Dhuna digjitale ndaj fëmijëve po shndërrohet në një prej sfidave sociale më të nxehta të Europës moderne. Një raport i ri i OECD-së zbardh një panoramë shqetësuese: përqindja e fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga cyberbullying është rritur në të gjitha 29 vendet europiane të analizuara. Ky është rritja më e gjerë kontinentale e regjistruar ndonjëherë, e cila ngre alarmin për institucione, familje dhe politikëbërës.
Sipas raportit “How’s Life for Children in the Digital Age?”, vendet baltike, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda renditen mes zonave më të goditura, ndërsa Spanja, Portugalia dhe Greqia regjistrojnë nivelet më të ulëta. Diferencat janë të mëdha dhe shpjegohen nga një mozaik faktorësh teknologjikë, kulturorë dhe institucionalë – nga prevalenca e telefonave inteligjentë, te normat sociale të komunikimit dhe cilësia e edukimit dixhital nëpër shkolla.
Çfarë është cyberbullying?
OECD e përkufizon cyberbullying si çdo formë ngacmimi, kërcënimi apo sjelljeje agresive të përsëritur që ndodh online, shpesh me një raport të pabarabartë fuqie mes agresorit dhe viktimës. Në përditshmërinë e fëmijëve, kjo manifestohet përmes: mesazheve fyese, postimeve publike me përmbajtje tallëse, shpërndarjes së fotove pa leje dhe krijimit të faqeve apo komenteve poshtëruese.
Studimi mbulon grupmoshat 11, 13 dhe 15 vjeç, të cilat konsiderohen më të ekspozuara për shkak të intensitetit të përdorimit të rrjeteve sociale.
Cilat vende po preken më shumë?
Në periudhën 2021–2022, përqindja e fëmijëve të bulluar online varionte nga 7.5% në Spanjë deri në 27.1% në Lituani, vendi më i goditur në Europë.
Mesatarja e OECD-së (e cila reflekton kryesisht vendet europiane) arriti 15.5%, një rritje e ndjeshme nga 12.1% katër vite më parë.
Përtej Lituanisë, nivele të larta raportohen në: Letoni, Poloni, Angli, Hungari, Estoni, Irlandë, Skoci, Suedi, Finlande dhe Danimarkë.
Pse ndryshojnë shifrat mes vendeve?
Sipas profesor James O’Higgins Norman, UNESCO Chair për Bullying dhe Cyberbullying, dallimet janë rezultat i ndërthurjes së tre faktorëve:
1. Teknologjia.
Akses më i lartë në internet dhe përdorimi më intensiv i smartphone-ve rrit mundësitë e ndërveprimeve konfliktuale.
2. Kultura.
Shoqëritë ku tolerohen konfliktet verbale, ironia apo agresioni i tërthortë, priren të raportojnë more raste të cyberbullying.
3. Institucionet.
Edukimi digjital, programet në shkolla dhe roli i prindërve janë faktorët që e ulin ose e rrisin rrezikun.
Ekspertët e European Antibullying Network theksojnë gjithashtu rolin e pabarazive sociale dhe niveleve të mbështetjes familjare në ekspozimin e fëmijëve ndaj dhunës online.
Raporti nxjerr në pah se vajzat preken më shumë nga cyberbullying në shumicën e vendeve.
Mesatarja europiane: 16.4% vajza dhe 14.3% djem.
Arsyet lidhen me mënyrën se si vajzat përdorin rrjetet sociale, më shumë komunikim ndërpersonal, autoprofilizim dhe ekspozim në forma të dhunës emocionale dhe përjashtuese. Lituania është përjashtimi i vetëm i madh ku djemtë raportojnë nivele më të larta.
Rreziku më i lartë në familjet me një prind
Diferenca më e madhe shfaqet kur krahasohen fëmijët që jetojnë në familje me një prind:
19.8% raportojnë cyberbullying, kundrejt
14.1% në familjet me dy prindër.
Ekspertët nënvizojnë se kjo lidhet me mungesën e kohës, stresin ekonomik dhe vështirësitë e monitorimit të aktiviteteve digjitale. Fëmijët në këto familje kalojnë më shumë kohë online, shpesh pa ndërhyrje prindërore, duke rritur rrezikun e ekspozimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto