Shkrimi që shëron trurin, si fjalët na bëjnë më të fortë emocionali... - Business Magazine Albania

Shkrimi që shëron trurin, si fjalët na bëjnë më të fortë emocionalisht?

Nga një mesazh i shkruar me nerva, te një shënim në ditar apo një artikull opinioni, akti i shkrimit, sado i zakonshëm, ka fuqi të jashtëzakonshme mbi trurin dhe gjendjen tonë emocionale. Këtë e konfirmon një analizë e publikuar nga The Conversation, e bazuar në studime të psikologjisë dhe neuroshkencës, sipas së cilës shkrimi ndërton reziliencë dhe na ndihmon të përballojmë stresin, traumën dhe sfidat e jetës së përditshme.

Sipas autores Emily Ronay Johnston, pedagoge e studimeve të shkrimit në Universitetin e Kalifornisë, shkrimi na lejon njëkohësisht t’i emërtojmë dhimbjet tona dhe të krijojmë distancë prej tyre. Kjo zhvendosje mendore, nga mbingarkesa emocionale drejt qartësisë, është thelbi i reziliencës.

Çfarë është rezilienca dhe pse keqkuptohet?

Në diskursin publik, rezilienca shpesh paraqitet si një cilësi heroike: të mos dorëzohesh kurrë, të gjesh gjithmonë anën pozitive, të jesh i fortë pavarësisht gjithçkaje. Por studiuesit theksojnë se rezilienca nuk është perfeksion emocional, por një proces i vazhdueshëm përshtatjeje.

Shoqata Amerikane e Psikologjisë e përkufizon reziliencën si aftësinë për t’u rritur përmes vështirësive, dhe shkrimi është një nga mjetet më të thjeshta për ta ushtruar atë.

Si e “riprogramon” shkrimi trurin?

Që në vitet ’80, psikologu James Pennebaker zhvilloi teknikën e shkrimit shprehës, e cila përfshin shkrimin e vazhdueshëm rreth përvojave të dhimbshme. Ky proces ndihmon trurin të shkëpusë ngarkesën emocionale nga përvoja, duke krijuar ndjesinë e sigurisë.

Në terma të thjeshtë, kur shkruajmë, ia “dorëzojmë” trurit barrën emocionale në letër. Është si ta vendosësh dhimbjen në një raft, aty është, por nuk të rëndon vazhdimisht.

Neuroshkenca tregon se shkrimi aktivizon disa zona të trurit njëkohësisht:

  • zonat e memories dhe vendimmarrjes,

  • sistemin vizual dhe motorik,

  • mekanizmat e konsolidimit të kujtesës.

Kjo ndihmon në riformulimin e përvojave të vështira dhe në menaxhimin më të mirë të emocioneve.

Të shkruash = të qetësosh trurin

Studimet me imazheri tregojnë se emërtimi i emocioneve me fjalë ul aktivitetin e amigdales, zona e trurit përgjegjëse për frikën dhe reagimet instinktive, dhe aktivizon korteksin prefrontal, që lidhet me arsyetimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Me fjalë të tjera, kur shkruan, kalon nga reagimi impulsiv te veprimi i menduar.

Edhe detyra të thjeshta, si hartimi i një liste punësh, ndihmojnë trurin të rifitojë fokusin dhe ndjenjën e kontrollit.

Shkrimi krijon kuptim dhe identitet

Të zgjedhësh të shkruash do të thotë të zgjedhësh t’i japësh kuptim përvojës. Studiuesit theksojnë se shkrimi nuk është vetëm komunikim – është një formë e të menduarit dhe një mënyrë për të ndërtuar identitetin.

Në këtë kuptim, shkrimi jo vetëm shpreh reziliencën, por është vetë prova e saj.

Si të ndërtosh reziliencë përmes shkrimit – 5 këshilla praktike

Ekspertët sugjerojnë disa hapa të thjeshtë:

  1. Shkruaj me dorë, kur të jetë e mundur, ngadalëson mendimin dhe thellon përpunimin emocional.

  2. Shkruaj çdo ditë, edhe pak, ndjenja, plane, mendime të shpërndara.

  3. Shkruaj para se të reagosh, veçanërisht në momente emocionesh të forta.

  4. Shkruaj letra që nuk i dërgon kurrë, një mënyrë e sigurt për çlirim emocional.

  5. Trajto shkrimin si proces, jo si perfeksion, rishikimi dhe reflektimi rrisin vetëdijen dhe besimin.

Rezilienca është më e zakonshme nga sa mendojmë

Sipas studiuesve, rezilienca nuk fshihet vetëm në histori mbijetese ekstreme, por edhe në ditarë personalë, email-e të vështira, lista detyrash apo ese studentësh. Janë këto forma të vogla shkrimi që, çdo ditë, ndihmojnë njerëzit të përballen me jetën.

Nice News

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0