Nga Stephen Holmes* – Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes (NDS) e administratës Trump vendos “parandalimin” (deterrence) në qendër të strategjisë së madhe amerikane. Parandalimin e Kinës nga dominimi i Indo-Paqësorit. Parandalimin e kërcënimeve ndaj aksesit amerikan në tregjet aziatike. (Tajvani, çuditërisht, nuk përmendet.)
Dokumenti mban gjurmë të një autorësie të dyfishtë: realizmi strategjik i ftohtë i Elbridge Colby-t (nipi i ish-drejtorit të CIA-s, William Colby) për Kinën dhe nativizmi i etur i Stephen Miller-it, zëvendësshefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë të Trump-it, për migracionin. Ai riemërton braktisjen e aleancave si “ndarje e barrës”. Dhe duke kërkuar që Kina të qëndrojë larg Hemisferës Perëndimore, ndërsa këmbëngul për akses total amerikan në Indo-Paqësor, dokumenti shpërthen vetë konceptin e sferave të ndikimit.
Por koncepti qendror i dokumentit, parandalimi ka një kuptim të qartë, të zhvilluar përmes dekadash teorie strategjike. Dhe autorët e NDS duket se e kanë humbur fillin.
Ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Thomas Schelling, puna e të cilit mbetet themelore për mendimin strategjik, e kuptonte se parandalimi nuk lidhet kryesisht me kapacitetin. Përshkallëzimi merr formën e një “gare në marrjen e rrezikut”, të qeverisur po aq nga “ekuilibri i vendosmërisë” sa edhe nga ekuilibri i forcave. Parandalimi funksionon duke bindur kundërshtarët se angazhimi yt është aq i thellë, aq i besueshëm dhe aq i rrënjosur në identitetin dhe institucionet e tua, saqë nuk mund të tërhiqesh, edhe kur kjo do të ishte e arsyeshme.
Kjo kërkon atë që Schelling e quante “mekanizma angazhimi”, mënyra për ta lidhur veten në mënyrë që tërheqja të bëhet e pamundur. Shembulli klasik: djegia e urave pas ushtrisë. Sinjalizon vendosmëri duke eliminuar opsionet e tua. Ideja se Donald Trump, një bllofues i njohur me probleme serioze angazhimi – do të miratonte një pozicion nga i cili nuk mund të tërhiqej, është qesharake.
Trump ka treguar vazhdimisht se nuk i mban premtimet. Kthesat e tij mbi TikTok-un, tarifat dhe Ukrainën i dëshmojnë çdo vëzhguesi racional se angazhimet e tij kanë jetëgjatësinë e një insekti njëditor. Vija e kuqe e djeshme është karta negociuese e sotme. Trump përshkallëzon në retorikë dhe më pas tërhiqet kur shfaqen kostot ose kur vëmendja e tij zhvendoset në mënyrë kapriçioze. Ky nuk është sjellja e dikujt të gatshëm të djegë ura. Duke e parë këtë model të përsëritur, presidenti kinez Xi Jinping nuk ka asnjë arsye të besojë se angazhimi aktual i SHBA-së ndaj zinxhirit të parë ishullor (arkipelagu i Paqësorit Perëndimor që përmban fuqinë detare të Kinës) do t’i mbijetojë humorit të nesërm, interesit të radhës apo ciklit të lajmeve.
Lexo edhe: Reid Hoffman sfidon heshtjen e Silicon Valley: “Mjaft u përkulëm para Trump”
Në fakt, Trump është në luftë me vetë idenë e para-angazhimit. Siç treguan Douglass North dhe Barry Weingast në studimin e tyre klasik mbi besueshmërinë institucionale, një sundimtar mund të bëjë angazhime të besueshme në dy mënyra: ose duke krijuar precedent të sjelljes së përgjegjshme, ose duke u kufizuar nga rregulla dhe institucione që nuk lejojnë shkeljen e angazhimeve. Metoda e parë rrallë funksionon; presionet e pushtetit çojnë përfundimisht në shkelje. E dyta kërkon pikërisht atë që Trump po çmonton.
Në planin e brendshëm, sulmi i Trump-it ndaj institucioneve të pavarura Rezervës Federale, gjyqësorit, inspektorëve të përgjithshëm, shërbimit civil nuk pasqyron thjesht etjen për pushtet, por një armiqësi të thellë ndaj çdo kufizimi të diskrecionit presidencial. Ai nuk e duron dot idenë që duart t’i lidhen. Por pikërisht pavarësia e këtyre institucioneve i bën angazhimet afatgjata të besueshme për vëzhguesit e huaj. Kur kundërshtarët shohin një president amerikan që këmbëngul të ketë fuqinë të përmbysë çdo politikë, të shkarkojë çdo zyrtar dhe t’i shmanget çdo kufizimi, përfundimi është i qartë: asnjë angazhim i këtij njeriu nuk do t’i mbijetojë impulsit të tij të radhës. Lufta e Trump-it kundër balancave dhe kontrolleve është njëkohësisht një luftë kundër besueshmërisë amerikane jashtë vendit.
