Në kuadër të 28 Janarit, Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi një fushatë ndërgjegjësuese dhe edukative për nxënësit dhe qytetarët e Tiranës. Qëllimi ishte të rritej ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë online.
Fushata u zhvillua në shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze, ku u shpërndanë posterë informues me këshilla praktike për ruajtjen e të dhënave personale, përdorimin e sigurt të internetit dhe respektimin e privatësisë online. Mesazhi kyç i këtij viti ishte: “Kujdesi për të dhënat personale është respekt për lirinë dhe dinjitetin e secilit prej nesh!”, duke nxjerrë në pah angazhimin e institucionit për të forcuar besimin e qytetarëve në përpunimin ligjor dhe të drejtë të të dhënave personale sipas ligjit nr. 124/2024.
Si pjesë e aktiviteteve, nxënës të Shkollës së Kuqe në Tiranë vizituan ambientet e Zyrës së Komisionerit, ku prezantuan punime të realizuara prej tyre mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe respektimin e të drejtave individuale. Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi se edukimi për të dhënat duhet të nisë që në moshë të hershme për të ndërtuar një kulturë përgjegjësie dhe ndërgjegjësimi qytetar.
Lexo edhe: Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve
Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Pjerina Mema, mbajti prezantime me shembuj praktikë dhe materiale ndërkombëtare mbi përdorimin e sigurt të internetit.
Fushata u zhvillua gjithashtu në bashkëpunim me ofrues të shërbimeve elektronike dhe bankat, përmes shpërndarjes së mesazheve sensibilizuese dhe njoftimeve informative në aplikacionet e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.