BE shqyrton vendosjen e DSA-së ndaj ChatGPT pas 120 milionë përdoruesve - Business Magazine Albania

BE shqyrton vendosjen e DSA-së ndaj ChatGPT pas 120 milionë përdoruesve

ChatGPT, roboti gjenerues i inteligjencës artificiale i krijuar nga kompania amerikane OpenAI, mund të vihet nën rregullat më të ashpra të Bashkimit Europian në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), pasi aplikacioni ka arritur mbi 120 milionë përdorues mujorë në kontinent, konfirmoi një zëdhënës i Komisionit Europian të mërkurën.

Ligji europian për Shërbimet Digjitale synon të kufizojë përhapjen e përmbajtjeve dhe produkteve të paligjshme në internet. Platformat më të mëdha online, për shkak të ndikimit të tyre shoqëror, i nënshtrohen rregullave më të rrepta për transparencë dhe mbikëqyrje, përfshirë detyrime për raportim më të shpeshtë dhe tarifa më të larta mbikëqyrjeje.

Këto rregulla zbatohen për platformat që kanë më shumë se 45 milionë përdorues aktivë në muaj në BE si Amazon, X (ish-Twitter), TikTok dhe platformat e Metës, Facebook dhe Instagram. Komisioni kërkon që platformat të përditësojnë çdo gjashtë muaj numrin e përdoruesve në territorin e BE-së.

OpenAI deklaroi të martën se “për periudhën gjashtëmujore që përfundon më 30 shtator 2025, ChatGPT Search kishte mesatarisht 120.4 milionë përdorues aktivë mujorë në Bashkimin Europian”. Kompania sqaroi se shifra i referohet përdoruesve që kanë përdorur funksionin e kërkimit të ChatGPT-së, jo të gjithë përdoruesve të aplikacionit në përgjithësi.

Në nivel global, ChatGPT raportoi në shtator rreth 700 milionë përdorues aktivë në javë.

Lexo edhe: OpenAI sfidon Google, lançon shfletuesin e ri “Atlas”

Zëdhënësi i Komisionit Europian konfirmoi se është në zhvillim një vlerësim për të përcaktuar nëse ChatGPT duhet të përfshihet në kategorinë e “platformave shumë të mëdha” të mbuluara nga DSA. “Kjo do të shqyrtohet rast pas rasti,” theksoi ai.

Nëse ChatGPT do të kategorizohej si platformë e mbuluar nga DSA, numri total i platformave shumë të mëdha që mbikëqyren nga Komisioni do të arrinte në 26.

Komisioni Europian aktualisht mbikëqyr 25 platformat më të mëdha në BE, ndërsa të tjerat janë nën kompetencën e autoriteteve kombëtare të vendeve anëtare, në varësi të vendndodhjes së selisë së tyre europiane.

BE-ja ka nisur tashmë disa hetime mbi shkelje të mundshme të Aktit për Shërbimet Digjitale, përfshirë ndaj TikTok, Facebook, Instagram dhe AliExpress, procese që ende nuk janë përfunduar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0