Bashkimi Europian po zgjeron mbështetjen për bizneset në Shqipëri, me fonde të reja që lidhen me ‘Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor’ dhe tranzicionin e gjelbër. Në një intervistë për Top Channel Shefja e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE, Ritva Heikkinen shpjegon avancimin e projekteve në Shqipëri dhe sesi vendi ynë mund të përfitojë më shumë. Inovacioni, Mjedisi dhe Ekonomia qarkulluese do të jenë edhe fushat e zbatimit.
“Do të përmendja katër lloje instrumentesh. Së pari, grantet, të cilat i menaxhojmë këtu në Delegacionin e BE-së përmes programeve si EU4Innovation ose EU4Circular Economy and Livable Cities. Kemi gjithashtu grante në nivel rajonal, që menaxhohen në Bruksel, si edhe grante të ofruara në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Përfshihen edhe programet ndërkufitare dhe programet ndër-rajonale.
Dhe së fundi, kemi instrumentin e ri financiar Plani i Rritjes dhe Axhenda e Reformave i cili mbështet reformat strukturore këtu në Shqipëri, që më pas përfitojnë edhe bizneset. Për shembull, përmirësimi i sistemit kadastral dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, për të siguruar fuqi punëtore të kualifikuar për bizneset”, shprehet Ritva Heikkinen, shefe e bashkëpunimit, delegacioni i BE.
Vetëm për sektorin e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, fondet që BE janë rritur ndjeshëm kundrejt Shqipërisë dedikuar ekonomisë qarkulluese, menaxhimit të mbetjeve dhe përdorimit efikas të burimeve.”
“Ne aktualisht kemi programe të BE-së që po zbatohen, të menaxhuara nga Delegacioni, me vlerë 113 milionë euro. Në proces miratimi kemi një program operativ për energjinë me vlerë 50 milionë euro. Nëse përfshijmë edhe grantet e WBIF që menaxhohen nga Brukseli, arrijmë në rreth 350 milionë euro fonde për programe që janë në zbatim ose në fazë përgatitore.”, – u shpreh zonja Heikkinen.
Ndërsa integrimi europian pritet t’u hapë dyert bizneseve për programe të reja, konkurrenca do të kthehet në një faktor kyç sfidues. Kujtojmë se Shqipëria është tashmë pjesë e një sërë projektesh, Fushata “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër” po ndihmon vendin tonë të përshpejtojë tranzicionin e saj të gjelbër teksa avancon në negociatat për Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto