Si mund ta shfrytëzojnë vendet në zhvillim Inteligjencën Artificiale - Business Magazine Albania

Si mund ta shfrytëzojnë vendet në zhvillim Inteligjencën Artificiale

Si mund ta shfrytëzojnë vendet në zhvillim Inteligjencën Artificiale
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Që prej krizës financiare globale të vitit 2008, politikat industriale janë rikthyer gradualisht në diskursin ekonomik, pasi për dekada me radhë ishin konsideruar si ndërhyrje të gabuara, sidomos për vendet në zhvillim. Ironikisht, rikthimi i tyre po udhëhiqet nga ekonomitë e zhvilluara që dikur i refuzonin këto politika, ndërsa orientimi drejt inteligjencës artificiale (AI) dhe energjive të rinovueshme po e përshpejton këtë ndryshim.

Për vendet në zhvillim, ky realitet i ri krijon mundësi, por vetëm nëse ato arrijnë të menaxhojnë tre kufizime kryesore: një mjedis mbështetës të dobët (mungesë infrastrukture dhe inputesh bazë), hapësirë të kufizuar për hartimin e politikave dhe kufizime serioze fiskale. Politika industriale shpesh reduktohet në subvencione apo lehtësira fiskale, por për shumë ekonomi në zhvillim kjo nuk mjafton. Pa lidhje të besueshme digjitale, furnizim të qëndrueshëm me energji, rregullore të besueshme për mbrojtjen e të dhënave dhe një forcë punëtore të kualifikuar, ambiciet për rritje të udhëhequr nga AI rrezikojnë të mbeten vetëm retorikë.

Hapësira e politikëbërjes për vendet në zhvillim është gjithashtu e kufizuar, pasi rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT/WTO) ndalojnë përdorimin e instrumenteve që dikur ishin thelbësore për industrializimin e suksesshëm të Azisë Lindore, si subvencionet e lidhura me eksportin, kërkesat për përmbajtje vendase apo transferimin e teknologjisë. Ndërkohë, ekonomitë e mëdha globale – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kina – zbatojnë politika industriale në shkallë të gjerë, shpesh duke anashkaluar apo përkulur rregullat që të tjerëve u kërkohet t’i respektojnë. Asimetria është e qartë: nga mbi 2.500 masa të politikës industriale të ndërmarra globalisht në vitin 2023, pothuajse gjysma i përkisnin këtyre tre ekonomive.

Kufizimet fiskale e përkeqësojnë situatën. Në shumë vende në zhvillim, deri në 80% e shpenzimeve publike shkojnë për paga dhe shërbimin e borxhit, duke lënë shumë pak hapësirë për investime afatgjata. Ndryshe nga SHBA apo BE, këto vende nuk kanë mundësi të financojnë paketa masive subvencionesh apo programe teknologjike miliardëshe. Edhe pse parqe teknologjike dhe inkubatorë janë shtuar në Afrikë dhe Azi, pak prej tyre kanë prodhuar rezultate domethënëse. Siç vëren UNCTAD, këto zona funksionojnë vetëm kur janë të lidhura me zinxhirë ekzistues furnizimi; përndryshe, rrezikojnë të mbeten “elefantë të bardhë” – mbresëlënës në letër, por të pafunksionueshëm në praktikë.

Për vendet në zhvillim, një qasje e arsyeshme ndaj AI është përdorimi i modeleve të avancuara që tashmë janë në dispozicion. Pa barrën e infrastrukturave të vjetra, këto vende mund të “kapërcejnë faza”, ashtu siç ndodhi me kalimin direkt nga mungesa e linjave fikse te telefonia mobile. Përdorimi i AI kushton shumë më pak sesa ndërtimi i saj. Sot, çdokush mund të përdorë mjete si ChatGPT pa ndërtuar qendra të dhënash apo ekipe elitare inxhinierësh.

Lexo edhe: Manuali i fashizmit modern, si ndërtohet autoritarizmi në shekullin e XXI

Aplikime të tilla të synuara mund të jenë transformuese. Në shëndetësi, diagnostikimi i asistuar nga AI mund të optimizojë përdorimin e kapaciteteve të kufizuara mjekësore. Në arsim, platformat digjitale mund të kompensojnë mungesën kronike të mësuesve. Në bujqësi, analizat parashikuese mund t’i ndihmojnë fermerët të përballen me paqëndrueshmërinë klimatike. Këto përdorime mund të mos duken spektakolare për ata që ndodhen në majën e inovacionit teknologjik, por ato sjellin përfitime reale aty ku nevoja është më e madhe.

Kjo është politika industriale në formën e saj më efektive: pragmatike, eksperimentale dhe e përshtatur me realitetet vendase. Siç argumenton ekonomisti Dani Rodrik, suksesi nuk qëndron në ndjekjen e një modeli të fiksuar, por në identifikimin e sektorëve ku ndërhyrja publike mund të çlirojë potencial të fshehur.

Sigurisht, edhe një axhendë modeste inovacioni kërkon financim, ndërkohë që kapitali vendas i sipërmarrjes mungon në shumë vende në zhvillim, ku pasuria private shpesh transferohet jashtë. Megjithatë, qeveritë mund të krijojnë institucione që tërheqin kapital privat, përmes financimit të kombinuar, fondeve sovrane të inovacionit, garancive të synuara dhe qendrave rajonale të teknologjisë. Edhe donatorët ndërkombëtarë duhet të rrisin mbështetjen. Sipas OECD-së, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit merr vetëm rreth 2% të fondeve të ndihmës për tregti – shumë më pak sesa nevojitet për ndërtimin e kapaciteteve digjitale.

Njëkohësisht, qeveritë duhet të përdorin teknologjitë digjitale për të rritur eficiencën, veçanërisht në mbledhjen e të ardhurave, për të krijuar hapësirë fiskale. Puna e UNCTAD për digjitalizimin e doganave, përmes sistemit ASYCUDA, është ilustrative. Në Angola, digjitalizimi i procedurave doganore solli rritje të të ardhurave me 44% brenda një viti dhe me 13% vitin pasues. Në Irak, të ardhurat doganore u rritën me mbi 120% brenda një viti pas digjitalizimit të pikave kryesore kufitare. Ndërsa në Bangladesh, reformat digjitale graduale sollën rritje mesatare vjetore të të ardhurave prej rreth 11%.

Ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet thelbësor, rregullat globale të tregtisë duhet të përshtaten me realitetet e reja të industrializimit digjital dhe të gjelbër. Marrëveshja TRIPS për të drejtat e pronësisë intelektuale mund të ketë pasur kuptim në kohën kur u hartua, por sot ajo pengon aksesin në teknologji kritike. Regjimet e patentave duhet të lehtësojnë përhapjen e teknologjive, ashtu siç ndodhi dikur me licencat e detyrueshme për barnat jetike.

Po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi mes vetë vendeve në zhvillim. Asnjë vend i vetëm nuk mund të përballojë investimet e nevojshme për AI apo teknologji të pastra. Platformat e përbashkëta, si CERN në fushën e kërkimit shkencor, tregojnë se ndarja e kostove dhe rreziqeve mund të sjellë përfitime të ndërsjella. Për pjesën më të madhe të Jugut Global, që ndan sfida të ngjashme shëndetësore dhe klimatike, ka të dhëna të bollshme dhe fuqi punëtore teknike me kosto relativisht të ulët, inovacioni i përbashkët është jo vetëm ekonomikisht i arsyeshëm, por edhe strategjik.

Rikthimi i politikës industriale shënon një ndryshim të madh në mendimin ekonomik global. Për vendet në zhvillim, ky ndryshim është njëkohësisht mundësi dhe sfidë. Rruga drejt industrializimit është më e ngushtë dhe më kërkuese se më parë, por jo e pakalueshme. Duke investuar në kapacitete bazë, duke synuar aplikime me ndikim të lartë të AI, duke mobilizuar financim inovativ dhe duke shfrytëzuar hapësirën ekzistuese të politikëbërjes, këto vende mund të përshpejtojnë zhvillimin e tyre. Suksesi nuk do të vijë nga imitimi i modeleve të vendeve të pasura, por nga përshtatja pragmatike me realitetet lokale.

Shamika Sirimanne është Këshilltare e Lartë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD). Taffere Tesfachew është Këshilltar i Lartë pranë Tony Blair Institute for Global Change.

Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0