Vezët nuk rrisin kolesterolin, përkundrazi mund ta ulin, studim i ri... - Business Magazine Albania

Vezët nuk rrisin kolesterolin, përkundrazi mund ta ulin, studim i ri rrëzon një mit të vjetër

Për dekada me radhë, vezët janë parë si “armike” të shëndetit të zemrës për shkak të përmbajtjes së lartë të kolesterolit. Por një studim i ri nga Australia po ndryshon rrënjësisht këtë perceptim, duke treguar se konsumimi i vezëve mund të ulë kolesterolin e keq, në vend që ta rrisë atë.

Rezultatet e studimit janë publikuar në The American Journal of Clinical Nutrition dhe dallojnë qartë mes kolesterolit ushqimor (si ai që gjendet te vezët) dhe kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”, i lidhur me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Çfarë zbuluan studiuesit?

Sipas studimit, konsumimi i dy vezëve në ditë, si pjesë e një diete me kolesterol të lartë, por me yndyra të ngopura të ulëta, çoi në ulje të nivelit të LDL-së, duke reduktuar potencialisht rrezikun për sëmundje të zemrës.

“Këshillat e vjetra ushqimore i kanë trajtuar vezët padrejtësisht,” u shpreh Jon Buckley, studiuesi kryesor. “Vezët janë unike, kanë kolesterol të lartë, por janë të varfra në yndyra të ngopura. Pikërisht ky detaj është keqkuptuar për vite me radhë.”

Ai shton se studimi arriti të ndajë efektin e kolesterolit nga ai i yndyrave të ngopura, duke treguar se kolesteroli nga vezët nuk rrit kolesterolin e keq, nëse dieta është e balancuar.

Si u realizua studimi?

Studimi përfshiu 61 të rritur, të ndarë në tre grupe dietash me të njëjtin numër kalorish:

  • Grupi i parë konsumoi një dietë me kolesterol të lartë dhe yndyra të ngopura të ulëta, përfshirë dy vezë në ditë;

  • Grupi i dytë ndoqi një dietë me kolesterol të ulët dhe yndyra të ngopura të larta, pa vezë;

  • Grupi i tretë ishte grup kontrolli, me kolesterol dhe yndyra të ngopura të larta, duke përfshirë vetëm një vezë në javë.

Pas pesë javësh, grupi që konsumonte dy vezë në ditë shfaqi ulje të ndjeshme të LDL-së, ndërsa dieta pa vezë nuk solli të njëjtin përfitim. Në të gjitha rastet, yndyrat e ngopura u lidhën drejtpërdrejt me rritjen e kolesterolit të keq.

“Ishte yndyra e ngopur faktori kryesor që rritte kolesterolin,” thekson Buckley. “Mund të themi se kemi prova të forta në mbrojtje të vezës.”

Bonus për trurin

Përfitimet nuk ndalen vetëm te zemra. Një tjetër studim i vitit 2024 zbuloi se konsumimi i të paktën një veze në javë lidhej me një ulje prej 47% të rrezikut për Alzheimer, krahasuar me personat që hanin vezë më pak se një herë në muaj.

Sipas studiuesve, 39% e këtij efekti lidhet me kolinën, një lëndë ushqyese thelbësore për zhvillimin e trurit dhe funksionet njohëse.

“Vezët janë një nga ushqimet e pakta të zakonshme që janë natyralisht të pasura me kolinë,” u shpreh studiuesja Taylor Wallace, duke theksuar rolin e saj në shëndetin e trurit në të gjitha moshat.

Çfarë duhet të shqetësojë vërtet pjatën e mëngjesit?

Sipas ekspertëve, problemi nuk janë vezët, por shoqëruesit e tyre. “Në një mëngjes të gatuar, nuk janë vezët që dëmtojnë zemrën, por proshuta, sallami apo sasia e tepërt e yndyrës,” përfundon Buckley.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0