Në Pallatin e Kongreseve u ndanë dje çmimet e Panairit të 28-të të Librit, duke vlerësuar autorë, përkthyes dhe botues për krijimtarinë e tyre gjatë vitit.
Akademiku dhe studiuesi Artan Fuga u nderua si autori më i mirë i vitit nga juria e Panairit të 28-të të Librit, për romanin e tij “Ndëshkimi i Dytë i Evës”. Juria e vlerësoi veprën si një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës, dramat e jetës familjare e urbane, si dhe zhvillimet teknologjike të kohës bashkëkohore.
Në romanin e tij, Fuga ndërthur dimensionin filozofik dhe psiko-social, duke analizuar ndryshimet e shoqërisë shqiptare në tre dekada
Juria, vlerësoi gjithashtu Virgjil Muçi si përkthyesin më të mirë të vitit për përkthimin mjeshtëror të veprës “Xhejmsi” të Percival Everett, fitues i Çmimit Pulitzer 2025. Juria theksoi njohuritë e thella të Muçit mbi gjuhën shqipe dhe talentin e tij si shkrimtar.
Në kategorinë e librave studimorë, Albi Xhiku u shpall fitues me veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare”.
Këtë vit u rikthye edhe çmimi për autorin më të mirë të letërsisë për fëmijë, që vitin e kaluar mungoi. Fituesja Valbona Banka u vlerësua për romanin “Aria, në dorën time”.
Në përkthime, çmimi iu dha Urim Nergutit për romanin “Hyrija” të Kamel Daoud, duke e sjellë këtë vepër të rëndësishme te lexuesit shqiptarë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto