Shqipëria po avancon drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe të biznesit përmes forcimit të identitetit të saj digjital.
Në kuadër të projektit Cyber Balkans, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga e-Governance Academy (eGA), Center for International Legal Cooperation (CILC) dhe Národní úřad pro kybernetickou a informační bezpečnost (NÚKIB), u organizua një workshop dedikuar prezantimit të draft-ligjit për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin Digjital.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, sektorit financiar, komunitetit fintech dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar një prej reformave më të rëndësishme në digjitalizimin e shërbimeve në vend.
Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, theksoi se draft-ligji ka një rol transformues në modernizimin e identifikimit elektronik dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe shërbimet publike.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e sigurisë kibernetike, veçanërisht në kontekstin e vizionit kombëtar për një ekonomi “cashless” deri në vitin 2030.
Nga partnerët ndërkombëtarë, Emily van Rheenen, Udhëheqëse e Komponentit në CILC, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt përafrimit me eIDAS 2.0, ndërsa Geert-Jan van de Ven, Drejtor i Qendrës së Sigurisë dhe Privatësisë së Informacionit në Holandë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit publik-privat për krijimin e një ekosistemi të besueshëm të identitetit elektronik.
Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit prezantuan nga ana tjetër qasjen praktike të zbatimit të Portofolit Digjital, duke treguar elementët kryesorë të arkitekturës së tij dhe mundësitë që sjell kjo reformë në ofrimin e shërbimeve publike, si dhe për bizneset dhe qytetarët.
Workshop-i përfshiu një sesion interaktiv, që mundësoi mbledhjen e komenteve dhe vlerësimeve mbi zbatimin praktik të portofolit digjital dhe elementëve të draft-ligjit.
Diskutimet synuan forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përgatitjen e Shqipërisë për ngritjen e një kuadri të sigurt, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane.
Ky hap i ri shënon një moment kyç në rrugën e vendit drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe avancimit të sigurisë dhe besueshmërisë së identitetit elektronik për qytetarët dhe bizneset.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.