Bota po ndryshon mënyrën se si njerëzit marrin kujdes shëndetësor. Pandemia e COVID-19 nxiti zhvillimin e shpejtë të shërbimeve telehealth dhe e-health, duke i dhënë pacientëve mundësinë të konsultohen me mjekë përmes telefonit, videove apo platformash të asistuara nga Inteligjenca Artificiale. Përfitimet janë të dukshme: reduktim i pritjeve, qasje më e lehtë për pacientët në zonat rurale si edhe një mundësi për sistemet shëndetësore të menaxhojnë më mirë ngarkesën e klinikave dhe spitaleve.
Në botë, shembuj të suksesshëm nuk mungojnë. Institucione si Harvard Health dhe platforma globale si Teladoc Health dhe Babylon Health kanë demonstruar se kombinimi i ekspertizës klinike me teknologjinë digjitale mund të përmirësojë diagnozën, të ulë kostot dhe të sigurojë monitorim të vazhdueshëm për pacientët me sëmundje kronike. Mjekët përdorin platforma të sigurta për video-konsultime, kurse algoritme inteligjente ndihmojnë në parashikimin e simptomave, gjenerimin e rekomandimeve dhe dërgimin e kujdesit të personalizuar. Ky model ofron një kombinim të fuqishëm mes njohurive njerëzore dhe analizës së të dhënave në kohë reale.
Në Shqipëri, ideja e klinikave digjitale po fillon të marrë terren. Platforma lokale si, Bliss, Dr.Luke, Konsulto PT etj po provojnë këtë model. Ato ofrojnë konsultime përmes telefonit dhe videove, duke u përqendruar te tre përfitimet kryesore: akses i shpejtë, reduktim i kostove dhe monitorim i vazhdueshëm i pacientit.
Një nga avantazhet më të mëdha të e-health është monitorimi i sëmundjeve kronike. Për pacientët me diabet, hipertension apo sëmundje të zemrës, aplikacionet digjitale dhe pajisjet e lidhura me internetin lejojnë mbikëqyrje të vazhdueshme, raportim të simptomave dhe ndërhyrje të shpejtë nga mjeku, pa nevojën për të shkuar çdo javë në klinikë. Në këtë mënyrë, telehealth nuk është thjesht një alternativë; ajo mund të bëhet një zgjidhje parandaluese dhe terapeutike e integruar në jetën e pacientit.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto