Jo një ligj për BE-në, por një ligj që të sigurojë pastrimin e Shqipërisë! - Business Magazine Albania

Jo një ligj për BE-në, por një ligj që të sigurojë pastrimin e Shqipërisë!

Nga Mentor Kikia(Në vend të një letre drejtuar Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese dhe Ministrisë së Mjedisit)
Projektligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve po diskutohet në komisionet parlamentare, për t’i kaluar seancës plenare së shpejti. Hartuesit kanë nxituar, duke anashkaluar procesin e konsultimit publik. Në relacion, si i të tillë referohet konsultimi i draftit të vitit 2024, i cili ka ndryshime thelbësore nga drafti që është dërguar aktualisht në Kuvend.

1-Ky draft, ndryshe nga ai i 2024-ës, për herë të parë parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, që është një ndryshim rrënjësor në procesin e menaxhimit të mbetjeve. Agjencia do të trajtojë mbetjet në pikën fundore. Ndërsa bashkitë do të përgjigjen për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.
Por drafti duket i paqartë në atë që është thelbësore në procesin e menaxhimit të mbetjeve, ndarja e diferencuar në burim, pra ndarja e mbetjeve sipas rrymave në shtëpi, në restorant, në market etj.

Neni 24, parashikon se “Bashkitë janë përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e ndarjes së mbetjeve në burim dhe grumbullimin e diferencuar të tyre…. Edhe Neni 31 parashikon se është bashkia që ka për detyrim “të garantojë grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore”.

Por, Neni 33, parashikon “Stacionet e transferimit”, si pika të ndërmjetme pas grumbullimit të mbetjeve, ku bëhet:
a) Ndarja e mbetjeve të riciklueshme;
b) Ndarja e mbetjeve në rryma të ndryshme;
c) Ngjeshja e mbetjeve për t’i zvogëluar në përmasa;

Tani, ku ndahen mbetjet, në burim apo në stacionet e transferimit? A është kjo punë përgjegjësi e bashkive apo AKEM-it?
Nëse mbetjet shkojnë në “Stacionin e Transferimit” që, padyshim do të jetë brenda landfillit, ku do të bëhet ndarja e mbetjeve të biodegradueshme nga plastika, mbetjet metalike etj., atëherë jemi sërish në vend. Mbetjet do të shkojnë aty të ndotura dhe jashtë standardit për t’u ricikluar. Eksperimenti ka dështuar me sukses në landfillin e Tiranës.

Lexo edhe: Shqipëria pret ‘Plug and Play Expo 2025’, Tirana si epiqendër e inovacionit

2-Drafti i ri, i pakonsultuar me grupet e interesit, në ndryshim nga ai i 2024-ës, ka hequr nenin që lejon kompanitë e riciklimit të blejnë jashtë lëndë të para nga lista e gjelbërt.
Kjo do të vazhdojë të rrënojë industrinë e riciklimit, e cila nuk do të mbijetojë derisa qeveria të ndajë se si do të mblidhen dhe diferencohen mbetjet, për të prodhuar lëndë të parë për këtë industri. Drafti parashikon që AKEM do t’ua shesë ricikluesve mbetjet e seleksionuara në stacionin e transferimit, por të ndotura ato nuk kanë vlerë për këtë industri. Demotivimi i mëtejshëm i industrisë së riciklimit do të bëjë që të bien edhe rrjetet e grumbullimit privat që largojnë nga rrugët, sheshet dhe mjediset e tjera publike tonelata plastikë dhe ambalazhe metalike çdo vit.

Drafti, më shumë sesa një përpjekje për të zgjidhur përfundimisht dhe në afat të gjatë problemin e madh të menaxhimit të mbetjeve, duket një përpjekje për të miratuar një ligj, në kuadër të përafrimit të kuadrit ligjor për llogari të procesit të negociatave me BE-në.
Ndaj do të ishte e udhës rikthimi i draftit dhe ulja me njerëzit e duhur për t’u konsultuar realisht e jo sa për procedurë.

Para se bëjmë kozmetikë ligjore, ne kemi nevojë për ligje që do të jenë të zbatueshme dhe që do të prodhojnë një Shqipëri më të pastër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0