Inteligjenca artificiale po transformon internetin me shpejtësi. Mjete si Grok Imagine dhe Sora kanë bërë të mundur që kushdo të krijojë video jashtëzakonisht reale përmes AI-t, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e deepfake-eve – video të rreme që mund të duken plotësisht autentike.
Së fundmi, Elon Musk ka zbuluar se kompania e tij xAI po punon që Grok të jetë në gjendje të zbulojë nëse një video është krijuar nga inteligjenca artificiale dhe të gjurmojë burimin e saj origjinal. Një përdorues në platformën X (ish-Twitter) shprehu shqetësimin se shumë shpejt çdo person mund të bëjë deepfake pa lejen e askujt, në një cilësi aq të lartë sa do të jetë e pamundur të dallohet nëse videoja është e vërtetë apo e krijuar me AI. Ai shkroi: “Askush nuk po bën asgjë për ta ndaluar këtë. Të gjithë e shohim se çfarë po vjen dhe udhëheqësit tanë nuk po bëjnë absolutisht asgjë për ta parandaluar.” Në përgjigje të këtij postimi, Elon Musk tha: “Grok do të jetë në gjendje të analizojë videon për nënshkrime digjitale të AI-t në nivel bitstream dhe më pas të kërkojë në internet për të identifikuar origjinën.”
Lexo edhe:30 IT në Shqipëri, nga kompjuterat bazikë tek Inteligjenca Artificiale- intervistë me me pionierin Genc Likoskëndaj
Llogaria e vetë Grok-ut iu përgjigj më pas komentin Musk-ut duke shpjeguar më hollësisht procesin. Sipas saj, Grok do të jetë në gjendje të zbulojë “shenja të imëta të AI-t në strukturën e videove, si mospërputhje në kompresim apo modele gjenerimi që njerëzit nuk mund t’i vënë re.” Pasi të identifikojë këto shenja, Grok do të kontrollojë bazën e vet të të dhënave dhe “gjurmët në internet” për të verifikuar origjinën e mundshme të videos. Qëllimi është të rikthehet besimi te përmbajtja vizuale, në një kohë kur përdorimi i videove të gjeneruara nga AI po shtohet ndjeshëm. Shumë përdorues tashmë e quajnë këtë valë përmbajtjesh artificiale “AI slop”.
Frika për deepfake-et po bëhet gjithnjë e më reale. Pas publikimit të aplikacionit Sora nga OpenAI në App Store të Apple, është vërejtur një rritje e ndjeshme e krijimit të videove të rreme me pamje të njerëzve të tjerë. Pas reagimeve të shumta, OpenAI vendosi kufizime të reja në funksionin cameo mode, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të përzgjedhin situatat në të cilat nuk duan të shfaqen në video të krijuara nga të tjerët. Në këtë sfond të pasigurisë dhe mungesës së rregullave të qarta për përdorimin e AI-t në përmbajtjet vizuale, përpjekja e Musk dhe xAI për të zhvilluar një mjet të besueshëm zbulimi dhe gjurmimi të deepfake-eve mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së së vërtetës digjitale.