Tregjet globale të aksioneve u rritën pasi Nvidia publikoi rezultatet e tremujorit të tretë, duke mposhtur pritshmëritë e Wall Street dhe duke zbutur, të paktën për momentin, shqetësimet mbi faktin nëse vlerësimet rekord të kompanive të inteligjencës artificiale mund të kishin arritur kulmin.
Të mërkurën, vëmendja e botës financiare ishte te Nvidia, kompani referencë për industrinë e AI-së dhe aktualisht kompania më e vlefshme e listuar publikisht në botë. Analistët dhe investitorët prisnin që rezultatet e reja financiare të zbusnin frikën se sektori po hynte në një flluskë të rrezikshme. Jensen Huang, themelues dhe CEO i Nvidia-s, e hapi thirrjen me investitorët me një mesazh të qartë: transformimi i madh që po ndodh në AI nuk është një flluskë, dhe Nvidia qëndron në themel të këtij ndryshimi. “Është folur shumë për një flluskë të AI-së,” tha Huang. “Nga këndvështrimi ynë, shohim diçka krejt tjetër. Nvidia nuk është një akselerator si gjithë të tjerët. Ne shkëlqejmë në çdo fazë të AI-së – nga pre-training, te post-training dhe deri te inference.”
Rezultate që tejkaluan pritshmëritë në çdo drejtim
Kompania raportoi $1.30 fitim për aksion dhe $57.01 miliardë të ardhura, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve për $54.9 miliardë. Të ardhurat u rritën me 62% krahasuar me një vit më parë. Departamenti i qendrave të të dhënave – zemra e biznesit të AI-së – arriti $51.2 miliardë, më shumë se pritshmëria prej $49 miliardë. Nvidia parashikon të ardhura prej $65 miliardë për tremujorin e ardhshëm, ndjeshëm më shumë se vlerësimi i analistëve prej $61 miliardë.
Lexo edhe:Automatizimi i regjistrimit të faturave përmes Inteligjencës Artificiale
Tre transformime të mëdha sipas Huang
Gjatë thirrjes, Huang tha se industria po përjeton tre zhvendosje masive:
-
Kalimi nga kompjutimi i përgjithshëm te kompjutimi i përshpejtuar
-
Kalimi drejt inteligjencës artificiale gjenerative
-
Shfaqja e AI-së fizike dhe “agjentike” – robotë, automjete autonome etj.
“Të gjitha këto dinamika do të kontribuojnë në ndërtimin e pasurisë së infrastrukturës së së ardhmes,” tha ai. “Dhe Nvidia i mundëson të treja.” Kërkesa për çipet e kompanisë vijon të rritet me ritme të paprecedenta. “AI po shkon kudo, po bën gjithçka, njëkohësisht,” tha Huang.
Analistët: AI nuk ka arritur aspak kulmin
Thomas Monteiro, analist i Investing.com, deklaroi: “Kjo u përgjigjet shumë pyetjeve rreth gjendjes së revolucionit të AI-së, dhe përgjigjja është e qartë: nuk jemi askund pranë kulmit.” Sipas tij, edhe pse disa kompani shqetësohen për rritjen e shpenzimeve kapitale, Nvidia po provon se zgjerimi i qendrave të të dhënave nuk është opsion – por nevojë themelore për çdo biznes teknologjik. Edhe David Meier nga Motley Fool shtoi se, megjithëse pritej që Nvidia të tejkalonte pritshmëritë, ajo çfarë kishte më shumë rëndësi ishte komentimi i drejtuesve për ecurinë e tregut global të AI-së.
Shitjet nga investitorë të mëdhenj rritën frikën e flluskës
Aksionet e Nvidia-s ranë 7.9% në nëntor, pasi investitorë madhorë shiten pjesën e tyre:
-
Fondi i Peter Thiel shiti të gjithë portofolin e Nvidia-s, me vlerë rreth $100 milionë.
-
Softbank shiti pjesën e saj prej $5.8 miliardë, duke nxitur edhe më shumë shqetësime për një flluskë të mundshme.
Megjithatë, pas rezultateve, aksionet e Nvidia u rritën mbi 5% në tregun pas-mbylljes, ndërsa tregjet aziatike u rritën ndjeshëm të enjten.
“Në akrobaci mes euforisë dhe realitetit”
Stephen Innes nga SPI Asset Management tha: “Parashikimet e fundit të Nvidia-s, për momentin, kanë shuar frikën më të madhe të tregjeve. Por të mos gabojmë – tregu ende qëndron mbi një tel të tendosur mes euforisë së AI-së dhe realitetit të mbushur me borxhe.” Analisti i Forrester, Alvin Nguyen, ishte më i rezervuar: “Nuk besoj se rritja e Nvidia-s mund të jetë e qëndrueshme në afatgjatë. Kërkesa për AI është e paprecedentë, por nëse tregu normalizohet ose ritmi i inovacionit ngadalësohet, rritja e vlerës së aksioneve të Nvidia-s do të ngadalësohet gjithashtu.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto