Shumica e personave mbi 100 vjeç kanë këtë grup gjaku, ja çfarë... - Business Magazine Albania

Shumica e personave mbi 100 vjeç kanë këtë grup gjaku, ja çfarë thotë studimi shkencor

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se një grup i caktuar gjaku lidhet ngushtë me jetëgjatësinë dhe rezistencën ndaj sëmundjeve serioze. Sipas të dhënave, grupi i gjakut 0 rezulton të jetë më i përhapuri tek personat që kanë kaluar moshën 100-vjeçare, duke ngritur interesin e komunitetit shkencor për rolin e faktorëve biologjikë në plakjen e shëndetshme.

Hulumtimet tregojnë se personat me grup gjaku 0 kanë një rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare, përfshirë infarktin e zemrës dhe goditjen në tru. Gjithashtu, ata shfaqin më pak raste të disa llojeve të kancerit, veçanërisht atij të stomakut dhe pankreasit. Ekspertët shpjegojnë se ky avantazh lidhet me faktin se gjaku i këtij grupi ka më pak faktorë që nxisin mpiksjen, çka ndikon drejtpërdrejt në uljen e rrezikut për bllokime arteriale dhe probleme serioze të qarkullimit të gjakut.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore PLOS Genetics dhe i udhëhequr nga profesori Stuart Kim i Universitetit Stanford, analizoi materialin gjenetik të mbi 800 personave mbi 100 vjeç dhe rreth 5.400 individëve në të 90-at. Rezultatet treguan se personat jetëgjatë kanë më pak gjene të lidhura me sëmundje kronike, gjë që shpjegon pse ata sëmuren më rrallë dhe ruajnë një shëndet më të qëndrueshëm në moshë të thyer.

Studiuesit identifikuan katër gjene kryesore që ndikojnë në procesin e plakjes, përfshirë një gjen të lidhur drejtpërdrejt me grupin e gjakut, një tjetër që ndikon në ndarjen e qelizave, si dhe gjene që lidhen me rrezikun për Alzheimer dhe jetëgjatësinë. Në këtë analizë, grupi i gjakut 0 doli të ishte më i zakonshmi tek personat që kishin kaluar shekullin e jetës.

Sipas profesorit Kim, njerëzit jetojnë më gjatë pjesërisht sepse nuk preken shpesh nga sëmundje të rënda. Ai shton se ekziston mundësia që këta individë të kenë mekanizma mbrojtës natyrorë kundër plakjes, të cilët ende nuk janë kuptuar plotësisht nga shkenca, por që mund të hapin rrugë për trajtime dhe parandalime të reja në të ardhmen.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0