Besnikëria është monedha e aleancave. Vetë kuadri i Colby-t kërkon angazhim koalicioni – SHBA nuk mund ta mbrojë e vetme zinxhirin e parë ishullor në Detin e Kinës Jugore. Por besueshmëria e aleancave e përkeqëson problemin e angazhimit. Aleancat ndërtohen mbi sakrificë reciproke: ne të mbrojmë ty, ti na mbron ne, dhe ne nderojmë ata që kanë vdekur për kauzën e përbashkët.
Trump duket se nuk e kupton asgjë nga kjo. Në Davos, ai pretendoi se aleatët e NATO-s në Afganistan “qëndruan pak më mbrapa”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ia kujtoi: “Për çdo dy amerikanë që paguan çmimin suprem, kishte një ushtar nga një vend tjetër i NATO-s që nuk u kthye më te familja.” Në fakt, Danimarka, që sot është nën presion amerikan, ndërsa Trump kërkon kontrollin e Groenlandës pati numrin më të lartë të viktimave për frymë në koalicion.
Presidentit duket se nuk i intereson. Njëherë, në një varrezë ushtarake, ai pyeti se çfarë “fitonin” ushtarët e rënë. Pyetja nuk ishte retorike. Ai vërtet nuk e kupton pse dikush do të vdiste për një kauzë, për një vend apo për një shok. Një njeri për të cilin sakrifica është e pakuptueshme nuk mund t’i nderojë të vdekurit dhe nuk mund të mbajë gjallë lidhjet që kërkojnë aleancat.
Trump nuk i nderon as të gjallët. Ai i flak besnikët sapo bëhen të papërshtatshëm. Kushdo që i ka shërbyer me besnikëri, por jo plotësisht, përjashtohet. Mjafton të kujtojmë zëvendëspresidentin e tij të parë, Mike Pence. Nëse Trump nuk mund të qëndrojë besnik ndaj atyre që i kanë shërbyer verbërisht interesave të tij, pse duhet të besojë ndonjë lider i huaj se ai do të respektojë angazhimet ndaj aleatëve që herë pas here nuk bien dakord me të?
Së fundmi, Trump nuk është i aftë të përballojë kosto. Këtu logjika e parandalimit shembet plotësisht. Schelling e kuptonte se kërcënimet e besueshme kërkojnë komunikimin e gatishmërisë për të duruar dhimbje për t’ia shkaktuar atë kundërshtarit. Duhet të dukesh i aftë të dëmtohesh për të dëmtuar tjetrin. Por duhet bërë një dallim thelbësor: dhimbja duhet të përjetohet si dhimbje nga ai që e përballon.
Politika tarifore e Trump-it e zbulon saktësisht problemin. Ai i feston tarifat si fitore, edhe pse ato rrisin çmimet për familjet amerikane. Ai nuk e përjeton dhimbjen e tyre si kosto të tijën, por si triumf. Një lider që është indiferent apo madje i kënaqur nga vuajtja që u shkakton njerëzve të vet nuk mund ta përdorë atë vuajtje si sinjal të besueshëm vendosmërie. Kundërshtarët nuk shohin një lider të kalitur për sakrificë, por një që thjesht nuk e vëren dëmin.
Këtu qëndron rreziku i vërtetë. Kur kundërshtarët bindën se një president amerikan do të tërhiqet gjithmonë, ata mund të shkojnë shumë larg. Mund të keqllogaritin në mënyra që vrasin trupa amerikane ose godasin asete amerikane, duke ndezur një reagim të brendshëm që Trump nuk mund ta kontrollojë. SHBA mund të përfshihet në një luftë jo sepse Trump u angazhua dhe e mbajti qëndrimin, por sepse një kundërshtar, i bindur se po thërriste një tjetër bllof, zbuloi shumë vonë se kishte kaluar një vijë që publiku amerikan nuk do ta toleronte. Luftërat shpesh nisin pikërisht nga këto keqllogaritje: dobësia e perceptuar e njërës palë fton një provokim që shkakton një reagim të pakontrollueshëm.
Schelling e kuptonte këtë. Parandalimi dështon jo vetëm kur kërcënimet nuk janë të besueshme, por edhe kur mungesa e besueshmërisë i tundon kundërshtarët drejt pakujdesisë. Një lider që nuk mund të angazhohet nuk është thjesht i paefektshëm; ai është i rrezikshëm.
Strategjia e re e mbrojtjes e Trump-it flet rrjedhshëm gjuhën e parandalimit. Por dokumentet strategjike nuk parandalojnë. Liderët po. Institucionet po. Angazhimet e besueshme, të mbajtura me kohë, po. Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin mund ta lexojnë presidentin e Amerikës, të kotë, të çrregullt dhe bosh po aq qartë sa të gjithë ne. Rreziku është se ata do ta lexojnë shumë mirë.
*Stephen Holmes është profesor i së drejtës në Universitetin e Nju Jorkut dhe Richard Holbrooke Fellow në Akademinë Amerikane në Berlin. Ai është bashkautor (me Ivan Krastev) i librit The Light that Failed: A Reckoning (Penguin Books, 2019).
Copyright: Project Syndicate, 2026.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.