nxënësit e klasave të nënta, duke përcaktuar datat kur mijëra maturantë të vegjël do të ulen në banka për të testuar njohuritë e tyre.
Njoftimi është bërë publik nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë detajet e plotë të procesit të provimeve.
Sipas kalendarit zyrtar, provimet do të zhvillohen në këto data:
19 qershor – Gjuhë Shqipe
22 qershor – Gjuhë amtare (për nxënësit e pakicave kombëtare)
25 qershor – Matematikë
30 qershor – Gjuhë e huaj
Ky proces përbën një nga momentet më të rëndësishme për nxënësit e arsimit bazë, pasi rezultatet ndikojnë drejtpërdrejt në orientimin e tyre drejt shkollave të mesme.
Ministrja Kumbaro ka përcjellë gjithashtu një mesazh motivues për nxënësit, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe përgatitjes serioze: “Telefonat në shtëpi dhe dijet në mendje, sepse aty e marrin vlerën e vërtetë”.
Autoritetet arsimore bëjnë thirrje për respektimin e rregullave të provimit dhe për përgatitje të rregullt, ndërsa prindërit dhe mësuesit mbeten një mbështetje kyçe në këtë fazë të rëndësishme akademike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.