Raporti që tronditi Britaninë, 5,400 vende pune ‘flenë’ në mbe... - Business Magazine Albania

Raporti që tronditi Britaninë, 5,400 vende pune ‘flenë’ në mbetjet plastike

Britania e Madhe mund të hapë mijëra vende pune dhe të kthejë industrinë e riciklimit në një motor ekonomik, nëse ndal eksportin e mbetjeve plastike deri në vitin 2030. Kjo është teza e fortë e një raporti të ri që ka shkaktuar debat politik dhe ekonomik në Londër, duke vënë në qendër një realitet të pakëndshëm, vendi vazhdon t’ua delegojë ndotjen vendeve më të varfra, teksa humb miliarda brenda kufijve të vet.

Sipas Hybrid Economics, deri në 15 impiante të reja riciklimi mund të ndërtohen brenda dekadës, duke gjeneruar 800 milionë paund investime private dhe afro 900 milionë paund vlerë ekonomike çdo vit. Dhe ndërsa qeveria kërkon rrugë për rritje ekonomike, raporti e thotë troç: kjo mund të bëhet pa asnjë financim nga shteti, mjafton të krijohet kuadri i duhur ligjor.

Ndërkohë, realiteti aktual është më pak rozë. Vetëm në vitin 2024, Britania eksportoi 600 mijë tonë mbetje plastike, një rritje e ndjeshme prej 5%. Mijëra tonë prej tyre përfunduan në vende si Indonezia, e cila prej vitesh përballet me një krizë të mprehtë ndotjeje plastike, duke e bërë vendin një “deponi të pa deklaruar” të botës perëndimore.

Raporti nënvizon se kjo praktikë e çon përgjegjësinë mjedisore jashtë vendit, ndërkohë që brenda kufijve industria e riciklimit po shkon drejt kolapsit. 21 fabrika riciklimi në Mbretërinë e Bashkuar janë mbyllur vetëm në dy vitet e fundit, të mbytura nga konkurrenca e plastikës së lirë të virgjër dhe produktet e importuara nga Azia.

Neville Hill, autor i raportit, e përmbledh situatën me një fjali të fortë:
“Britania po përdor vetëm gjysmën e potencialit të saj. Pjesa tjetër po eksportohet, bashkë me përgjegjësinë.”

Kryqëzimi i interesave ekonomike dhe mjedisore është i qartë. Ndërsa bizneset britanike gjejnë më të leverdishme ta dërgojnë plastikën jashtë sesa ta riciklojnë në vend, ndikimi i kësaj zgjedhjeje është shumëplanësh: nga humbja e vendeve të punës te dëmtimi i industrisë vendase dhe rritja e varësisë nga tregjet e huaja.

James McLeary nga Biffa Polymers, kompania që komisionoi raportin, sjell një shembull konkret: 10 miliardë shishe qumështi HDPE të ricikluara në 20 vitet e fundit.
“Kur kushtet janë të sakta, riciklimi vendas jo vetëm funksionon, por lulëzon. Dhe kjo mund të ndodhë me të gjithë plastikën që ne prodhojmë,” thotë ai.

Raporti propozon rritjen e taksës për paketimet pa material të ricikluar nga 30% në 50%, si dhe ndalimin gradual, dhe më pas total të eksportit të mbetjeve të papërpunuara plastike.

Nëse këto masa zbatohen, Britania mund të transformohet nga një eksportuese e ndotjes në një superfuqi të ekonomisë rrethore.

Por pyetja e madhe mbetet:
A do të zgjedhë Londra rrugën e vështirë, por të drejtë, apo do të vazhdojë t’i mbyllë sytë ndaj vendeve që po mbyten në mbetjet që ajo vetë prodhon?

The guardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0